E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjetika, tarifat e reja përplasin në Kuvend KESH-in me ERE-n



Menaxhimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe vendosja për tarifat e reja të energjisë, të cilat pritet të shtohen sërish këtë verë, kanë përplasur dje mes tyre drejtuesit e KESH-it dhe ERE-s. Arena e betejës mes tyre ka qenë Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, i cili ka pasur dje në qendër debatet e ashpra midis kreut të KESH-it, Gjergj Bojaxhi dhe atij të ERE-s, Bujar Nepravishta, në lidhje me mënyrën se si duhet të menaxhohet Korporata në vazhdimësi. “Ne deklaruam se nuk shihnim arsye për një rritje të re të çmimit të energjisë. FMN-ja erdhi dhe pa të gjithë informacionin ku për herë të parë u bind teksa në misionin e fundit kërkoi që çmimet të mos rriten. Për rrjedhojë, ne garantojmë që për këtë vit çmimi e energjisë nuk do të rritet”, - deklaroi kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta. Por kreu i KESH-it, Bojaxhi, e justifikojë kërkesën e tij duke thënë se që nga viti 2004 çmimet e hidrokarbureve në tregjet ndërkombëtare janë rritur dy dhe tre fish, në një kohë që çmimi i energjisë në vend ka pasur një rritje minimale. Por debati mes tyre ka vijuar edhe më tej edhe në lidhje me temën e kolapsit të KESH-it në momente të caktuara. Sipas kreut të ERE-s, Nepravishta, humbjet e energjisë, janë problem shqetësues. Sipas tij, “janë rreth 2 miliardë kilovat-orë energji në vit, prej të cilave, 1 miliardë kilovat/orë janë humbje jo teknike, që shkaktojnë një dëm ekonomik shumë të madh. Vjedhja e energjisë elektrike është një krim shumë i rëndë ekonomik dhe nuk mund të përballohet vetëm nga KESH-i, pasi janë problem për gjithë shoqërinë, shtetin dhe qeverinë”. Sipas tij, “çdo vit, humbet nga vjedhjet e energjisë elektrike 1 miliardë kilovat/orë energji elektrike, janë e barabartë me 80 milionë euro”. Nepravishta tha më tej se, KESH-i ka bërë mbi 400 kallëzime penale, por asnjë prej tyre nuk është zbatuar.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›