E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, shtyhet gjykimi

04/11/2009  Mungon përfaqësuesi i qeverisë, Kushtetuesja cakton seancën e radhës më 12 nëntor

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e ankimuesve për pezullimin e ligjit

Gjykata Kushtetuese shtyu për më 12 nëntor seancën për shqyrtimin kërkesë së ish-ushtarakëve për shfuqizimin e ligjit për pensionet suplementare të ushtarakëve, si dhe rrëzoi vendimin për pezullimin e tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi për shtyrje u mor pas kërkesës së përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave në mungesë, me gjithë kundërshtitë e paditësve.

Gjykimi

Kushtetuesja hapi paraditen e djeshme gjykimin e kërkesave ankimore të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, shoqatës “Organizata e Punonjësve të Policisë në Lirim”, Avokatit të Popullit dhe shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, të cilat kërkuan para kësaj gjykate “shpalljen e papajtueshmërisë me Kushtetutën të ligjit nr. 10142, dt.15.05.2009 “Për sigurimin suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH”. Po ashtu ato kërkuan edhe pezullimin e këtij ligji deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në seancën e djeshme mungoi përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave dhe ai i Ministrisë së Financave. Këshilli i Ministrave i kërkoi dje Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet një shkrese zyrtare mundësinë e shtyrjes së seancës gjyqësore për të pasur mundësinë e paraqitjes së pretendimeve, pasi për arsye objektive përfaqësuesi i autorizuar i Këshilli i Ministrave nuk mund të paraqitej. Ndërkohë Ministria e Financave nuk paraqiti asnjë arsye për mungesën. Përfaqësuesit e subjekteve paditëse të qeverisë dhe Parlamentit për ligjin në fjalë i kërkuan Kushtetueses të vazhdonte me shqyrtimin e çështjes, duke i vlerësuar të paargumentuar arsyet e shtyrjes. Pavarësisht këtij kundërshtimi, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 12 nëntor, duke argumentuar se për të paraqitja e pretendimeve nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave vlerësohej e domosdoshme. Me herët, pas verifikimit të palëve, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ligjit të sipërpërmendur me argumentin se kërkuesit nuk kishin mundur të argumentonin para Gjykatës Kushtetuese se zbatimi i këtij ligji mund të sillte pasoja që preknin interesa shtetërorë, shoqërorë apo të individëve, të parashikuara në nenin 45, pika 1 të ligjit nr. 8577, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ankimimi

Ankimuesit vlerësojnë se ligji mohon disa të drejta të fituara me anë të ligjeve të miratuara vite më parë, duke shënuar kështu regres dhe duke shkelur parimin e sigurisë juridike. Një pikë tjetër tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë. Ndërkohë në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë argumenton se e drejta e punësimit të tyre është sanksionuar një herë në nenin 35/2 të ligjit nr. 9210, “Për pensionin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rastin e punësimit të përfituesit.

Debatet për ligjin e librit, deputetët do të lexojnë “Çufon”

Biblioteka e Kuvendit në shërbim të qytetarëve

Biblioteka e Kuvendit të Shqipërisë nga një bibliotekë në shërbim të deputetëve do të shndërrohet në bibliotekë në shërbim të publikut. Në këtë mënyrë kryeqyteti do të ketë bibliotekën e vet, duke e bërë atë të njëjtë me vendet e tjera. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka bibliotekë të kryeqytetit që të garantohet nga Bashkia e qytetit. Këto të dhëna u deklaruan në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Medies gjatë diskutimit nga deputetët të disa ndryshimeve që qeveria kishte propozuar për ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”. Derisa biblioteka e Kuvendit të vihet në shërbim edhe të qytetarëve, ajo do të ofrojë për deputetët e Kuvendit nga një kopje të çdo botimi, përfshirë edhe librin e abetares, libra shkollorë apo përrallat për fëmijë. Pas një debati komisionerët nuk pranuan ndryshimin e propozuar nga qeveria, sipas të cilit botuesit ishin të detyruar të çonin në Bibliotekën Kombëtare nga 5 kopje për çdo botim, por lanë variantin në fuqi. “Ju kërkoj të miratoni variantin e ndryshuar. Nëse lini variantin e vjetër që nesër në bibliotekën e Kuvendit do të vijnë edhe 5 kopje të ‘Harabeli i vogël’ që doli dje në qarkullim, apo ‘Borëbardha’ dhe ‘Çufo’”, - tha komisioni përfaqësuesi i qeverisë Ermir Nika. Neni 42 i ligjit aktual parashikon dorëzimin e 5 kopjeve për çdo botim jo vetëm në Bibliotekën Kombëtare, por edhe në bibliotekën e Kuvendit dhe në bibliotekat publike pranë njësive administrative vendore. Nënkryetari i komisionit, Mark Marku, propozoi që secili institucion të ketë një fond për blerjen e librave, propozim i cili i përket së ardhmes.

A.Lika

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›