Për analistët dhe opinionistët e politikës
Nga Gëzim Tushi
Në realitetin tonë kaotik të zhvillimeve politike e sociale, në mënyrë të natyrshme është normale që analistët dhe opinionistët e jetës politike, janë bërë pjesa më e dukshme, mediatikisht prezente dhe vazhdimisht e shfaqur si forca më omnipotetnte e shtresës së intelektualëve mediatikë. Ata, ndoshta për shkak të frekuencës së kontakteve mediatike që kanë me publikun, apo për arsye të sensibilitetit të veçantë që krijon politika në vendin tonë, janë bërë elitë dhe epiqendër e intelektualëve. Ata tashmë janë të njohur personalisht dhe shfaqen si grup social i strukturuar profesionalisht më vete, i lidhur ngushtësisht me investigimin e zhvillimeve të politikës së ditës në Shqipëri.
Problemi i vlerësimit të tyre nga publiku, të shoqëruara nga ana tjetër nga qëndrimet shpesh narcistike, nuancat e qarta të vetëvlerësimit të rolit të tyre, apo në disa raste edhe i mbivlerësimit mediatik të prezencës së përhershme të analistëve dhe opinionistëve të politikës, është bërë problem shoqëror më vete, që tani nga që ka filluar shfaqet dhe të diskutohet në të gjithë aspektet. Qoftë në aspektin e mundësive individuale dhe të personalizuara të tyre për të luajtur këto role, në vartësi me problemet e dukshme dhe nivelin e diversifikuar të kompetencës profesionale të analistëve dhe opinionistëve. Problemet e kësaj shtrese janë të ndërlikuara dhe megjithë performancat personale dhe frekuencat e shpeshta mediatike, problemi është i lidhur sidomos çështjet delikate të aftësive të analizës dhe opinion bërjes, me staturën morale që ata kanë në raport me profesionin e tyre dhe zhvillimet dinamike të politikës, me zig-zaket e influencës intelektuale mbi politikanët e jetës politike aktive dhe padyshim edhe problemet e interesave të tyre financiare personale.
Por pavarësisht dialektikës së vlerës individuale, sidomos zgjerimit të kritikës së qytetarëve për profesionalizmin e pranuar apo të munguar të disa prej tyre (sepse jo të gjithë analistët dhe opinionistët që bëjnë këtë detyrë kanë staturë për të mbajtur këtë status), shoqëria shqiptare ka shqetësimin e natyrshëm, që ata duhet të jenë dhe të bëhen jo thjesht përshkrues komplementarë të ngjarjeve, as inventarizues të thjeshtë të ndodhive politike, por analistë dhe mendimtarë strategjikë të zhvillimit të çështjeve politike në vendin tonë.
Padyshim, jo vetëm tek ne por kudo në botë, politikanët dhe analistët e politikës janë dy palë aktorësh, që politika dhe zhvillimet kontradiktore të saj i bëjnë të jenë të lidhur me njëri tjetrin. Të parët si aktorë të saj, të dytët si oponentë të tyre. Lidhja midis politikanëve dhe analistëve të saj është lidhje bivalente. Sepse analistët si intelektualë mediatikë janë analizues të zhvillimeve politike, ndërsa politikanët përveç rolit të aktorit dhe pavarësisë që kanë ndaj gjykimeve të analistëve dhe opinionistëve, janë të detyruar të jenë edhe në rolin e konsumatorit të mendimeve të tyre. Të dy palët në realitetin shqiptar, janë duke u rivlerësuar, nga që secili ka pjesën e tij në konceptimin e politikës, sidomos në krijimin e mendimit publik të qytetarëve për politikën. Kjo lidhje është bërë më funksionuese tani, kur politika shqiptare në raport me qytetarin, për shkak të modernitetit të jetës ka marrë më shumë karakter abstrakt, e shoqëruar nga zhvillimet e qarta mediatike të politikës profesioniste që tashmë më shumë shfaqet si telepolitikë.
Në një farë mënyre një nga rolet e analistëve dhe opinionistëve, është përpjekja për të shmangur apo zbutur këtë anomali të karakterit dis abstrakt të politikës. Janë ata që kanë mundësi dhe që përpiqen që këtë handikap të politikës moderne, ta zbutin dhe korrigjojnë aq sa munden përmes rolit të masmedies. Në se rolin e analistëve dhe opinionistëve do ta shikojmë vetëm me syrin e analizave konkrete militante, pa vlerësuar nivelin e optikës strategjike të efekteve ndikuese të analizës, atëherë do të jetë e vështirë që të kemi ata analistë dhe opinionistë që na duhen. Do mbetemi me ata që janë. Por analistët dhe opinionistët nuk janë përsëritës apo përkthyes të thjeshtë të gjuhës së politikës profesioniste, por instrumenti social mediatik i domosdoshëm, për të korrigjuar në një farë mënyre difektin që ka të bëjë me karakterin asimetrik që kanë marrë lidhjet e qytetarit me zhvillimet e politikës shqiptare.
