Për 28 Nëntor, Thaçi jashtë Kosovës

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Ditën e Flamurit nuk do ta festoj me kosovarët. Sipas mediave kosovare të cilat citojnë burime nga kryeministria, Thaçi do të udhëtoj për një vizitë dyditore në Norvegji.
Ndërsa ditën e djeshme, kryeministri Thaçi ka vendosur kurora me lule në varrin e Adem Jasharit në Prekaz për nder të ditëlindjes së tij.
Ndërkohë gjatë vizitës në Norvegji, kryeministri Thaçi do të takohet me homologun e tij norvegjez, Jens Stoltenberg, me kryetarin e Parlamentit Dag Terje Andersen, ministrin e Punëve të Jashtme, Jonas Gahr Store, ministrin e Mbrojtjes, Espen Barth Eide.
Thaçi gjithashtu do të zhvillojë një takim të veçantë me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Parlamentit të Norvegjisë.
Në kuadër të vizitës në Norvegji, kryeministri Thaçi dhe kryeministri Stoltenberg do të nënshkruajnë një marrëveshje ndërshtetërore të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë.
Qëllimi i vizitës së kryeministrit në Norvegji është thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror midis Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës, forcimi i mbështetjes për konsolidimin dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe perspektiva e avancimit të procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.