Pentagoni: Armët e Shqipërisë të mos shiten në treg të zi
Zyrtari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Daniel Fejta, i bën thirrje qeverisë shqiptare të spastrojë municionet e tepërta
Një zyrtar i lartë i Pentagonit thotë se qeveria shqiptare duhet të spastrojë municionet e tepërta, në mënyrë që ato të mos iu shiten palëve të treta ose në treg të zi. Daniel Fejta, zv/ndihmës sekretar i Mbrojtjes për Evropën dhe politikat e NATO-s, tha gjithashtu se pas marrjes së ftesës për anëtarësim në Aleancë, Shqipëria duhet të ketë kujdes të mos bëjë hapa prapa. Zoti Fejta bëri të ditur se në takimin e kësaj jave të aleancës, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të ketë diskutime veçanërisht për Kosovën.
Zoti Fejta,cilat janë marrëdhëniet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe çfarë ndihme po jep Amerika në këtë drejtim?
Mendoj se bashkëpunimi mes ushtrive amerikane dhe shqiptare ka qenë shumë i fortë gjatë dekadës së fundit. Nga të dyja anët e Atlantikut, ka pasur një vullnet shumë të mirë nga udhëheqësit që këto marrëdhënie të ecin përpara. Para së gjithash, Shqipëria ka dashur të ketë marrëdhënie të ngushta me ne dhe ka ndërmarrë shumë reforma në fushën e mbrojtjes. Mendoj se kjo e bëri Shqipërinënjë kandidate të fortë për anëtarësimin në NATO dhe ne jemi të kënaqur që Shqipëria mori ftesën në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht. Shqipëria është një vend që jep kontribut për sigurinë e NATO-s. Po merr pjesë në shumë operacione të aleancës dhe po bën një punë të shkëlqyer. Unë kam pasur rastin që të shoh trupat shqiptare kur kam qenë në Afganistan dhe prania e trupave atje ka marrë vlerësimet më të larta nga të gjithë oficerët e lartë të NATO-s, jo vetëm amerikanë, por edhe nga vendet e tjera. Dhe kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin ndërmarrë përpjekjet e duhura për reforma. Mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara mund të krenohen që ndihmuan ushtrinë shqiptare të forcohej.
A është angazhuar Pentagoni në asgjësimin e municioneve të tepërta, një problem që siç doli në pah nga shpërthimi i marsit në Gërdec, mbetet shumë i mprehtë?
Mesa di unë, ushtria amerikane nuk ka asnjë rol të drejtpërdrejtë në spastrimin e depove të municioneve që janë në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihmë financiare për të ndihmuar Shqipërinë në spastrimin e tyre. Asgjësimi i këtyre municioneve në gjithë botën është një përparësi e qeverisë amerikane, pasi ato rrezikojnë fëmijët, popullsinë. Por nuk ka pasur rol të drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane në ndihmë të pastrimit të këtyre depove.
Po ndihmë me ekspertë?
Mesa di unë, ka pasur kontraktorë vitet e fundit që kanë ndihmuar për të siguruar ekspertizë për të shpjeguar sesi duhen asgjësuar. Por mesa di unë, të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë për të shkatërruar këto depo për çmontim janë bërë vetëm nga shqiptarët.Mendoj se bëhet fjalë për disa milionë dollarë, jo ndonjë shifër e lartë, por gjatë gjithë kohës ne na ishte bërë e qartë se autoritetet shqiptare e kishin prioritet një gjë të tillë dhe se qeveria shqiptare kishte vënë në dispozicion burimet për të pastruar depot.
Është shumë e rëndësishme që këto depo të pastrohen, në mënyrë që të mos ketë vjedhje, ose shitje të këtyre armëve ndaj palëve të treta, ose në tregun e zi. Janë armë shumë të rrezikshme që kanë mbetur, siç e pamë në incidentin e para disa muajve. Kështu, që duhet të vazhdojë të jetë një përparësi për qeverinë shqiptare shkatërrimi i tyre.
Cili është statusi i protokollit të përbashkët NATO-Shqipëri dhe cili është ritmi i ratifikimit nga vendet e NATO-s pas ftesës për anëtarësim?
Më 9 korrik, Shqipëria dhe Kroacia do të shkojnë në Bruksel dhe do të nënshkruajnë të ashtuquajturin Protokollin e Anëtarësimit, që shënon fillimin e procesit kur 26 aleatët shkojnë tek qeveritë e tyre dhe e hedhin për miratim ose në parlament ose marrin një vendim kombëtar për të amenduar Traktatin e Uashingtonit të vitit 1949 që lejon anëtarësimin e vendeve të reja. Ky proces fillon pas 9 korrikut. Historia ka treguar se duhen rreth 18 muaj që të gjithë aleatët ta realizojnë ratifikimin. E di që disa mendojnë se mund të bëhet deri në takimin e nivelit të lartë të 60- vjetorit në prill të vitit 2009. Një gjë e tillë mund të jetë e vështirë të realizohet sepse bëhet fjalë për një numër të madh qeverish, megjithatë nuk duhet ta përjashtojmë që ky të jetë një objektiv që duhet të përpiqemi ta arrijmë.