"Katenaço" e Likës nuk funksionon, Vllaznia shpartallohet 5-0 në Vjenë
Vllaznia e sheh veten të eliminuar në turin e dytë të Ligës së Europës, edhe pse kanë luajtur vetëm 90 minutat e para kundër Rapidit të Vjenës. Shkodranët janë shpartalluar me rezultatin 5-0 në stadiumin "Gerhard Hanapi", pavarësisht se trajneri Hasan Lika e ka rreshtuar skuadrën me forca të shumta në mbrojtje, duke shpresuar në një humbje minimale, që do të linte gjithçka të hapur për takimin e kthimit. 22 minutat e fundit të lojës rezultuan fatale për nënkampionët e Shqipërisë, që për shkak të lodhjes kanë gabuar shumë, duke u dhënë mundësi austriakëve të fitonin me goleadë. Minutat e para të takimit kanë qenë mjaft të luftuara dhe me mjaft ndërhyrje të parregullta. Vendasit kanë rrezikuar portën e mbrojtur nga Bishani me Dober dhe Hofman, tentativat e të cilëve ishin të pasakta. Sulmi i parë i Vllaznisë në portën e Rapidit ka ardhur vetëm pas 27 minutave lojë me Nikan. Por, rënia e kuqebluve ka nisur në të 33-ën: gjyqtari rus Bezborodov ka akorduar një 11-metërsh, i cili u shndërrua në gol nga Hofman. Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin minimal të të besuarve të Pakult, ku rikthehen vrullshëm në fushë pas pushimit mes pjesëve. Kavlak e Hofer në dy raste kanë kërkuar golin e dytë, ndërsa Vllaznia u kundërpërgjigj me Balaj. Në të 68-ën, rezistenca e të besuarve të Likës u thye përfundimisht. Jelaviç dyfishon shifrat, ndërsa pesë minuta më pas është sërish ai që shënon edhe golin e tretë. Trimel në të 83-ën dhe Hofer në të 85-ën vulosën rezultatin 5-0, që nuk u lë asnjë shans shkodranëve për takimin e së enjtes së ardhshme (më 23 korrik), në stadiumin "Loro Boriçi".