Pensioni i gardistëve, pagesa e kontributeve dhe përfitimet sipas ligjit të ri
Ervin Koçi
Qeveria dhe Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare kanë marrë në shqyrtim këto ditë projektligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të efektivave të Gardës së Republikës së Shqipërisë”. Ky projektligj synon trajtimin më të mirë me pensione suplementare të efektivave të Gardës së Republikës, të cilët duhet ta përfitojnë atë pas përfundimit të shërbimit në këtë institucion. Aktualisht për punonjësit dhe efektivat e Gardës së Republikës nuk ka një akt ligjor për trajtimin e tyre në përputhje me statusin e miratuar në Ligjin Nr. 8869, datë 22.05.2003. Në nenet 13 dhe 39 të këtij ligji punonjësit e Gardës gëzojnë një status të veçantë, si dhe përfitojnë disa trajtime financiare suplementare mbi ato të përcaktuara në Ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Ligji i ri
Deri tani punonjësit e Gardës së Republikës janë trajtuar me pension në bazë të Ligjit nr. 8087 datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Por me miratimin e ligjit të ri për Gardën, dispozitat e ligjit të mëparshëm nuk do të sigurojnë përputhjen me realitetin ri të krijuar në strukturat e Forcave të Armatosura. Në ligjin e ri caktohen qartë emërimet dhe pozitat e strukturave dhe efektivave të Gardës, si dhe në tërësi strukturat e reja të Ministrisë së Brendshme, në varësi të së cilës ka kaluar edhe Garda e Republikës dhe administrata që varet prej saj. Projektligji i ri konsiderohet nga ekspertët që e kanë hartuar atë, si një element që mbush vakuumet ligjore që ka lënë ligji i mëparshëm. Projektligji i ri i paraqitur në komisionet e Kuvendit siguron jo vetëm bazën e nevojshme ligjore, por ofron edhe: 1) Trajtim financiar për efektivat e Gardës të krahasueshëm me atë të punonjësve të tjerë; 2) stimulimin për rekrutime cilësore e vazhdimësi të karrierës në Gardë; 3) njohjen e periudhave për karrierë; 4) lehtësi në zbatim; 5) parametrat e zbatuar deri tani për strukturat e tjera të pranueshme nga organizmat e specializuar; 6) përballimin e efekteve financiare; 7) përfitimet suplementare të miratuara tashmë në Ligjin në fuqi nr. 8087.
Pagesa e sigurimeve
Neni nr. 4 i projektligjit të ri përcakton qartë detyrimet e punonjësve aktivë të Gardës për të paguar kontributin shoqëror suplementar, me qëllim përfitimin më pas të të gjitha trajtimeve suplementare që kanë këta punonjës në rastet e ndërprerjes së përkohshme apo të përhershme të karrierës. Masa e këtij kontributi është parashikuar që të jetë 2 për qind mbi pagën mujore bruto, të përfituar nga secili punonjës i Gardës me status. Kjo tarifë përbëhet nga paga bazë për gradë/funksion, së bashku me shtesat me karakter të përhershëm. Shuma e këtij kontributi do të përdoret për përballimin e shpenzimeve që vijnë si rrjedhojë e përdorimit të dispozitave për sigurimet shoqërore suplementare. Kjo shumë do të administrohet në një llogari të veçantë dhe do të përdoret sipas kritereve që do të përcaktohen në vijim nga institucionet përkatëse, si Ministria e Financave, ISSH-ja dhe Ministria e Brendshme.
Përfitimet sipas shërbimit
Në nenin nr. 6 të këtij projektligji janë përcaktuar kushtet e përfitimit, ndër të cilat më kryesorja është koha e shërbimit. Në kohën e shërbimit, për efekt përfitimi ndër të tjera është parashikuar të llogaritet edhe: a) Koha nga data e pranimit si kursant, student dhe gardist, e cila ka të bëjë kryesisht me përfitimet që mund të vijnë nga një dëmtim shëndetësor apo humbje e jetës, në krye ose për shkak të detyrës, në mbështetje të pikës 4, të nenit 39, të ligjit për Gardën e Republikës. Koha e kaluar si punonjës në gardë, që do të thotë periudha e trajtuar me pagë sipas një funksioni apo grade të fituar. b) Koha e njohur si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas akteve normative që kanë qenë në fuqi në periudha të caktuara përpara fillimit të karrierës në Gardë. Kjo vjetërsi, që është njohur deri tani, nuk mund të mohohet në vitet në vijim. c) Koha e kaluar si punonjës i Policisë së Shtetit, përpara fillimit të karrierës në Gardë. Në këtë rast, ashtu si në rastin e mëparshëm, do të jetë e nevojshme, ashtu sikurse në shërbimet e Gardës, vijnë persona të specialiteteve të ndryshme nga strukturat e Ushtrisë apo Policisë së Shtetit. d) Periudha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një vendimi të padrejtë ose në pritje të emërimit në përputhje me gardën. dh) Gjysma e periudhës së kaluar si punonjës në sektorë të tjerë, jashtë strukturave të gardës, përpara fillimit të karrierës në Gardë, për ato funksione që kërkojnë arsim dhe njohuri të veçanta dhe vetëm kur është nevojë pune e shërbimi.
