"Investitorët turq janë të mirëpritur të zgjerojnë investimet e tyre në Shqipëri"
Kryeministri Sali Berisha pret Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit Kombëtar Turk dhe President i Unionit të Mediave Elektronike të Europës Juglindore, Ibrahim Shahin
"Investitorët turq janë të mirëpritur të zgjerojnë investimet e tyre në Shqipëri", tha dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit Kombëtar Turk dhe President i Unionit të Mediave Elektronike të Europës Juglindore, Ibrahim Shahin, si dhe biznesmenin e njohur turk, Ahmet Callik.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori turk, Hassan Asan, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, njëkohësisht Zëvendëspresident i Unionit të Mediave Elektronike të Europës Juglindore, Petrit Beci.
Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin mes televizionit shqiptar dhe atij turk, si dhe mbështetjen dhe asistencën teknike e logjistike që TRT i ka dhënë dhe i jep RTSH-së. Kryeministri çmoi se RTSH ka bërë investime serioze dhe se në bashkëpunim me TRT do të arrijë të ketë bashkëpunime të tjera të suksesshme.
Zoti Ibrahim Shahin falënderoi Kryeministrin për mikpritjen, ndërsa theksoi se Televizioni Kombëtar Turk do ta vazhdojë bashkëpunimin shumë të frytshëm me RTSH-në.
Në takim, Kryeministri Berisha i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe interesin e përbashkët për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi praninë e Callik, në Shqipëri, me investime të suksesshme në disa fusha.
Kryeministri Berisha tha se në tre-katër vitet e fundit investimet turke ne Shqipëri janë rritur me 5-6 herë, ndërsa theksoi se Shqipëria ka potencial të madh për investime, veçanërisht në fushën energjetike, duke ju bërë të njohur bashkëbiseduesve disa nga lehtësitë më të fundit fiskale në këtë drejtim si heqja e TVSH-së për çimenton dhe hekurin apo të makinerive për prodhim që ul koston në ndërtimin e hidrocentraleve.