Pentagoni në regjim kursimi, mbyllen baza dhe komanda ushtarake

Pentagon, 10 Gusht 2010 - Sekretari amerikan i
Mbrojtjes, Robert Gejts, ka bërë publike shkurtimet masive në fonde e njerëz
brenda dikasterit që drejton.
Masat e fundit janë një përpjekje për të baraspeshuar dy luftërat e shtrenjta,
në të cilat janë të përfshira SHBA-të, dhe deficitin e thellë buxhetor, me të
cilin përballet vendi.
Masat e publikuara nga Gejts janë hapi i parë drejt përmbushjes së premtimit
për kursime deri në 100 miliardë dollarë brenda ushtrisë.
Gejts shtoi se fondet janë të nevojshme në sektorë të tjerë të po këtij
institucioni, veçanërisht në përmirësimin e gjendjes në mesin e forcave të
armatosura, si dhe për përgatitjen e trupave për operacionet e ardhshme
ushtarake.
Në maj kërkova nga Pentagoni të shihte thellë e me imtësi mënyrën e organizimit,
të veprimit dhe ekipin e Departamentit, citohet z.Gejts nga radio Evropa e Lirë.
Erdha në përfundimin se qendrat tona dhe burokracitë mbështetëse të tyre - si
ato civile, edhe ushtarake janë tej mase të fryra, veprojnë për shumë gjëra
bazuar te kontraktorët dhe nuk i marrin vendimet duke pasur parasysh dhe koston
e veprimeve.
Kjo është manifestuar gjatë dekadës së fundit në rritjen e skajshme të stafit
dhe shpenzimeve, tha Gejts.
Ai shtoi se shkurtimet janë vetëm hapi i parë për të mënjanuar shumë nga
mosefikasiteti aktual.
Buxheti vjetor amerikan i mbrojtjes është rreth 700 miliardë dollarë, çfarë
përfshin shpenzimet për luftërat në Irak dhe në Afganistan.
Shkurtimet parashohin mbylljen e disa prej komandave qendrore ushtarake dhe
lënë të hapur mundësinë e mbylljes së bazave ushtarake. Shkurtimi i punëve të
kryera nga kontraktorët, por dhe i një numri gjeneralësh e admiralësh, janë
pjesë e planit të Gejtsit.
Si rezultat i luftërave, ky departament ka
marrë misione dhe përgjegjësi të reja, të cilat kanë kërkuar hapjen e posteve
të reja ushtarake e civile.
Por përveç përmbushjes së nevojave për të dyja luftërat, kemi ardhur në një
situatë ku personeli i shkallës së lartë ka bërë gjithmonë e më shumë detyra,
që mund të bëhen nga pjesëtarë të ekipit të një niveli më të ulët, tha
shefi i Pentagonit.
Natyrisht, ajo që ra më shumë në sy ishin shkurtimet e mëdha në Komandën e
Bashkuar, që është vendosur në Norfolk të Virxhinias, 330 km larg nga
Uashingtoni.
Kjo qendër komanduese ka të punësuar 2800 veta, personel ushtarak e civil, si
dhe punon me mbi 3000 kontraktorë. Kostoja vjetore e kësaj komande është 250
milionë dollarë.
Departamenti i Mbrojtjes tha se një mori përgjegjësish, në veçanti ato që kanë
të bëjnë me bashkërendimin e punës në pjesë të ndryshme të forcave të armatosura,
do tiu kalohen strukturave të tjera të këtij departamenti.
Gejts e ka marrë postin e sekretarit të mbrojtjes në kohën e presidentit Bush.
Ai ka vazhduar në këtë detyrë edhe pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të
presidentit Obama. Në Kongres, Gejts ka mbështetjen e të dyja partive.
Por, vendimi i tij më i fundit për shkurtime nuk do të jetë pa pasoja.
Amerikanët do ti ndjejnë këto shkurtime në xhepat e tyre. Gejts është i
ndërgjegjshëm për një fakt të tillë.
Kam autorizuar çdo departament të vlerësojë dhe të gjejë kohën e përshtatshme
për mbylljen e çfarëdo baze apo qendre në një kohë të përshtatshme. Kjo është
dhe një çështje e ndjeshme politike, kur dihet se Kongresi ka vendosur kufizime
ligjore ndaj Departamentit të Mbrojtjes lidhur me mbylljen e qendrave.
Por, e vështira nuk është e pamundur. Shpresoj që Kongresi do të punojë së
bashku me ne, për ti zvogëluar kostot e panevojshme, tha Gejts.
Reagimet nga Kongresi kanë qenë të ndryshme. Kongresistët, zonat zgjedhore të
të cilëve preken nga shkurtimet, thanë se Gejts nuk do ta ketë të lehtë të
marrë miratimin në Kongres.
Përfaqësuesi republikan, Hauard MekKeon, tha se Gejts duhet ti bindë anëtarët
e Komitetit Ushtarak në Kongres se masat e propozuara nuk dobësojnë forcat e
armatosura.
Edhe senatori demokrat, Mark Uorner, kundërshtoi disa nga masat e Gejtsit.
Megjithatë, ky i fundit mori mbështetje politike nga presidenti Obama. Kreu i
Shtëpisë së Bardhë çmoi përpjekjet e shefit të mbrojtjes për të reformuar
mënyrën e punës së Pentagonit.