Pentagoni u mbyll gojën ushtarakëve
Kundër gjeneralëve që flasin shumë dhe për të shmangur përsëritjen e rasteve të sikletshme, si ajo ku ishte protagonist gjenerali Stanley McChrystal, i intervistuar nga revista “Rolling Stones”, Pentagoni ka nxjerrë një rregullore të re të paprecedentë në historinë e vendit që do të cenojë autonominë e ushtarakëve në administrimin e raporteve me median nëpër sheshet e luftës. “E kam thënë disa herë, që duhet të jemi të hapur dhe transparentë sa më shumë të jetë e mundur, por në të njëjtën kohë jam i shqetësuar që departamenti është bërë shumë tolerant në raportet me median, shpesh në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e vendosura”, ka deklaruar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, sipas asaj që raporton “New York Times”. Rregulloret e reja të numrit 1 të Pentagonit i detyrojnë të gjithë zyrtarët e lartë të lajmërojnë zyrën e asistencës për çështjet publike të sekretarit të Mbrojtjes para çdo interviste apo çdo lloj tjetër kontakti publik apo me mediat që mund të ketë implikime në nivel kombëtar apo ndërkombëtar”. Këto shtrëngime i kanë dhënë kabinetit politik të sekretarit të Mbrojtjes, kompetencat e informimit t publik që deri më tani i ishin dorëzuar zëdhënësit dhe zyrave të shtypit ushtarak, vareshin direkt nga komandantët. Në praktikë, administrata “Obama” u heq ushtarakëve mundësinë të flasin me shtypin nëse nuk marrin autorizimin e kreut të Pentagonit. Por nëse përmbajtja e rregullores së re nuk do t’u pëlqejë aspak krerëve ushtarakë, kjo përpjekje rrezikon të jetë edhe ofensive kur u kujton zyrtarëve se “shpërndarja e informacioneve të rezervuara është e kundërligjshme dhe kjo nuk mund të tolerohet”. Sipas “New York Times”, që kujton të kaluarën e Gates si drejtor i CIA-s, nga memorandumi del hapur shqetësimi se mos zyrtarët e intervistuar shprehin vizionin e tyre lidhur me aspektin ushtarak, por që nuk merr parasysh perspektivën e gjerë të interesave kombëtare. Me shtrëngimin e rripit përpiqet të shmanget edhe “arratisja” e lajmeve të ndodhura në të kaluarën nga mosmarrëveshjet e brendshme, sidomos mbi strategjisë për luftën në Afganistan. është e qartë se deklaratat e McChrystal kanë nxjerrë në dritë mosmarrëveshjet dhe grindjet mes ushtarakëve, politikanëve dhe diplomatët e vënë theksin te vështirësitë për të administruar situatën në Afganistan. Këto aspekte e vënë në siklet administratën aktuale në Uashington, që nuk ka shkëlqyer kurrë për transparencën në raportet me median. E që pas kësaj do ta kenë të vështirë marrjen e intervistave dhe informacioneve nga ushtarët në Afganistan. Tentativa e politikës për t’u mbyllur gojën ushtarakëve në frontin e luftës, të bën të reflektosh paska me atë që ndodhi në botën anglosaksone. Mjafton të mendosh se për herë të parë, në muajin shkurt, qeveria laburiste britanike ndaloi dërgimin e reporterëve në Afganistan gjatë kohës së fushatës elektorale. Një përpjekje e pastër kjo për të hequr nga faqet e para një temë të rëndësishme si ajo e luftës afgane, në momentin kur shumë zyrtarë të Forcave të Armatosura kritikonin veprimet e qeverisë së Gordon Brown.
#