E Diel, 1 Nëntor 2026

Për deklaratat e Spahiut reagon edhe BE: Qeveria të sigurojë që sjellje të tilla të mos përsëriten

Share

Në lidhje me deklaratat e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu ka reaguar edhe Bashkimi Europian, përmes zyrës këtu në Tiranë. Në deklaratën e publikuar nga delegacioni i BE në Tiranë thuhet se ata janë thellësisht të shqetësuar. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Ambasadorët (Shefat e Misioneve) të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, shpreh habinë dhe është thellësisht i shqetësuar lidhur me deklaratën publike të bërë më 22 mars 2012 nga Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe Kryetari i Partisë Lëvizja për Legalitetin, z. Ekrem Spahiu. Ai komentoi mbi Festivalin e Diversitetit për të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transeksualë (LGBT), i cili do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 17 maj 2012.

Bashkimi Evropian dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se lufta ndaj diskriminimit është një prioritet kyç për integrimin e vendit në BE. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka aprovuar Ligjin për Mbrojtjen kundër Diskriminimit. Lufta kundër diskriminimit, përfshirë diskriminimin e personave LGBT, është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit të 2010-ës. Shqipëria është angazhuar për të zbatuar Planin e Veprimit mbi këto dymbëdhjetë prioritete kyçe. Deklarata publike si ajo e z. Spaniu janë në kundërshtim me zbatimin e politikave antidiskriminuese të përfshira në kapitullin 23 mbi të drejtat themelore dhe juridike pjesë e legjislacionit të Bashkimit Evropian (acquis communautaire). Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Ambasadorët (Shefat e Misioneve) e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u bën thirrje me vendosmëri autoriteteve shqiptare të sigurojnë që sjellje të tilla të mos përsëriten, thekson deklarata.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›