Semina në fokusin e Hamburgut dhe Hertës
Nga një lojtar thuajse i papërfillur në Shqipëri, 19-vjeçari Klodian Semina mund të realizojë transferimin e dytë ndërkombëtar brenda gjashtë muajve. Mbrojtësi aktual i Belasicës në kategorinë e parë të Bullgarisë është në fokusin e dy klubeve gjermanë të rëndësishëm: Hamburgut dhe Hertës së Berlinit. “Klodiani do të bashkohet me përfaqësuesen tonë U-19 në Sllovaki, për të qenë pjesë e grupit në ndeshjet e “Elite Round” ku marrin pjesë edhe Gjermania, Sllovakia e Kroacia, dhe për të ndjekur në aksion do të vinë edhe menaxherë të Hamburgut dhe Hertës së Berlinit”, -tha menaxheri i lojtarit, Rudi Vata, i cili e mori gjigantin 19-vjeçar (192 cm) nga klubi i Vllaznisë, por i huazuar te ADA. Vata, i cili drejton agjencinë më të madhe shqiptare të transferimit të lojtarëve “Vata Vizion Football Management”, do të ndjekë nga afër të tre ndeshjet e Shqipërisë U-19 të drejtuar nga Ramadan Shehu. “Do të jetë me shumë interes për mua edhe në planin profesional pasi në grupin e lojtarëve ka disa të rinj me të dhëna. Janë lojtarë të kësaj moshe, për të cilët interesohen edhe klubet që dëshirojnë të investojnë në të ardhmen e tyre”.
Shqipëria e drejtuar nga Ramadan Shehu arriti një kualifikim me meritë në raundin e parë, ku në grup kishte Spanjën, Serbinë dhe Lihteshtejnin, ku për ekipin tonë u dallua Mirgen Bushati.
Ekipi ynë U-19, që ndodhet në Grupin 4, do të luajë ndeshjen e parë kundër Gjermanisë (22 maj 2008, ora 11:00) në Sala të Sllovakisë. Takimi i dytë për kuqezinjtë tanë është ai kundër Sllovakisë (24 maj) dhe i fundit ai me Kroacinë (27 maj).
Belasica Petrich e Klodian Seminës, ia doli të mbijetojë në kategorinë maksimale të kampionatit bullgar, Grupin A. Mbrojtësi shkodran ishte një nga lojtarët më të vlerësuar edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit, të fituar 3-1 kundër Botev, që vulosi edhe qëndrimin përfundimtar. “Semina ishte një ndër më të mirët e takimit. Edhe pse mbërriti në Bullgari vetëm në fillim të këtij viti (1 shkurt 2008), arriti të përshtatej më së miri me lojën e fortë dhe të kthehej në një lojtar titullar. Dua të theksoj se ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme te specialistët bullgarë të futbollit, sidomos për qetësinë e tij dhe efikasitetin e veprimeve në mbrojtje”, - shton ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, i cili ka qenë vetë një qendërmbrojtës.
“Për të qenë i sinqertë, edhe unë jam i befasuar, pasi nuk besoja se do të shkonte kaq mbarë paraqitja e tij në përvojën e parë ndërkombëtare, pasi në Shqipëri nuk luajti asnjë sekondë në Superligë”, - theksoi Vata, i cili nga ana e tij ka luajtur përveçse në Shqipëri me Vllazninë, Dinamon e Tiranën edhe në Gjermani, Skoci e Japoni. Semina, i cili kaloi edhe një moment të vështirë në kampionatin bullgar, kur humbi ndjenjat për disa minuta, zhvilloi në pjesën e dytë të sezonit 12 ndeshje, prej të cilave 10 si titullar, duke shënuar edhe një gol, pikërisht kundër Slavias së Enco Malindit në humbjen 3-1.
