Rrëshen-Kalimash, variantet e mirëmbajtjes
Ministria e Punëve Publike po punon për të pasur një faturë të saktë të kostos së mirëmbajtjes për rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila ka kushtuar sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Deri tani nuk ka një të dhënë të saktë, por rezultati final do të mësohet vitin tjetër. Sakaq po studiohen variantet për mirëmbajtjen e rrugës, tjetër problem ky për qeverinë shqiptare. Duke folur për “Shqip”, zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka, tha se po shihen tri variante që bëjnë të mundur mirëmbajtjen e autostradës 60 kilometra të gjatë.
Sipas Nokës, autostrada Rrëshen-Kalimash është një rrugë e projektuar dhe e ndërtuar sipas standardeve të shekullit XXI, me elementë infrastrukturorë të veçantë dhe specialë, të cilët kanë nevojë për mirëmbajtje të kujdesshme për të garantuar cilësinë dhe sigurinë maksimale. “Për këtë arsye dhe për vetë faktin që mirëmbajtja ka lënë për të dëshiruar në të kaluarën, MPPT po studion për të implementuar mënyra të ndryshme mirëmbajtjeje, në bashkëpunim me donatorë të huaj, kryesisht të Bankës Botërore, duke filluar që nga mirëmbajtja me volume të fiksuar, periodike dhe rutine, si dhe mirëmbajtja me performancë, që do të thotë se, kontraktorit i kërkohet të mbajë një nivel të caktuar cilësie dhe sigurie, pavarësisht se si do të jenë volumet gjatë periudhës së mirëmbajtjes dhe po shikojmë edhe mundësinë e aplikimit me një nga format e Partneritetit Publik Privat, që ka dhënë efekte të mira në Perëndim dhe që mund të jetë ndoshta një zgjidhje e favorshme edhe për vendin tonë”, sqaroi zv/ministri. Të tri format, sipas Nokës, janë të mundshme për t’u aplikuar edhe për autostradën Rrëshen–Kalimash. “Gjatë këtij viti, ne do të nxjerrim konkluzionet e duhura dhe në vitin e ardhshëm do të aplikojmë formën që do të rezultojë si më e përshtatshmja”, u shpreh numri dy i ministrisë që mbulon sektorin e rrugëve. Duke folur për tunelin dhe ceremoninë e inaugurimit, zv/ministri konfirmoi edhe një herë shtyrjen e përfundimit total të punimeve. “Tubi i dytë i tunelit është parashikuar të hapet nga fundi i tetorit të këtij viti”, theksoi Noka. Ai sqaron edhe incidentin e ndodhur me tunelin që u hap dy muaj më parë, duke thënë se, “meqenëse ndodhi fenomeni i shkëputjes së një masivi të dheut, pothuaj në mesin e tubit të tunelit të sapohapur, kjo shkëputje ka ndikuar dhe ndikon në tubin e tunelit verior. Për të garantuar edhe këtë tunel në masën 100 për qind të sigurisë për përdoruesit e rrugës, do të bëhet përforcimi i pjesës qendrore të tij, me të njëjtin përforcim si edhe sivëllai i tij jugor”.
Firmat e ndërtimitZv/ministri i Punëve Publike dhe Transportit nuk është në dijeni me problemet që kanë disa akse rrugore, si pasojë e protestave të punonjësve për pagat dhe për radhët e gjata në degët e Thesarit për detyrimet e pashlyera ndaj subjekteve private në këtë sektor. Të dyja këto probleme pengojnë sektorin të zhvillohet normalisht dhe ndikojnë në ecurinë normale të avancimit të projekteve. Por për ministrinë, këto çështje nuk janë kompetencë e saj për t’i zgjidhur. “Nuk kam dijeni për radhë të gjata të firmave të ndërtimit në degët e Thesarit. Lidhur me firmat që pretendojnë se nuk i kanë marrë paratë për punën e kryer, ajo që mund të them është se mund të ketë firma të tilla, pasi siç dihet, plani i buxhetit bëhet i ndarë sipas viteve, ndërsa prokurimi mund të bëhet me vlerë të plotë, por i ndarë në vite. Për këtë arsye, ka një diskordancë midis realizimit faktik që bën firma, duke e ditur që do të financohet në vitet në vazhdim, i kryen punimet para afatit me fondet e veta dhe pastaj pretendon se nuk është paguar në kohën e duhur”, thotë Noka. Ai sqaron me detaje të tjera arsye që i kanë çuar firmat në situatën ku janë sot. “Firmat e ndërtimit punojnë me ritme të shpejta, për të treguar kapacitetet dhe performancën e tyre, si dhe realisht është në interesin e tyre të mos rrinë në pritje në vitin në vazhdim deri sa të miratohet dhe të dalë buxheti i vitit përkatës, por t’i mbyllin punimet e ndërtimit sa më shpejt, për të kursyer në punëtori dhe makineri, gjithashtu për të kursyer koston e mirëmbajtjes, që do të ishte e detyruar të bënte nëse do të kishte ndërprerje të punimeve të ndërtimit”. Sa i takon problemit të pagave, zv/ministri deklaron se, nuk është në dijeni të këtij fenomeni. “Por edhe nëse ekziston, kjo është një çështje e brendshme e organizimit dhe politikës që ushtron çdo kompani”, vijon më tej Noka.
BuxhetiSikurse është bërë e ditur nga Ministria e Financave, nga rishikimi i buxhetit duke synuar reduktimin e tij, pjesa e investimeve do të jetë më e prekura, në masën rreth 23 miliardë lekë. Në këtë zë të shkurtimeve, rrugët do të jenë më të sakrifikuara, por zv/ministri Noka nuk e pranon një gjë të tillë, madje shton se do të ketë rritje të fondeve. Lidhur me problemin tjetër të nënkontraktimeve, pra të projekteve që fitohen nga njëra firmë e që më pas u kalohet të tjerave, duar pas duarsh, shefi i sektorit të rrugëve në ministri sqaron përmbajtjen e ligjit që flet për këtë fenomen, por nga ana tjetër deklaron se kanë rënë rastet e nënkontraktimeve. “Ligji është i shprehur qartë për kushtet e nënkontraktimit dhe të sasisë, apo vlerës së nënkontraktuar. Po kështu, ka një vendim të qeverisë për të mos lejuar dhënien e një kontrate të re atyre kontraktorëve që s’kanë plotësuar punimet e ndërtimit në masën prej 70 përqindësh në kontratën ekzistuese. MPPT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në punën e tyre janë udhëhequr nga këto akte ligjore, dhe zyrtarisht, me aq sa kam unë informacion, fenomeni i dhënies me nënkontraktim nga kompania fituese tek disa nënkontraktore, ka ardhur gjithnjë në kufizim dhe aktualisht është eliminuar”.
#