KLSH: Borxhi tatimor, rreth 49 miliardë lekë
Qindra biznese kanë detyrime të papaguara te tatimet, duke krijuar një borxh që shkon rreth 48 miliardë e 595 milionë lekë, ose afro 4.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shifrat shqetësuese janë raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, referuar punës së bërë nga organet tatimore gjatë vitit 2008 për mbledhjen e borxheve. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se bilancet e tatimeve janë rënduar akoma dhe më shumë me detyrime debitore të rritura me 5.8 për qind, ose 2 miliardë e 670 milionë lekë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi Fitimin janë dy taksat që zënë peshën më të madhe (rreth 70 për qind) të detyrimeve të papaguara nga biznesi përgjatë 10 viteve të fundit. KLSH nuk jep të dhëna rreth efektit që mund të ketë sjellë amnistia fiskale, e cila nisi të aplikohej në fund të vitit 2008, deri në prill 2009. Nga pikëpamja kohore e krijimit të detyrimeve debitore, rezulton se 68.8 për qind të tyre, ose rreth 33 miliardë e 430 milionë lekë e zënë debitorët e trashëguar nga viti 2007 dhe përpara, ndërsa 31.2 për qind ose në vlerë 15 miliardë e 164 milionë lekë e zënë debitorët e krijuar gjatë vitit 2008. "Me gjithë përpjekjet dhe arritjet, puna e strukturave përkatëse nuk u përgjigjet kërkesave të legjislacionit tatimor, për të ndjekur dhe arkëtuar detyrimet debitore, me qëllim uljen e gjendjes së trashëguar të borxhit", thekson KLSH-ja në raportin e saj të fundit.
#