E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë në një vend të Europës Lindore

Polonia thyen tabutë: paradë homoseksualësh në vendin katolik

Në kryeqytetin polak, Varshavë, është organizuar një nga paradat më të mëdha të homoseksualëve në vend dhe kjo në një shtet thellësisht katolik përbën një risi. Gjithashtu është hera e parë që një paradë e tillë, e cila organizohet një herë në vit në Perëndim, është organizuar edhe në Europën Lindore. Ndërsa në qendër zhvillohej parada, diku në afërsi të saj kishte edhe grupe njerëzish që organizuan një kundërparadë dhe madje edhe nga ata që iu kundërvunë pjesëmarrësve të saj duke i goditur me vezë dhe domate. Në Poloninë katolike homoseksualët e kanë shumë të vështirë që të pranojnë hapur përkatësinë e tyre, duke qenë se feja nuk i përkrah lidhje të tilla mes personave me të njëjtin seks. Përveç liderëve të kishës, edhe politikanët janë pozicionuar gjithmonë kundër një fenomeni të tillë. Ndërsa për organizatorët e kësaj parade qëllimi kryesor i saj është dhënia fund e diskriminimit të homoseksualëve në Poloni dhe promovimi i debatit për legalizimin e marrëdhënieve mes personave të të njëjtit seks.

Parada shumëngjyrëshe, në të cilën pjesëmarrësit ishin pajisur edhe me vuvuzela, është zhvilluar në qendër të qytetit dhe njerëzit janë paraqitur me kostume shumëngjyrëshe dhe maska. Gjithsesi gjërat janë zhvilluar pa ndonjë kundërshti, apo problematikë ndryshe nga sa pritej. Sipas organizatorëve, situata në Poloni po përmirësohet nga viti në vit dhe njerëzit kanë filluar që të bëhen më mendjehapur dhe të pranojnë edhe lidhje të cilat kisha i quan jo të drejta dhe politikanët nuk i respektojnë. Organizatorët kishin pritur që në këtë paradë të merrnin pjesë të paktën 20 mijë persona nga e gjithë Europa, por në fakt, sipas policisë, bëhet fjalë për disa mijëra të ardhur. Në vende të tjera të Europës Perëndimore, në parada të tilla që organizohen një herë në vit, marrin pjesë një numër i madh njerëzish. Kështu, në Madrid herën e fundit morën pjesë 1 milion veta. Ndërkaq, autoriteteve të vendit u kishte shkuar një peticion me 50 mijë firma, në të cilin kërkohej ndalimi i kësaj parade që, sipas nënshkruesve, “prishte imazhin e vendit”. Në një sondazh të fundit në Poloni, mbi dy të tretat e homoseksualëve nuk e kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre dhe e vazhdojnë atë në kushte klandestine. Në këtë vend është diçka shumë e rrallë që të shohësh çifte homoseksuale të dalin hapur publikisht, madje kjo edhe në Varshavë, që është një qytet kozmopolitan. Por nëpër periferi dhe qytete më të vogla homoseksualët shpesh u nënshtrohen dhunës e keqtrajtimit edhe fizik nga ana e personave që nuk ua pranojnë lidhjet dhe janë homofobikë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›