Peqin, polici vritet në krye të detyrës, autori vret veten pas krimit
Ka përfunduar me dy të vdekur tentativa për të vjedhur një transformator gjatë orëve të vona të natës së mbrëmshme. Ngjarja ndodhi në Pajovë, Peqin, ku pas sinjalizmit nga banorët se një person po vidhte në një kabinë elektrike, në vendngjarje ka shkuar polici i patrullës Zabit Cako.
Polici 50-vjeçar është qëlluar nga Luan Tabaku, 40 vjeç, i cili po përpiqej të vidhte transformatorin në kabinën elektrike. Pas vrasjes së efektivit të policisë, autori i krimit ka qëlluar vetveten, duke mbetur i vdekur në vend. Mësohet se polici 50-vjeçar, njëkohësisht baba i 5 fëmijëve, është nisur menjëherë drejt spitalit, por ka humbur jetën gjatë rrugës.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
* * *

Zabit Caka, polici i vrarë në krye të detyrës
Korrespondentja e Shekullit konfirmon se në nder të policit të vrarë do të zhvillohen homazhe në Pallatin e Kulturës në Peqin. Në ceremoninë mortore që do të nisë në orën 15:00 pritet pjesëmarrja e drejtuesve të lartë të policisë së shtetit. Mendohet se trupi i pajetë i policit 50-vjeçar të rënë në krye të detyrës do të varroset në varrezat e dëshmorëve në Elbasan, aty ku prehet një tjetër efektiv policie, Florenc Balla, i vrarë në 4 qershor të vitit 2003, gjatë një aksioni të uniformave blu. / B. Nergjoni