E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë zhvillon punimet në Tiranë Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Migliori: Rezolutë për integrimin e Shqipërisë

05-10-2012 / Gazeta 55

Asambleja Parlamentare e OSBE-së për herë të parë në Tiranë për të zhvilluar sesionin e saj të vjeshtës, në përgjigje të ftesës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së, po marrin pjesë në takime të nivelit të lartë që përfshijnë një konferencë parlamentare me temë: “OSBE: Promotor i mirëqeverisjes dhe integrimit si bazë për stabilitetin dhe sigurinë”. Kreu i asamblesë parlamentare të OSBE, Rikardo Migliori hapi punimet duke shprehur kënaqësinë që sheh një Shqipëri ndryshe, me liri fetare, demokratike Migliori tha se në fund asambleja do të nënshkruajë një marrëvëshje për integrimin. “Ne do i mbahemi kësaj ideje të marrëveshjes në këtë vend. Ne mblidhemi së bashku për të punuar për një projekt integrimi”. Migliori u kthye pas në kohë duke kujtuar Shqipërinë e diktaturës dhe sot një vend demokratik. “Ne na ishte dhënë liria në tabaka të argjendtë, ndërsa njerëz këtu si Jozefina po jepnin shembuj sesi ju ishte hequr e drejta e studimit. Dhe gjithashtu rreziqet e tjera, internimet, shumë prej nesh i dinë disa histori. Këta janë shembuj që Shqipëria mban forcë të jashtëzakonshme në Europë dhe brenda në OSBE. Berisha duhet të jetë krenar që ka kontribuar në politikën e këtij vendi për arritjen e kësaj Shqipërie të re demokratike”- tha ai. Z. Migliori, më pas i bëri apel të pranishmëve të fokusohen tek të drejtat e njeriut, ndërsa i kujtoi si detyrim ODIHR-it, të shmangë burokracitë. “Gjatë këtyre 3 muajve si President kam përfshirë në vizitat e mia shumë vende, gjithmonë kemi nxitur vendet që të mblidhen së bashku, në mënyrë që të nënshkruajnë traktatet e ndryshme dhe kemi folur dhe për përmasën njerëzore. Në fakt unë i tërhoqa vëmendjen Zyrës së të Drejtave të Njeriut të kthehet në thelbin e saj, tek të drejtat e njeriut. Inkurajoj si në Varshavë, ODIHR të shmangë rënien në burokraci”- deklaroi ai.


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli


Kryetarja e Parlamentit që me ftesat që bëri mblodhi këtë Asamble në Tiranë, theksoi në fjalën e saj përshëndetëse se Shqipëria është vendi i lirive dhe se e meriton integrimin. “Faleminderit që pranuat kërkesën e kuvendit të Shqipërisë që ky sesion të mbahet në Tiranë. Do isha e gëzuar të shihnit bregdetin tonë, mbi të gjitha jam e lumtur që 200 parlamentarë nga bota jeni këtu për 100-vjetorin e pavarësisë sonë. Dikur dukej e pamundur për ne që liria funksionon. Dhe ne jemi shembull konkret. Plot me sfida por i kemi kapërcyer. Shqiptarët si një ndër popujt me histori mijëravjeçare punuan për projektin e ëndrrës së tyre të madhe. Për disa Shqipëria është vend i pazbuluar, të dashur kolegë unë ju ftoj të zbulojnë Shqipërinë, ejani dhe zbuloni një vend të vogël, jani dhe provoni mikpritjen shqiptare, ejani shikoni si funksionon liria, se shqiptarët janë europianë dhe duan të pranohen në këtë komunitet”.


