Prokurori i rryshfetit, i lirë në gjykatë
Mbyllen hetimet për prokurorin Musa Mulkurti dhe avokatin Pjetër Ndreca. Akuzohen se morën 2 mijë euro rryshfet
Prokuroria: Kërkuam arrestimin e prokurorit të Kavajës, Musa Mulkurti por gjykata na “sabotoi”
TIRANË- Prokurori i Kavajës, Musa Mulkurti, do të përballet me gjykatën në gjendje të lirë. Megjithëse Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar “arrest me burg” për të, me pretendimin se do t’i shmangej hetimit, trupi gjykues ka vendosur që Mulkurti të hetohet dhe gjykohet në liri. Gjatë ditës së djeshme, organi i akuzës ka dorëzuar dosjen në gjykatë për prokurorin dhe avokatin Pjeter Ndreca, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohen se kanë përfituar shuma të ndryshme parash në dëm të të arrestuarit Sel Muça, i akuzuar për “prodhim, mbajtje dhe tregtim droge”. “Gjykata e Shkallës së Parë po saboton punën e prokurorisë në rastet e akuzave të korrupsionit ndaj ish-zyrtarëve apo funksionarëve publikë, duke i lënë ata në gjendje të lirë”,-kanë reaguar prokurorët, të cilëve iu duhet të provojnë në sallën e gjyqit korrupsionin e kolegut të tyre të Kavajës.
***
“Prokuroria e Tiranës, një muaj pas fillimit të hetimit ndaj ish-prokurorit Musa Mulkurti, konkretisht më datë 7 mars të këtij viti, ka kërkuar që ndaj ish-prokurorit të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg”, duke dorëzuar një sërë provash dhe dyshimesh që ai mund t’i shmanget hetimit apo edhe mund të ndikojë në ecurinë e çështjes. Gjykata e Shkallës së Parë, me vendimin numër 311 ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prokurorisë, duke vendosur “detyrim për paraqitjeje” dhe jo “arrest me burg” për Mulkurtin”,-thonë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ky debat mediatik mes këtyre institucioneve nuk është ndër të parët, pasi prej kohësh prokuroria lëshon “akuza” ndaj gjykatës se po jep vendime në minimumet e parashikuara nga ligji, sidomos në rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Nga ana tjetër,prokurorët e Task-Forcës, pas pesë muajsh hetim kanë arritur të provojnë se prokurori Musa Mulkurti ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” me ndihmën e “ndërmjetësuesit”, avokatit Pjetër Ndreca.
***
Sipas kërkesës për gjykim, provat kryesore që prokuroria ka siguruar ndaj të pandehurve janë dëshmitë e babait të të arrestuarit Sel Muça, Zagol Muça, i cili me ndihmën e emisionit ‘Fiks-Fare” ka mundur të regjistrojë me zë dhe të filmojë prokurorin Mulkurti, i cili pranon se ka marrë 2 mijë euro kundrejt një mase më të butë dënimi, që do të kërkonte në leximin e konkluzioneve përfundimtare. Sipas kërkesës për gjykim, në pamjet e regjistruara duket qartë prokurori Mulkurti, i cili pranon se i ka marrë 2 mijë euro shtetasit Zagoll Muça për një masë më të ulët dënimi për djalin e tij, Selën. Në këtë aferë korruptive, sipas prokurorisë, ndërmjetësues ka qenë avokati Pjetër Ndreca, i cili është i pandehur në të njëjtin procedim penal me nr. 663. Ndërkohë, vetë ish-prokurori para hetuesve të dosjes nuk ka pranuar për asnjë rast akuzën, duke mohuar se ka kërkuar lekë nga shtetasi Zagoll Muça. “Nuk i kam kërkuar asnjë kacidhe Zagoll Muçës dhe as djalit të tij që është dënuar tashmë. Ky shtetas më ka provokuar mua dhe unë i jam drejtuar prokurorisë me një kallëzim kundër tij”.