E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroatët, të pakënaqur nga rritja e taksave

Propozimi më i fundit i qeverisë kroate për rritjen e Taksës së Vlerës së Shtuar (TVSH) me 1 (një) për qind dhe aplikimin e "taksës së krizës" për të gjitha llojet e pagave dhe të pensioneve, ka ngjallur pakënaqësi të madhe midis kroatëve.

Qeveria e Kryeministres së re të Kroacisë, Jadranka Kosor, ndërsa vendi po përballet me një situatë krize, në kuadrin e rebalancimit të tretë të buxhetit brenda një viti kalendarik, sikurse bën të ditur këto ditë media kroate, ka propozuar rritjen e TVSH-së nga 22 në 23 për qind, aplikimin e "taksës së krizës" me vlerë prej 3 (tre) përqindësh për të gjitha llojet e pagave e të pensioneve, si dhe taksimin e honorarëve të autorëve, bonuseve menaxheriale, të të ardhurave nga dividentët dhe të të ardhurave të tjera mbi 3000 kuna (paraja vendase e kroatëve) (1 euro-7,3 kuna). Sindikatat kroate të punonjësve kanë ngritur me forcë zërin e protestës, sidomos kundër "taksës së krizës", duke e konsideruar atë si një lloj "haraçi" që do të ndikojë direkt në jetesën e masave të gjera punonjëse kroate. Sindikatat kroate theksojnë se rritja e taksave është e padrejtë, pasi një numër i konsiderueshëm i të punësuarve në Kroaci kanë paga poshtë mesatares, që janë të pamjaftueshme për të përballuar koston aktuale të jetesës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›