Skeda
Klodian Semina
Datëlindja: 19.01.189
Roli: Mbrojtës
Gjatësia: 192 cm
Ekipi: Belasica (Bullgari)
NDESHJET
ELITE RAUND
U-19
22 maj:Gjermani-Shqipëri (Sala)
24 maj:Sllovaki-Shqipëri (Senec)
27 maj:Shqipëri-Kroaci (Senec)
Mavraj, gati rikthimi në Kombëtare
Mërgim Mavraj, mbrojtësi shqiptar i Bokumit në Gjermani do të ketë edhe një shans tjetër për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare. Lojtari, i pajisur në mënyrë urgjente me pasaportë shqiptare pas rekomandimit të ndihmësit të Hans Peter Brigelit, Aksel Ros, refuzoi disa vite më parë për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi. 21-vjeçari Mavraj, i cili debutoi këtë sezon në ndeshjen e fundit të Bokumit, pritet të bashkohet me të thirrurit e Ari Hanit në grumbullimin tetë ditor të skuadrës në Gjermani, që do nisë më 20 maj e do të kulmojë me miqësoren kundër Polonisë, më 27 maj në Reutlingen. Mavraj, edhe pse luajti vetëm dy ndeshje në Bundesligë, arriti të shkruajë emrin e tij në listën e golashënuesve, kur realizoi në javën e fundit të Bundesligës në humbjen 2-1 të Bokumit me Hansa Rostokut, ku ishte edhe më i miri i ekipit të tij (nota 2). Mavraj është një lojtar shtatlartë (1.89 m) dhe dallohet në lojën mbrojtëse në ajër. Mërgimi, i cili ka luajtur edhe për Gjermani U-21, mund të jetë një përforcim i vlefshëm për Kombëtaren A.
Piratët serbë sulmojnë faqen e Partizanit
Faqja zyrtare në internet e klubit të futbollit “Partizani”, fkpartizani.al është sulmuar nga piratë interneti serbë. Hajkerat kanë mundur të vendosin në “home” (faqen e parë) shkrimin “Kosova është Serbi” dhe thirrje të ndryshme antishqiptare, por në gjuhën angleze. Sipas një burimi nga Shqipëriacom.shpk, ku është hostuar edhe faqja e Partizanit, në total ishin 12 faqe të sulmuara nga piratët serbë. Lajmin e konfirmoi edhe një nga zëdhënësit e klubit të kuq. Momentalisht faqja është jashtë funksionit për lexuesit, por nën kujdesin e monitorimin e kompanisë më të madhe për programimin dhe hostimin e faqeve të internetit në Shqipëri.
“Duel” shqiptarësh, Xhemaili kundër Metajt
Sfidë shqiptarësh në Holandë U21-Zvicër U21. Shqiptari nga Maqedonia, Blerim Xhemaili, është përfshirë në listën e Zvicrës U-21 për ndeshjen përcaktuese të 23 majit kundër Holandës në Tilburg. Xhemaili, i cili luan për ngjyrat e Boltonit në Angli ka luajtur 13-herë për përfaqësuesen U-21 të Zvicrës, ku ka arritur të shënojë 4 gola. Po me formacionin zviceran është thirrur edhe kosovari Shkëlzen Gashi (asnjë ndeshje zyrtare), i cili luan me Shafhauzenin, skuadër me të cilën Kombëtarja A e Shqipërisë do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore. Te Holanda U-21 është thirrur kosovari Shkodran Metaj, i cili luan me Groeningen.
Bogdani, basti i humbur i Livornos
Me Livornon e rënë përfundimisht në Serinë B, sulmuesi shqiptar Erion Bogdani do të bëj një “kthim pas në origjinë”, te Kievo e ringjitur sërish në Serinë A, që zotëron dhe kartonin e lojtarit. Gazeta prestigjioze sportive italiane “Gazzeta dello Sport” e ka përfshirë sulmuesin e Kombëtares shqiptare të lista e humbësve. “Bastet. Shumë të humbura. Sulmuesit Tavano, Tristan, Rosini e Bogdani kanë bërë që të qajnë mungesën e Kristiano Lukarelit, - shkruan gazeta në fjalë. Bogdani, lojtari i dytë më i paguar te Kievo (750 mijë euro në sezon) edhe pse mbërriti me superlativa te Livorno pas këmbënguljes së presidentit Spineli, realizoi vetëm dy gola gjatë gjithë sezonit.
Lëv “spiunon” Poloninë kundër Shqipërisë
Kombëtarja shqiptare niset sot drejt Gjermanisë ku do të akomodohet në hotelin “Sternen” në Kirchen-Hauzen. Përfaqësuesja jonë do të mbërrijë në orën 16:30, ku stërvitjet do të ndiqen lirshëm nga fansat. Kombëtarja jonë do të qëndrojë deri më datë 28 maj, ndërsa më 27 maj është planifikuar edhe ndeshja miqësore me Poloninë. Sipas gazetës lokale “Trossniser Zeitung”, të dërguar të trajnerit të përfaqësueses gjermane, Johakim Lëv, dotë ndjekin nga afër këtë miqësore, pasi Polonia është një nga kundërshtarët në grup të Gjermanisë, më të cilën do të ndeshet për Euro 2008, më 8 maj në Klagenfurt. Përfaqësuesja polake ka mbërritur qysh të hënën në Donaueschingen, ku trajneri holandez Leo Benhaker kreu edhe stërvitjen e parë.
20 Maj 2008