“Për 8 vjet kemi bërë detyrat tona, në sajë të investimeve situata ka ndryshuar për mirë, jeta në fshat s’është më mundim”

Sokol Olldashi, Ministri i Transporteve
Gjatë fjalës së tij në Konventën “Për më shumë mbështetje për fermerët”, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, renditi investimet e qeverisë në zonat rurale, duke theksuar se vështirësitë e fshatit kanë qenë sfidë gjatë 8 viteve të fundit.
Sipas ministrit Olldashi, investimet kanë bërë që jeta në fshat të mos jetë më një mundim. “Sot në çdo cep të Shqipërisë ku me parë ishte bela të jetojë, ku çdokush mendonte të ikte, mjafton që të shpëtonte prej fshatit, situata është ndryshe, në fshat ka rrugë të shtruara, ka biznese, ka jetë. 8 vjet rresht ne kemi bërë detyrat tona, kemi ndërtuar 10 mijë km rrugë, kemi përmirësuar sistemin e ujësjellësve duke siguruar furnizimin me ujë të rrjedhshëm brenda standardeve. Në sajë të investimeve sot situata ka ndryshuar për mirë dhe jeta në fshat nuk është më një mundim. Ne jemi ndryshimi, ne jemi ata që mbajnë premtimet, që ndryshojnë Shqipërinë, përpara”, u shpreh ministri Sokol Olldashi.