E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot festohet 99-vjetori i Ditës së Pavarësisë

Sot është dita e krenarisë sonë kombëtare pasi shënohet 99-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.Me rastin e kësaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët i gjithë kryeqyteti do të pushtohet nga një varg aktivitetesh.
 

Pas zbukurimit disa ditë më parë të bulevardit kryesor të Tiranës me flamuj kuq e zi, që sollën atmosferën e përvjetorit të 99-të të Ditës Kombëtare të Pavarësisë në kryeqytet, 28-nëntori i këtij viti do ta shndërrojë Tiranën në një arenë festive dhe argëtimi.
 

Një mori aktivitetesh janë programuar nga Bashkia e Tiranës, ku sheshet kryesore të kryqytetit do shndërrohen në qendra argëtimi për të rritur e fëmijë, panaire, këngë, animacione, shfaqje cirku, valle tradicionale e gjithçka tjetër që do të sjellë atmosferë të vërtetë festive këtë fund nëntori.
 

Atmosfera festive do të përfshijë edhe qytetin simbol të pavarësisë, Vlorën. Axhenda e ngjeshur e aktiviteteve kulturore do të kulmojë ditën e flamurit me një sërë aktivitetesh të organizuara nga bashkia e Vlorës. Fillimisht qyteti do të vishet kuqezi nga marshimi me flamuj, ndërsa ceremonitë zyrtare do të vijojnë në sheshin e Flamurit në orën 10:00 ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi.
 

Ndërsa kryeministri Berisha do të zhvillojë homazhe në varrezat e Dëshmorëve dhe tek Memoriali “Nënë Shqipëri”. Ai gjithashtu do të zhvillojë vizita edhe në familjet e Azem Hajdarit dhe Zigur Kames.

Kreu i opozitës Edi Rama këtë vit 28 Nëntorin do ta festojë me bashkatdhetarët në Kosovë. Ai ka prezantuar në Kosovë librin e tij "Kurban" ndërsa sot do të zhvilloj takime me lidërët kosovarë ndërsa në orën 12:00 do të takohet me Isa Mustafën ndërsa ditën e flamurit do ta festoj me shqiptarët e Kosovës.
 

Ndërkohë kryebashkiaku Basha do të zhvillojë homazhe tek busti i Adem Jasharit tek rruga e Durrësit ndërsa më pas do të vizitojë edhe panairin " Blej shqip", tek rruga "Murat Toptani".
 

28 Nëntori do të shënoj shumë aktivitete edhe në Kosovë, Maqedoni dhe në të gjitha trojet shqiptare. Për nder të Ditës së Flamurit shqiptarë të shumtë kanë mësyrë drejt Prishtinës dhe Tiranës për ta festuar këtë datë të rëndësishme në kalendarin e festave të shqiptarëve.

Aleanca Kuq e Zi që prej të shtunës ka marshuar nga Vlora drejt Prishtinës me një flamur gjigand kombëtar. Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina është mbuluar me flamuj të shumtë kombëtarë ndërsa nuk do të mungojnë edhe aktivitete të ndryshme festive.

Në Maqedoni gjithashtu janë parashikuar një sërë aktivitetesh me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit. Gati në të gjitha komunat e banuara me shqiptarë janë organizuar manifestime të ndryshme për të shënuar këtë përvjetor të 99-të. Në Shkup do të organizohet një koncert festiv në sheshin “Skenderbeu” nën organizimin e Lëvizjes “ZGJOHU”, Shoqatës studentore “Dardania”, ndërsa mbështetur nga Komuna e Çairit dhe Ministria e Ekonomisë. Në Institutin për Trashëgimi Kulturore Shqiptare janë parashikuar aktivitete festive letrare.
Në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Strugë gjithashtu janë parashikuar aktivitete festive të organizuara nën patronazhin e komunave dhe shkollave, e organizatave joqeveritare dhe kombëtare.

Ndërkohë më 28 nëntor të vitit 1912 në kushtet e një rritje të hovshme të kryengritjes së përgjithshme shqiptare dhe të fitoreve të aleatëve ballkanike, kuvendi kombëtar i thirrur në Vlorë, duke zbatuar vullnetin e popullit shqiptar, shpalli lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Përpara qindra shqiptarëve të entuziazmuar, kryetari i parë i shtetit të ri shqiptar, i zgjedhur nga Kuvendi kombëtar Ismail Qemali, e ngriti solemnisht flamurin kombëtar, flamurin e Skënderbeut legjendar.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›