E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Flamurtari i madh, një hap drejt kualifikimit

Shumë emocione dhe ankth deri në minutën e fundit. Pas 18 vjetësh mungesë në kompeticionet europiane, Flamurtari rikthehet të shkruajë sërish historinë. Pasditen e djeshme, në stadiumin "Flamurtari", vlonjatët triumfuan me meritë me rezultatin 1-0 ndaj skocezëve të Madhëruellit. Kuqezinjtë e trajnerit Memushi dhanë maksimumin në ndeshjen e ndezur dhe ndoshta meritonin më shumë se vetëm një gol. Tekniku hodhi në fushë një skuadër të re në moshë (Strati më "i vjetri", 26 vjeç), por të mbushur me talente. Synimi ishte rikthimi i suksesshëm në Europë, edhe pse kundërshtari vjen nga një vend me futboll të njohur në "Kontinentin e Vjetër". Për minuta të tëra në atë fillim, dy skuadrat studiojnë njëra-tjetrën. I vetmi rast në 35 minutat e para ishte ai i minutës së 7, kur Mema shpërdoron një aksion të mirë me një gjuajtje të dobët. Në minutën e 38, trajneri Memushi largon Shehajn dhe hedh në fushë të riun Roshi, i cili do të rezultojë efikas në minutat pasuese, duke u shndërruar në protagonistin e thuajse të gjitha aksioneve të rrezikshme të vlonjatëve. 18-vjeçari shfaqet menjëherë i rrezikshëm, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes skoceze: hyn bukur në zonë, nuk godet mirë, duke shpërdoruar një mundësi mjaft të mirë për të zhbllokuar rezultatin. Ky është sinjali i parë i agresivitetit të një Flamurtari, që demonstronte dëshirë të madhe për të fituar. Miqtë i afrohen shumë golit në minutën e 43, kur Leisli kroson në zonë, MekGerr devijon me kokë, por për fatin e portierit Moçka dhe të Flamurtarit, topi përplaset në traversë. Ky rast i vetëm është shumë pak për Madhëruellin, i cili për të thënë të vërtetën qëndronte më poshtë se vlonjatët. Kuqezinjtë vënë në shënjestër portën mike, e cila bombardohet sistematikisht nga vendasit. Gjyqtari akordon 5 minuta shtesë në fundin e pjesës së parë dhe në të ‘45+‘3 goditja me kokë e Roshit ndalet nga traversa. Pjesa e dytë luhet thuajse me një portë, atë të Madhëruellit. Vetëm 2 minuta pas fillimit të saj, Mema me pak më shumë fat mund të kishte shënuar, por gjuajtja e tij përplaset në shtyllë. Miqtë tentojnë të zhvendosen përpara dhe me ndihmën e gjyqtarit austriak Fritz Shtuhlik (që jep një 11 metërsh të paqenë) fiton penallti në të 58. Saton gjuan saktë në provën e parë dhe shënon, por gjyqtari austriak fërshëllen për përsëritje të 11-metërshit. Në provën e dytë, portieri Moçka bën mrekullinë, duke pritur 11-metërshin. Kjo ka shtuar entuziazmin e vlonjatëve, të cilën marrin zemër dhe në minutën e 66 zhbllokojnë rezultatin në 1-0 falë golit të Stratit me një gjuajtje të bukur nga hyrja e zonës. Mbrojtja mike është e brishtë. Pak më vonë Roshi nuk arrin ta devijojë topin drejt rrjetës. Në kërkim të golit të dytë tentojnë edhe Zeqiri, Strati dhe Galica, por ai nuk vjen. Skocezët kujtohen vonë: në minutën e ‘90+‘5 gjuajtja e Leslit bllokohet nga Moçka dhe koha nuk premton më. Flamurtari ia del të rikthehet, duke u rikthyer "i madh" në Europë dhe hedh kështu një hap të mirë drejt kualifikimit. Megjithatë nuk duhen nënvlerësuar 90 minutat në tokën skoceze.

Talentet

Moçka e Roshi shkëlqejnë përpara trajnerit Kuzhe

Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka vazhduar vëzhgimet e skuadrave shqiptare që luajnë në kupat e Europës. Pas sfidës ku Tirana barazoi 1-1 me Stabaekun, në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, drejtuesi i stolit kuqezi ishte i pranishëm në Vlorë, në sfidën që Flamurtari fitoi 1-0 përballë skocezëve të Madhëruell. Një udhëtim mjaft i vlefshëm, sepse kroati pa në aksion talentet e shumtë që militojnë në radhët e skuadrës bregdetare. Në fakt, kuqezinjtë kanë një skuadër shumë të re në moshë: futbollistët më "të vjetër" në kontingjentin e drejtuar nga Eqerem Memushi ishin autori i golit, Strati dhe sulmuesi Ngjela, të dy 26-vjeçarë. Ndërsa pjesa më e madhe e të rinjve janë lojtarë të përfaqësueseve të moshave dhe kandidatë potencialë në misionin për rinovimin e përfaqësueses. Gjatë 90 minutave të djeshme, vëmendjen e Kuzhe e kanë tërhequr portieri i Kombëtares Shpresa, Shpëtim Moçka. 19-vjeçari priti një penallti (duke mos lejuar skocezët të kalonin në avantazh) dhe ka qenë një siguri mes shtyllave. Çdo top që fluturonte drejt zonës ishte pronë e tij, ndërsa pozicionimi në gjuajtjet e kundërshtarëve ishte perfekt. Një tjetër lojtar i ri që ka mahnitur kundër Madhëruellit ishte Odise Rosi. Talenti fierak, i afruar gjatë kësaj vere te Flamurtari, ka bërë diferencën në fushën e lojës. Edhe pse u aktivizua si zëvendësues, ai është shndërruar menjëherë në rrezikun kryesor për mbrojtësit e Madhëruell, të cilët i humbën të gjitha duelet me sulmuesin 18-vjeçar. Edhe pse është ende shumë shpejt, Moçka dhe Roshi mund të cilësohen dy lojtarë të fituar, që tashmë presin një thirrje në Kombëtaren e Kuzhe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›