E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët dhe administrata shpërblim për festat e fundvitit

16/12/2009  Kryeministri Berisha udhëzon Ministrinë e Financave për pagesën

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga ministri i Financave Ridvan Bode të lirojë fonde për t’i përdorur si shpërblime për pensionistët. Në një mbledhje të posaçme kreu i qeverisë ka theksuar se pavarësisht nga ndikimet e krizës botërore financiare në situatën ekonomike të vendit, duhet të merren masa që përveç pensionit 540 mijë pensionistët në vend të marrin një shpërblim, sado modest të jetë. Vitin e kaluar pensionistët shqiptarë morën një shumë prej 5 mijë lekë të reja shpërblim nga qeveria, ndërsa për këtë vit ende nuk është përcaktuar shuma që do të derdhet për çdo person. Megjithatë, gjatë mbledhjes së djeshme ministri i Financave dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë thënë se do të vlerësojnë situatën financiare në arkën e shtetit dhe do të marrin një vendim në lidhje me kërkesën e kryeministrit. Ekspertët e Ministrisë së Financave duhet të llogaritin faturën financiare për shpërblimin që parashikohet t’u jepet 540 mijë pensionistëve, shumë e cila do të përballohet nga buxheti i shtetit. Gjithashtu ekspertët duhet të përcaktojnë afatet kur do të nisë ndarja e këtij fondit. Kërkesa e kreut të qeverisë pritet të zbatohet nga institucioni përgjegjës për financat shqiptare. Pak ditë më parë burime nga Ministria e Financave bënë me dije se, pavarësisht situatës së vështirë financiare në botë, do të punohet për të arritur në shpërblimin e pensionistëve apo dhe përfituesve të tjerë, si skema e ndihmës ekonomike apo invalidët. Pas përpilimit të projektvendimit, mësohet se do të kalojë për votim brenda një jave në Këshillin e Ministrave. Në qoftë se propozimi në fjalë do të gjejë mbështetjen, do të kalojë për zbatim nga ISSH-ja. Ndërkohë, ashtu si dhe vitet e shkuara, ISSH-ja pritet të realizojë skemën sipas grafikëve të orientuar nga datat e tërheqjes së pensioneve. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se deri tani shpërblimi për festat e fundvitit është vetëm një propozim, i cili do të kërkojë miratimin në qeveri dhe më pas kalimin për zbatim konkret. Evidencat e përcaktuara nga specialistët e ISSH-së tregojnë se një vit më parë kanë përfituar shpërblim edhe personat me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, si ushtarakë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror. E vlerësuar si “kartolina e Vitit të Ri” nga ana e qeverisë për pensionistët, edhe këtë vit pritet që ekzekutivi të miratojë një shumë parash në formë shpërblimi. Ende nuk është vendosur shuma ekzakte që do t’u jepet pensionistëve shqiptarë. Megjithatë, mendohet se paratë që do të vihen në dispozicion do të jenë të mjaftueshme për të kaluar sa më mirë festat e fundvitit.

Kriza ekonomike

Në mbledhjen me ministrin e Financave dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore kryeministri Berisha ka kërkuar që të mundësohet dhënia e shpërblimit për festat e fundvitit për pensionistët dhe për punonjësit e administratës shtetërore. Kreu i qeverisë theksoi se, pavarësisht nga ndikimet që kriza globale ka pasur në financat shqiptare, të merren masat e nevojshme. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e njohën shefin e ekzekutivit me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti. Faktikisht kryeministri Berisha herë pas herë ka pohuar se kriza globale nuk arriti të gjunjëzojë ekonominë shqiptare, por ka lënë shenja në të. Megjithatë, është vlerësuar se ekonomia shqiptare ka qenë ndër të vetmet në botë që ka njohur një rritje.

Shpërblim administratës

Paralelisht me pensionistët edhe punonjësit e administratës shtetërore pritet të përfitojnë shpërblimin në fund të vitit. Nëpunësit e administratës shtetërore do të përfitojnë shpërblim në fund të vitit. Ashtu si edhe vitin e kaluar, qeveria ka parashikuar që të jepet një pagesë prej 10 mijë lekë të reja për të gjithë punonjësit e administratës në nivel qendror dhe lokal. Përjashtim bëjnë ata punonjës për të cilët titullari vendos të japë një shpërblim më të lartë për rezultate të mira në punë ose ndonjë arsye tjetër. Efektet financiare për të përballuar këto shpenzime do të merren nga fondi që çdo institucion ka marrë që në fillim të vitit.

Shpërblimet specifike

Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, sipas vendimit, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil. “Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kriteret e shpërblimit me mbi një pagë përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm”, - nënvizon vendimi. Shpërblimi për rezultate të mira në punë të përballohet nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve.

