E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Inter & Liverpool, fitorja, obligim

Ethet e Ligës së Kampionëve vazhdojnë me ndeshjes e grupeve E,F,G e H. Sigurisht, përqendrimi i të gjithëve do të jetë në ndeshjet e grupeve E dhe F, ku kualifikimi në të tetën e finales është i mundshëm për 3, përkatësisht 4 skuadra.

Fillojmë me Grupin F, i cili duket më interesanti dhe më i paqarti. Kryesuesi Barcelona do ta vizitojë Kazanin, ku e pret befasia Rubin. E themi befasi, sepse dy javë më parë ishte pikërisht ekipi rus ai që e mposhti kampionin e Evropës midis stadiumit Camp Nou.

Katalunasit vazhdojnë kryesimin në këtë grup falë golaverazhit më të mirë, por një humbje eventuale apo barazim në Rusi do tia vështirësonte punët këtij ekipi. Sepse dy ekipet tjera të Grupit F, Inter dhe Dinamo Kiev, e kërkojnë po ashtu kualifikimin. Pikërisht këto dy skuadra do të përballen në mes vete në Ukrainë. Në ndeshjen e zhvilluar në Giusseppe Meazza, Inter dhe Dinamo i ndanë pikët.

Nerazzurrët e kanë vlerësuar këtë ndeshje si jetësore, sepse nuk guxojnë assesi të humbasin nëse e dëshirojnë kualifikimin. Pozita jonë e lartë në ligë është si rezultat i punës fantastike që e bëjnë djelmoshat çdo ditë. Ekipi ka nevojë të vazhdojë nëpër këtë rrugë dhe ne do ta shohim nëse të mërkurën mund ta nxjerrim një rezultat të rëndësishëm për tia ngritur ekipit moralin në Ligën e Kampionëve, theksoi trajneri i Inter, Jose Mourinho.

Ekipi i trajnerit Valeri Gazzaev është i pamposhtur në shtëpi që nga humbja nga Porto në Ligën e Kampionëve 12 muaj më parë. Gjigantët ukrainas i kanë fituar 10 nga 12 ndeshjet e fundit në kampionatin ukrainas.

Sulmuesi i Dinamos, Andriy Shevchenko kërkon nga bashkëlojtarët e tij që ta shfaqin ndeshjen e njëjtë si në San Siro dy javë më parë. Ekipi im shfaqi kurajo dhe harmoni në Milan. Ne kishim mundësi që ta fitonim atë ndeshje, edhe unë humba disa raste. Shpresoj të shënoj dhe që ekipi ta tregojë vendosmërinë e vet të mërkurën. Megjithatë, unë mendoj se gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit, pasi që ky është grupi më i vështirë dhe më i balancuar, u shpreh sulmuesi ukrainas.

Edhe Grupi E e ka rëndësinë e vet. Pas humbjes në shtëpi nga Lyon, Liverpool është i obliguar të fitojë në Francë në rast se synon ta kalojë fazën e grupeve. Në të kundërtën, ekipi anglez me gjasë do të mbetej jashtë këtij kompeticioni, duke pasur parasysh se Fiorentina, e cila pret fitore ndaj Debreceni, ka orar të favorshëm.

Në Grupin G, Sevilla pothuajse me një këmbë është në fazën pasuese, pasi që ka 7 pikë më shumë sesa i treti në tabelë, Stuttgart, ndaj të cilit pret fitore të mërkurën. Kjo do tia siguronte edhe matematikisht kualifikimin. Ndërkaq, një fitore eventuale e befasisë Unirea ndaj Rangers do ta afronte këtë klub tek e teta e finales.

Dhe në Grupin e fundit, atë H, pothuajse dy të parat dihen. Arsenal është favorit të përfundojë i pari. Topçinjtë presin fitore ndaj AZ Alkmaar. Ndërsa Olympiacos kërkon rezultat pozitiv në Belgjikë kundër Standardit, për ta ruajtur distancën e krijuar në pozitën e dytë.

Liga e Kampionëve E mërkurë

Grupi E Ora
Fiorentina Debrecen 20:45
Lyon Liverpool 20:45

Grupi F
Rubin Kazan Barcelona 18:30
Dynamo Kyiv Inter 20:45

Grupi G
Sevilla Stuttgart 20:45
Unirea Urziceni Rangers 20:45

Grupi H
Arsenal AZ Alkmaar 20:45
Standard L. Olympiakos 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›