E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë promovon libër

“Kam marrë pjesë në shumë promovime librash, kam folur për autorët e tyre, por ky është promovimi im i parë në këto 62 vjet” kështu u shpreh autori i librit “Refuzimi i shkrimit”, Moikom Zeqo, në promovimin që shtëpia botuese “Dituria” organizoi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave. Në këtë vepër janë përmbledhur tregime, skica dhe proza eseistike, ku vetë autori i klasifikon si një zhanër, por që kanë një modernitet të theksuar përmes hibridizimit të gjinive.

Që në titull shkrimtari provokon, lidhur me refuzimin e shkrimit, por është një refuzim pozitiv, pasi vepra refuzon gjuhën ku lind dhe përkthehet në shumë gjuhë të tjera. Krijimtaria e përmbledhur në këtë libër është shkruar në harkun kohor 1970 deri në vitin 2010.

“Siç ndodh vetëm te veprat e penave serioze gjithëkohore, te Moikom Zeqo gjen të dyja pelegrinazhet, atë të jashtëm ciklik dhe njerëzor, të prekshëm dhe tragjikomik, por takon edhe pelegrinazhin e brendshëm të autorit, atë kurues, i cili ndërtohet si terapi që ka në recetën e vet rileximin e arsyeshëm të udhëtimit të bërë”, shkruan dr. Përparim Kabo për librin. Ky botim vjen si plotësim i koleksionit të librave në prozë të shkurtër të autorit, si “Gjumashët e Efesit”, “Adami i Fshehur”, “Njeriu Jeshil”, “Shitësit e Kaosit” dhe “Klepsidra”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›