Zbukurimi i Tiranës

Bogdani: Bashkia ka edhe 2.4 miliardë lekë në buxhet

Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkisë së Tiranës, sipas së cilës faji për mungesën e zbukurimeve të Tiranës për festa është i qeverisë, pasi ka bllokuar buxhetin e saj. Por për ligjvënësit demokratë qëndrimi i përfaqësuesve të Bashkisë për buxhetin është tërësisht një mashtrim, pasi fondet për vitin 2009 kanë qenë rreth 5.2 miliardë lekë. “Ky qëndrim, që do ta cilësonim skizoid, i kryetarit të Bashkisë nuk ka asnjë lidhje me mungesën e fondeve, sepse nga buxheti vjetor për vitin 2009 prej 5.2 miliardë lekësh deri më datën 30 nëntor Bashkia e Tiranës ka realizuar vetëm 2.8 miliardë lekë apo 55% (nga këto 45% investimet, 80% pagat, 70% korrentet deri në 30 nëntor (sipas Drejtorisë së Buxhetit) të buxhetit dhe janë të parealizuara 45% të tjera apo 2.4 miliardë lekë”, - tha Bogdani. “Edvin Kristaq Rama, për të cilin vlerat e familjes nuk ekzistojnë, nuk mund të këtë ndjenja për fëmijët e qytetarëve të Tiranës, ndaj dhe në vend që të zbukurojë qytetin, gënjen duke thënë se nuk e zbukuron dot për mungesë fondesh”, - deklaroi deputeti demokrat Gerti Bogdani. Megjithatë, ai u shpreh se i vjen mirë që Bashkia e Tiranës të paktën ka filluar të përdorë zbukurimet e vjetra dhe ka filluar të vendosë pemën e vjetruar të Vitit të Ri pas deklaratës së Forumit Rinor të PD-së për zbukurimin e qytetit me rastin e festave.

Shitja e truallit tek “Tajvani”

Olldashi: Bashkia përdor standarde të dyfishta

Ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka akuzuar përsëri kryetarin e Bashkisë së Tiranës për përdorim të standardeve të dyfishta në shitjen e trojeve. Për ministrin kryebashkiaku ka favorizuar pronarin e kompleksit “Tajvan”, që ndodhet në parkun “Rinia”, duke i shitur truallin me një shumë prej 97 euro për metër katror, ndërkohë që në po të njëjtën zonë një metër katror shitet me 1500 euro. “Në tetor të vitit 2004 Bashkia e Tiranës truallin përballë hotel ‘Dajtit’ e vlerëson me 1500 euro për metër katror, në maj 2005, katër muaj më pas, çmimi matanë rrugës, në lulishten e ‘Tajvanit’, e vlerëson me 97 euro për metër katror. Atëherë, çdokush ka të drejtën të shtroj pyetjen: cili është argumenti që shpjegon diferencën e tmerrshme nga 1500 euro në 97 euro për metër katror troje publike, që janë ekzaktësisht në të njëjtën zonë përballë njëri-tjetrit?” - ka deklaruar Olldashi. Sipas tij, i vetmi shkak që Bashkia e Tiranës i shet truallin me një çmim shumë të lirë biznesmenit Besnik Sula është se ai (Sula) gjendet në rrethin e interesave të kryebashkiakut Edi Rama. Olldashi tha se çmimi prej 97 euro për metër katror është vetëm një favor krejt klientelist që kryetari i Bashkisë i ka bërë ortakut të tij politik apo financiar. “Janë brenda të njëjtit kuadër ligjor, të bazuar në të njëjtat ligje, të bazuara në të njëjtat rregullore që funksiononin si dhe të bazuara në të njëjtat rregulla të përcaktimit të çmimit të truallit publik dhe kemi njërën me 97 euro dhe tjetrën me 1500 euro. Pse? Sepse të parën do ta blinte Besnik Sula dhe të dytën nuk dihej kush do ta blinte. Pra, për blerësin anonim aplikohet çmimi 1500 euro, që është çmim i përafërt me vlerën e tregut. Në qoftë se i referohemi çmimit prej 1500 euro si çmim real i truallit në qendër të Tiranës, çmimi që është aplikuar për zotin Sula është vetëm 6.4% e çmimit real”, - tha Olldashi. Duke marrë në konsideratë këto çmime, ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit tha se Bashkia e Tiranës ka përdorur standarde të dyfishta në shitjen e trojeve publike: ndaj atyre që janë klient dhe ndaj atyre që nuk janë klient të saj. Duke iu përgjigjur reagimit të disa ditëve më parë të përfaqësuesve të Bashkisë, Olldashi tha se të gjithë e dinë se çmimi i truallit në qendër të Tiranës ka një diferencë shumë të madhe nga ai që është servirur nga Bashkia e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›