E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensione të përbashkëta shqiptaro-italiane

Ministri Ksera deklaron se dy vendet janë shumë pranë miratimit të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore të paguara nga shtetasit

Problemi i pensioneve të emigrantëve shqiptarë, të paktën në Itali, duket se shumë shpejt do të marrë një zgjidhje, sipas ministrit të Punës, z. Spiro Ksera. Duke folur dje në veprimtarinë Menaxhimi i migracionit shqiptar: Vështrim mbi arritjet dhe politikat organizuar nga zyra e misionit të IOM në Tiranë, ai tha se Shqipëria dhe Italia janë shumë pranë finalizimit të marrëveshjes për pensionet. Problemi aktual, që ka të bëjë me të gjithë ata që kanë kontribute në të dyja vendet, por që për shkak të mungesës së marrëveshjes rrezikojnë pleqëri pa pension, pasi asnjë vend nuk njeh vjetërsinë e punës së emigrantit në vendin tjetër, duket se do të tejkalohet. Ndërkaq, ministri Ksera theksoi edhe nxitjen e punësimit sezonal që po bëhet nëpërmjet politikave shtetërore shqiptare, që do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë dhe të vendit në tërësi

Pensionet

Gjej rastin këtu të bëj me dije se përpjekjet e përbashkëta për menaxhimin e flukseve të emigrantëve janë finalizuar tashmë me një marrëveshje të përbashkët të nënshkruar me qeverinë italiane për migrimin për arsye punësimi, si dhe jemi në fazën e përfundimit për nënshkrimin e një tjetër marrëveshjeje të rëndësishme mes dy vendeve, e cila parashikon njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore, - deklaroi ministri Ksera. Çështja e pensioneve ka më shumë se tetë vjet që po shqyrtohet nga të dyja palët, ndërsa negociatat për zgjidhjen e këtij problemi kanë nisur përpara tre vjetësh, si me Italinë, edhe me Greqinë. Ndërkohë që me fqinjët përtej Adriatikut zgjidhja duket se është pas porte, me Greqinë ende nuk dallohet asnjë dritë në horizont.

Emigrimi

Ministri Ksera deklaroi gjithashtu se emigrimi sezonal do të ketë nxitje zyrtare qeveritare. Ai u shpreh: Ne kemi si qëllim në politikat tona nxitjen e punësimit sezonal, si alternativë e migracionit të përhershëm për qëllime punësimi dhe nxitjen e kthimit të emigrantëve të kualifikuar. Sipas ministrit të Punës: Duke qenë e interesuar për kushtet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, qeveria është angazhuar për të ndihmuar në integrimin social, kulturor, ekonomik të emigrantëve në vendet pritëse, duke e gërshetuar këtë me ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë shqiptare. Në këtë veprimtari merrnin pjesë ambasadori Italian në Shqipëri, Sh.T.Z. Saba DElia, shefja e misionit të IOM në Tiranë, Nicoletta Giordano; drejtori i zyrës konsullore të ambasadës së Republikës Greke në Tiranë, z. Dimitrios Saharides etj. Njohja e sigurimeve shoqërore është parë si një përparësi e Ministrisë së Punës të vendit tonë, pasi janë me mijëra ata shqiptarë të cilët kanë paguar sigurime shoqërore në vende të ndryshme, duke mos përfituar në këtë mënyrë pension, ndonëse kanë plotësuar kriteret e parashikuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›