“Për 2 javë nis puna për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit”, Rama banorëve të Thethit: Keni në dorë ta shndërroni zonën në një ‘Zvicër të vogël’

Kryeministri i vendit, Edi Rama zhvilloi këtë të martë një bashkëbisedim me banorët dhe sipërmarrësit në Theth, ku në fokus ishte prezantimi i Paketës së Maleve dhe sqarimi i qëllimit të saj.
Gjatë fjalës së tij, Rama u bëri thirrje banorëve të investojnë dhe ta shndërrojnë Thethin në një “Zvicër të vogël”. Ai theksoi se banorët kanë mundësi të kalojnë nga turizmi i bukës së gojës, te turizmi i luksit.
“Me këto projekte, me këto ngritje, është të rrisim të ardhurat. Ju keni nisur një turizëm për bukën e gojës, keni rritur një turizëm për mirëqenie familjare, duhet të shkoni për një turizëm për pasuri. Zvicrën e vogël ju e keni këtu vetëm në duart tuaja. Mundësinë që të shkohet në një turizëm luksi, e keni këtu,” tha Rama.
Më tej, kryeministri deklaroi se brenda dy javësh do të nisë puna për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit. Ai pohoi se Shqipëria synon ta çojë Prodhimin e Brendshëm Bruto në 35 miliardë dollarë.
Rama kritikoi gjithashtu zërat që kundërshtojnë investimet e huaja, duke i cilësuar si qëndrime të pabazuara dhe në dëm të zhvillimit.
“Për dy javë rruga e Dukagjinit nis me Fondin e Zhvillimit. Në rregull, kuptohet se është dashur kohë që të bëhet projekti. E kemi nisur punën në krye të këtij vendi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të brendshëm, e kemi sjellë në 27 miliardë. Duam ta çojmë në 35 miliardë. Pse duam ta çojmë në 35 miliardë? Sepse na duhen më shumë fonde për të financuar më shumë gjëra. Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet. Njerëzit duhet të investojnë dhe shteti duhet të marrë më shumë të ardhura. Të gjitha shtetet e botës, demokratike ose jo demokratike, bëjnë garë se kush sjell investime të huaja.Në Shqipëri dalin, ç’ti quaj, koka të mëdha? Nuk janë, dalin lloj-lloj sharlatanësh, lloj-lloj delirantësh, lloj-lloj ekstremistësh, sa të majtë aq edhe të djathtë, dhe thonë: ‘Nuk duam investime të huaja. Nuk duam të huaj në Shqipëri, nuk duam të shesim Shqipërinë.’ Kujt po ia shesim Shqipërinë? Kush po e blen Shqipërinë?”, tha Rama.
/rtsh.al/