E Diel, 1 Nëntor 2026

“Situata politike po rrezikon integrimin në BE”

16/12/2009  Ambasadorët Bosch dhe Den Dool të shqetësuar

Kryetari i OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosch, në apelin e tij për të disatën herë ndaj kreut të PD-së dhe atij të PS-së ka përdorur leksionet fillestare që një mësues përdor për kursantët e vet kur u mëson atyre hapat bazë të vallëzimit. Ai u ka kërkuar palëve të bisedojnë me njëri-tjetrin përmes një gjuhe të bute, duke u kujtuar se ka ardhur koha që palët të hedhin nga një hap përpara drejt njëra-tjetrës. “Duhen dy vetë për të vallëzuar dhe tre hapa bazë, që duhet të varen në muret e çdo zyre, të qeverisë dhe të opozitës, si moto për kaq sa ka mbetur nga ky vit dhe për vitin e ardhshëm. Hapi i parë: duhet të komunikosh sistematikisht me partnerin apo partneren, përndryshe rrezikon ti shkelësh këmbën, prandaj është koha për më shumë dialog. Hapi i dytë: duhet tia vësh veshin me dashamirësi e ta ndihmosh tjetrin në pikat e dobëta, prandaj është koha për kompromis. Hapi i tretë: çifti i vallëzimit nuk zgjat shumë, në qoftë se as nuk flet me partnerin, prandaj ka ardhur koha jo vetëm për të përdorur një gjuhë më të butë, por edhe për të folur me njëri-tjetrin me një ton normal”, - shpjegoi Bosch. Por ndërkohë ai e vlerësoi shumë të rëndësishme ecjen e Shqipërisë përpara dhe mosndikimin e këtyre konflikteve politike në funksionimin e shtetit të së drejtës. “Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ruajë pavarësinë e institucioneve, që qeveria të mos ushtrojë presion mbi institucionet e pavarura dhe ligji të bëjë punën e vet, gjatë gjithë kohës, pa pengesa. Kjo është shumë e rëndësishme për të ecur përpara”, - theksoi ambasadori i OSBE-së.

Ndërsa ambasadori holandez, Van den Dool, u shpreh se situata aktuale në Shqipëri është shumë problematike. “Një demokraci që sfunksionon nuk është një biletë për në BE. Madje, BE-ja do të përgatisë një avis, nëse Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit dhe unë do tju thosha se kjo avis nuk do të jetë pozitive, nëse situata politike vazhdon të jetë në të njëjtat kushte. Ne presim që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë ngërç, por me sa po shohim koha po mbaron. Të dy kundërshtarët kryesorë duhet të ulen në tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt se ne nuk kemi për të bërë asnjë lloj sugjerimi”, - tha ai.

Kreu i OSBE-së dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, nënshkruan një marrëveshje për fillimin e një projekti kundër korrupsionit. Projekti synon të forcojë rolin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit në strukturat dhe sistemet e qeverisjes vendore. Ai bashkëfinancohet nga Delegacioni i BE-së dhe Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Projekti, që promovon parimet e mirëqeverisjes, do të zbatohet në Kamëz, Shijak, Laç, Përmet dhe Çorovodë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›