Kjo është arsyeja pse roli i tyre është i rëndësishëm dhe ndikimi i tyre mediatik në publik është shumë i madh. Në sistemin e hallkave të zinxhirit të lidhjes dhe komunikimit politik me qytetarin, në synimin e dobishëm për krijimin e opinionit politik, në shoqërinë shqiptare funksionon një sistem intermedial komunikimi i analistëve dhe opinionistëve, të cilët janë aktorë ndikues përmes bisedave formale, efektet e të cilës padyshim që pasqyrohen doemos gjerësisht në bisedat jo formale të qytetarëve në ambientet e jetës private dhe publike.
Analistët dhe opinionistët e politikës jo vetëm tek ne, por kudo konsoderohen dhe përgjithësisht janë pjesë me rëndësi e përshirë organikisht në strukturën bazë të elitës intelektuale të cdo vendi. Kjo është arsyeja pse numerikisht kudo në botë analistët dhe opinionistët me emër, nuk janë nga ana sasiore të shumtë dhe as nga ata që janë cilësisht skarco. Si rregull, ata janë të zgjedhur, nga që sasia e tyre në jetën publike dhe mediatike është e limituar, nga nevoja dhe kërkesa e cilësisë së lartë të tyre.
Sa më e organizuar dhe e konsoliduar të jetë shtresa e hollë e analistëve dhe opinionistëve, aq më mirë është për politikën, për cilësinë dhe analizat ndikuese të saj. Ndaj, tani duke reflektuar përballë realitetit duhet pranuar se nuk mjafton vetëm ekzistenca sasiore e elitës së analistëve dhe opinionistëve. Aq më tepër kur për fat të keq, vetëm shumë pak prej tyre janë pjesë e vërtetë dhe e konfirmuar me vepër konkrete apo punë e realizuar e elitës intelektuale të vendit tonë. Duke parë realitetin e strukturës së opinionistëve dhe strukturën e përbërjes së tyre, duket se më të shumtit janë thjesht përfaqësues të politikave militante, që synojnë më shumë se cilësinë e kërkuar të analizave të pavarura, parapëlqimet e turmave të militantëve si konsumator frenetikë të telepolitikës mediatike dhe afirmimin e tyre me zor në ndonjë cep të jetës publike dhe mediatike.
Kjo kërkesë e deformuar për statusin e analistit dhe opinionistit është e lidhur në një farë mënyre, me të vërtetën që për shkak të dialektikës dhe specifikave të zhvillimit të politikës sonë, ata në përgjithësi kanë patur statusin e të privilegjuarit social dhe mediatik, për shkak se janë të ndjekur nga audienca të mëdha masive qytetarësh dhe për efekt të publicitetit mediatik të gjykimeve të tyre. Natyra e politikës sonë si telepolitikë, e ka bërë akoma më të vlerësuar statusin e tyre. Por shqetësuese sipas meje, është fakti që në vend që të paksohej, po shtohet numri i analistëve dhe opinionistëve politikë, të cilëve ju ndihen mungesat thelbësore të profesionit dhe formimit kulturor. Kjo nga që shumë pak të tillë janë të aftë të bëjnë gjykime objektive për politikën dhe politikanët.
Një pjesë e konsiderueshme dalin në televizion me titullin e analistit apo statusin e opinionistit, por dallohen në mungesën e gjërë të aftësive që të bëjnë analiza politike të pavarura apo të ndërtojnë opinione me tone personale. Mbi të gjitha, kohët e fundit është zgjeruar sëmundja e angazhimit për qëllime ekstrapolitike të tyre. Kohët e fundit janë duke u shtuar analistët që u lexohet qartë angazhimi i tyre i paragjykuar, përmes arsyetimeve të paravendosura politike dhe bashkë me to edhe qëndrimi personal subjektiv. Shpesh, deri në ato nivele sa që të duket e vështirë ekzistenca e analistëve dhe opinionistëve, pa një dikotomi të qartë të vendosjes së analizave të tyre në pozicione fikse të pozicionuara majtas apo djathtas