Tregu i parasë, si lëvizjet e BSH-së në fund të vitit 2009
Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit. Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht 19.51 miliardë lekë, në javë si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim një dhe tremujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim njëmujor u përdor në 3 raste, mesatarisht 3.0 miliardë lekë për ankand). Edhe marrëveshja e anasjelltë tremujore u përdor në tre raste, mesatarisht 4.1 miliardë lekë për ankand.
Me qëllim rritjen në mënyrë të përhershme të likuiditetit në treg, Banka e Shqipërisë organizoi gjatë muajit dhjetor një ankand për blerjen me të drejta të plota, nëpërmjet të cilit u injektuan 2.35 miliardë lekë. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë, në krahasim me 0.35 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar. Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar. Instrumenti i kredisë njëditore gjeti një përdorim minimal gjatë këtij tremujori (një rast përdorimi në nivelin 10 milionë lekë).