Përfitimi financiar kur gardisti sëmuret ose dëmtohet në punë
Në nenin 8 të projektligjit parashikohet që për punonjësit që pësojnë dëmtime të shëndetit ose që janë të predispozuar për një sëmundje më të rëndë, shpenzimet për rehabilitimin e tij përballohen nga buxheti i shtetit. Në këtë rast kriteret përcaktohen me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh edhe mendimin e specialistëve mjekë, për të përcaktuar edhe rastet më të nevojshme. Kjo gjë trajtohet edhe më gjerësisht në nenin 10 të projektligjit “Pagesa gjatë ndërprerjes së karrierës për shkaqe shëndetësore”. Në këtë pikë është parashikuar trajtimi me pagesë, thuajse në të njëjtën masë të trajtimit me pension të parakohshëm, për rastet kur punonjësi i Gardës detyrohet të ndërpresë karrierën për shkaqe shëndetësore të vërtetuara nga një komision mjekësor i posaçëm. Ky trajtim është një formë mbrojtje ekonomike për një punonjës që fatkeqësisht ka humbur aftësinë për punë dhe nuk ka as kushtet minimale për të fituar pension të parakohshëm apo individual të plotë. Madje ky trajtim është i kufizuar në kohë, deri në riaftësimin e tij për punë ose deri në punësimin e tij në Gardë.
Format e trajtimit me pension të parakohshëm për gardistët
Në nenin 11 “Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi”, trajtohet pikërisht përfitimi për pension të parakohshëm, që zbatohet edhe aktualisht. Dy janë kushtet kryesore për të përfituar një pension të tillë: 1) Mosha, që është 47 vjeç për burrat dhe 42 vjeç për gratë, aq sa është edhe aktualisht. 2) Vjetërsia në shërbim që është jo më pak se 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, aq sa është edhe aktualisht. Përcaktimi për llogaritjen e masës së këtij pensioni është thuajse i njëjtë me atë që përcaktohet aktualisht në ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, dhe kushtëzohet nga masa e pagës që përfitonte personi dhe nga vjetërsia. Sipas nenit, masa e pensionit të parakohshëm rezulton e diferencuar, për secilin funksion apo gradë, pasi është e lidhur me pagën konkrete të secilit duke zbatuar mbi të përqindje të njëjtë, pavarësisht funksionit dhe gradës. Automatikisht pensioni i parakohshëm është i ndryshëm për çdo punonjës dhe shkon në rritje në përputhje me hierarkinë. Nga kjo e drejtë përjashtohen vetëm punonjësit e Gardës që kanë braktisur detyrën ose që janë dënuar me burg nga gjykata me vendim të formës së prerë për shkak të një vepre penale që ka lidhje me detyrën që kryente ose kishte kryer.
Projektligji, trajtim me ndihma edhe për familjarët e gardistëve
Neni 17 i projektligjit parashikon trajtimin me ndihma të menjëhershme në rastet e sëmundjeve të rënda, plagosjes apo të vdekjeve të pjesëtarëve të familjes së gardistëve. Po kështu parashikohet trajtimi me ndihmë edhe në rastet kur gardistit i dëmtohet pasuria e tij nga faktorë objektivë si mund të jetë ata që kanë lidhje me detyrën e tij, ose me faktorë natyrorë. Në të gjitha këto raste punonjësi i Gardës përfiton ndihmë të menjëhershme financiare nga shteti, në masën e tre pagave mujore gjithsej, brenda një viti kalendarik, pavarësisht rasteve që mund të lindin. Ndërsa në rastet e vdekjes së një punonjësi të Gardës, familjarët e tij që e kanë në ngarkim, përfitojnë një ndihmë të menjëhershme në masën e katër pagave bazë mujore që mund të ketë pasur i ndjeri. Por rastet kur vdekja vjen si pasojë e detyrës dhe kur gardisti bie në krye të detyrës trajtohen ndryshe. Në këtë rast, ndihma e menjëhershme jepet në masën e 4 pagave referuese për gradën më të ulët të oficerit, për çdo person në ngarkim dhe në çdo 5 vjet të përkujtimit të tij përfituesve të mësipërm u jepet një ndihmë financiare në masën e një page referuese për gradën më të ulët të oficerit për secilin familjar në ngarkim.
Përllogaritja e shpenzimeve sipas dispozitave të projektligjit
1. Të ardhurat nga kontributet sipas nenit 4 12.5 milionë lekë
2. Shpenzimet nga përllogaritjet sipas neneve të veçanta:
Neni 7 0.04 milionë lekë
Neni 11 5.10 milionë lekë
Neni 17 1.00 milionë lekë
Neni 18 0.50 milionë lekë
Shuma 6.64 milionë lekë
3. Të ardhurat dhe shpenzimet përfundimtare:
Të ardhurat: 12.50 milionë lekë
Shpenzimet: 11.44 milionë lekë
Rezerva 1.06 milionë lekë
21 Maj 2008