E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për OSBE, Prishtina është Serbi

Për OSBE -në, Prishtina edhe më tutje mbetet pjesë e territorit të Serbisë. Harta e këtij institucioni ende nuk ka ndërruar as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Edhe pse OSBE promovon neutralitetin, ajo qytetet e Kosovës i sheh si pjesë të Serbisë. Madje në ueb faqe të saj, qytetet e Kosovës nganjëherë bëhen edhe pjesë e Serbisë dhe e Malit të Zi.

Kështu figuron edhe nëpër shumë dokumente të tjera të këtij misioni. Për këtë mjafton vetëm të shikoni konkurset për punë që shpall ky institucion. Në një konkurs që ka siguruar lehtësisht Express, te vendi i punës shkruan Prishtinë/Pristin/Serbia. Ndërsa në raste tjera pas Prishtinës shkruan CS, që ishte kodi shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi.

Për krejt këtë, zyrtarët e OSBE-së e kanë një shpjegim shumë të thjeshtë. “OSBE - dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë - është status-neutral dhe operon nën Rezolutën 1244 si pjesë e UNMIK-ut. Misioni mbetet i përkushtuar që të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë”, thotë për Express Virginie Coulloudon, zëdhënëse e OSBE-së në Vjenë të Austrisë.

Ndërkaq, Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se OSBE nuk ka pas asnjëherë kompetenca administruese në Kosovë. Sipas tij, OSBE edhe pas shpalljes së pavarësisë mund të ndihmojë Kosovën. “Por, gjithmonë duke pas të qartë që Kosova është shtet dhe sovran”, vlerëson ai.

E kur bëhet fjalë për praninë e UNMIK-ut, Krasniqi thotë se ky mision është i panevojshëm në Kosovë. Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, UNMIK është bërë peng i rezolutës 1244. Por, ndryshe prej UNMIK-ut, Krasniqi rolin e OSBE-së e sheh më ndryshe.

Ndërsa për Visar Ymerin, aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje”, të gjitha misionet e huaja në Kosovë janë pothuajse të njëjta. Sipas tij, të gjithë janë neutralë ndaj statusit të Kosovës. “Ky qëndrim apo pozicionim i OSBE-së e qartëson se çka do të thotë fjala neutral ndaj statusit. Të gjitha këto misione po lejohen të bëjnë punët e tyre... ato janë pozicionuar kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe veprojnë”, shton Ymeri.

Ai po ashtu kritikon institucionet e Kosovës që nuk po mbrojnë pavarësinë e vetëshpallur.
“Në këso situate një qeveri sovrane duhet të intervenonte”, thotë ai.

Vite me parë në ndërtesën e OSBE-së ishte shpërndarë një CD që paraqiste shqiptarët si njerëz primitivë, ku ka vetëm bërllok dhe femra të shfrenuara.

CD iu kishte shpërndarë po ashtu stafit të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu për një skandal që Express kishte raportuar është ndërrimi i identitetit të punëtorëve të OSBE-së. Disa punëtorë serbë ishin emëruar në ID e punës me emra të huaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›