"Për Barçën i paguaj 8 mln euro"
David Vija kërkon me dëshpërim të transferohet te Barcelona. "Diferencën ndërmjet shifrës që Barça është e gatshme të paguajë dhe asaj që pretendon Valencia do ta paguaj unë". Kjo ishte "oferta" e sulmuesit të përfaqësueses spanjolle, për drejtorin teknik të katalanëve, Çiki Begirishtajn, vetëm që të luajë në "Kamp Nou". Lajmi është bërë i ditur nga gazeta "El Pais", e cila theksonte se shifra që 27-vjeçari është i gatshëm të nxjerrë nga portofoli i tij është 8 milionë euro: oferta e fundit e Barcelonës ishte 42 milionë euro, ndërsa drejtuesit e Valencias kërkonin të paktën 50 milionë. Tashmë Vija e ka të qartë se nuk dëshiron më të luajë për skuadrën e kryeqytetit të Komunidad, qëndrim të cilin ia ka bërë të ditur edhe presidentit Manuel Lorente. Deri më tani, sinjalet e drejtuesve të klubit kanë qenë negative, ku pavarësisht problemeve financiare, ata nuk dëshirojnë të privohen nga shërbimet e golashënuesit më të mirë të Euro 2008, i cili ka kontratë deri në vitin 2014. Situata e krijuar ka sjellë pakënaqësi te lojtari, sepse prej pengesave të Valencias, Barcelona e ka kthyer vëmendjen te Diego Forlan i Atletikos së Madridit, që në sezonin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë i La Ligas. Burime pranë katalanëve pohuan se "klubi po pret zhvillimet që do të sjellin ditët e ardhshme rreth çështjes ‘Vija‘" dhe se "alternativat janë të shumta". Ndërkohë, për të përshpejtuar gjetjen e marrëveshjes mes klubeve, menaxheri i sulmuesit të "Furisë së Kuqe", Hoze Luis Tamargo, i ka telefonuar njëshit në "Mestaja". Sipas "Superdeporte", ai i ka kërkuar presidentit Lorente të përcaktojë shifrën për të cilën Vija mund të largohet nga "Los Che". Pas kësaj bisede, Tamargo do të kontaktojë me Barçën, për të informuar kampionët e Europës rreth ofertës që do të mbyllte me sukses operacionin. Për t‘u bërë pjesë e kontingjentit të yjeve të Pep Guardiolës, sulmuesi është i gatshëm të pranojë edhe një rrogë më të ulët, duke pasur parasysh koston e lartë të kartonit të tij.
Në pritje të sinjaleve konkrete nga David Vija, Barcelona ka realizuar edhe blerjen e parë në këtë merkato. Maksuell, mbrojtësi i majtë holandez, është transferuar zyrtarisht te spanjollët. Marrëveshja me Interin u ka kushtuar "blaugranave" 4.5 milionë euro, plus 500 mijë euro në rast se lojtari plotëson një numër të caktuar ndeshjesh.
Në pritje të sinjaleve konkrete nga David Vija, Barcelona ka realizuar edhe blerjen e parë në këtë merkato. Maksuell, mbrojtësi i majtë holandez, është transferuar zyrtarisht te spanjollët. Marrëveshja me Interin u ka kushtuar "blaugranave" 4.5 milionë euro, plus 500 mijë euro në rast se lojtari plotëson një numër të caktuar ndeshjesh.