E Diel, 1 Nëntor 2026

Prej 41 premtimeve, Lushtaku realizon vetëm 7

Prej 41 premtimeve, sa i ka dhënë gjatë fushatës se fundit parazgjedhore Sami Lushtaku, shumica dalin ta parealizuara. Kështu ka konstatuar opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile në Skenderaj, me një hulumtim të përbashkët rreth realizimit, kopje të të cilit i posedon gazeta. Sipas hulumtimit prej 41 projekteve të premtuara, 16 sosh nuk janë realizuar, 18 të tjera janë realizuar pjesërisht, kurse vetëm 7 projekte janë realizuar në tërësi.

Prej projekteve të parealizuara veçohen Projekti i pendës në fshatin Kuçicë, Parkut të biznesit, 2 objekte banimi për kategoritë e dala nga lufta, ambulancat në fshatrat Plluzhinë e Vojnikë, transportimi i nxënësve udhëtarë, palestra sportive në qytet, aneksi i QKMF-së dhe Reparti i stomatologjisë, unaza rrugore në qytet, mospërfundimi i shkollave në Klinë të Epërme e Turiqec, mosndërtimi i shkollës në Makërmal, nxjerrja e komunës nga varfëria, zvogëlimi i papunësisë, kanalizimet e premtuara në shumë fshatra, etj.

Si projekte të realizuara pjesërisht përmenden ndërtimi i objektit të administratës komunale, ndërtimi i një objekti të banimit për kategoritë e dala nga lufta, disa rrugë e kanalizime në fshatra, ujësjellësi në Dashec, mbështetje për gratë, mbledhja e mbeturinave, etj. Ndërkaq, vargu i projekteve të realizuara në tërësi nuk është i gjatë: një urë fshati, rrugë në disa fshatra, kushte biznesi, bursa për nxënës dhe studentë, pullazi i shkollës në Izbicë, lehtësime administrative, kanalizimi në Klinë të Poshtme, etj.

Kadri Zeka, nga “Vetëvendosja”, thotë se përmenden shumë investime kapitale, por nuk shihen të realizuara, e nga ana tjetër, buxheti komunal keqpërdoret me të madhe. Ndërsa Isa Fejzullahu i LDK-së mendon se ka keqpërdorime të tmerrshme nga ana e udhëheqjes komunale dhe se për t`i ndalur ato e vetmja zgjidhje është që urgjentisht të veprojë drejtësia. Ndërkaq monitoruesit e organizatës joqeveritare “Prehja” në vazhdimësi kanë raportuar për shkeljet e vazhdueshme të ligjit nga ana e autoriteteve komunale.

Ndërkaq përfaqësuesit e pushtetit lokal nuk flasin për kritikat. Kryetari Sami Lushtaku, shoqërinë civile e quan “armiqësore dhe të shitur për një grusht para”, kurse nënkryetari Fadil Nura, anëtarët e “Vetëvendosjes” i quan anarkistë, kurse ata të LDK-së inekzistues.

Kurse zëdhënësi i Komunës, Hajriz Koci, i cili ka thënë se janë realizuar më shumë projekte se sa që ishin premtuar dhe për këtë është thirrur në një raport të Drejtorisë Komunale të Ekonomisë e të Financave, sipas të cilit në Komunën e Skenderajt për përudhën 2010-2012, janë realizuar 142 projekte në vlerë të përgjithshme prej afro 10 milionë. “Në vitin 2010 janë realizuar 64 projekte në vlerë prej 3.679.346,29 euro; në vitin 2011, 53 projekte, vlera 3.481.260,13 euro; kurse në vitin 2012, 25 projekte në vlera prej 2.462.782,25 euro”, ka cituar raportin Koci. Këto të dhëna nuk përputhen me raportin e GAP-it, i cili, sipas hartuesve, është i bazuar kryekëput në dokumentacionin e komunës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›