Kryeministri Sali Berisha


Gjatë fjalës së tij në çeljen e punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë, kryeministri Sali Berisha tha se organizimi i këtij sesioni në vendin tonë, përbën një perlë në kurorën e 100-vjetorit të pavarësisë. Ndërsa shprehu respektin e tij për punën e Asamblesë së OSBE-së, shefi i qeverisë tha se OSBE mbetet një partner i shkëlqyer për vendin tonë. “Dua të shpreh admirimin tim, respektin tim më të madh për punën e shkëlqyer të kësaj Asambleje në vite. Një avokate e fuqishme, mbrojtëse dhe promovuese e të drejtave dhe lirive njerëzore, e paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit. Ndjehemi shumë të nderuar që ju jeni sot në Tiranë”- u shpreh Berisha. Kryeministri garantoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje të plotë me standardet e OSBE-së. “Zgjedhjet e 2009 plotësuan kriteret e OSBE, ju u bëtë avoketër të kësaj të vërtete të madhe dhe dhatë kontributin tuaj në stabilitetin e vendit, po ecim drejt zgjedhjeve të tjera, do bëj gjithçka për standardet më të mira të zgjedhjeve të lira e të ndershme ndaj ju ftoj të vëzhgoni zgjedhjet dhe jam i bindur se do të gjenden në një vend që do të nderojë të gjitha normat e OSBE për zgjedhje të lira”- vijoi Berisha. Më tej kryeministri bëri një tablo të përpjekjeve të Shqipërisë për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara. Ai tha se vendi ka ende një rrugë të gjatë e të vështirë për të bërë, por theksoi se qeveria mbetet e vendosur të bëjë gjithçka për të përshpejtuar ritmet e zhvillimit të vendit. “E di se jo pak nga ju keni vizituar Shqipërinë dhe vite më parë. 20 vite më parë vendi im renditej si vendi i tretë më i varfër i planetit, sot ne nuk jemi ende vend i pasur, por renditemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, vendi që ishte simboli i hiperkolektivizmit total, sot mbi 84% të PB e ka nga sektori privat, kemi arritur disa nga treguesit më të mirë të vendeve të zhvilluara, vdekshmëri foshnjore njëshifrore, vdekshmëri amtare po ashtu, mortalitetin e popullatës më të ulët se të gjitha vendet e tjera ish komuniste. Shqiptarët në 2001 kishin banesa për 1 mijë banorë më pak se secili komb në ’80, sot lëmë mbrapa 5 kombe anëtare të BE dhe OECD. Kanë një nga sistemet shëndetësore me akses më të lehtë, trashëguan një prapambetje të qartë në arsimin e lartë, sot numri i studentëve është mbi 50 për 1 mijë banorë, numërojmë 162 mijë studentë. Ndjemë pasojat e krizës, por nuk njohëm recesionin, por sipas KE patëm rritje ekonomike 4 herë më të lartë se mesatarja e rajonit. Sërish kemi rrugë me gropa, por jemi më të vendosur se kurrë për të bërë gjithçka për të shpejtuar ritmet e zhvillimit. Ne përpiqemi të japim kontribut në paqen dhe stabilitetin në rajon”- tha Berisha. Lamberto Zannier "OSBE po kërkon që të vendosë një standard ndërkombëtar në fushën e zgjedhjeve dhe për këtë është e rëndësishme që të kemi një marrëdhënie të hapur, solide e konstruktive mes ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare” - u shpreh Lamberto Zannier, Sekretar i Përgjithshëm i AP së OSBE-së. Në fjalën e mbajtur në sesionin e vjeshtës së kësaj Asambleje, që po zhvillon punimet sot në Tiranë, Zannier vlerësoi misionin e OSBE-së në Tiranë, si dhe bashkëpunimin me autoritetet shqiptare. "Uroj që të vazhdojë ky partneritet dhe punë e përbashkët me miqtë shqiptarë", - u shpreh ai. Më pas Zannier iu referua proceseve të ardhshme zgjedhore në disa vende si Ukrainë, Mal i Zi, SHBA, etj, ku veçoi rëndësinë e zgjedhjeve në Ukrainë, si vend që vitin e ardhshëm do të kryesojë AP të OSBE-së. “Zgjedhjet e ardhshme në Ukrainë janë shumë të rëndësishme dhe rezultati i tyre do të vendosë një gur themeli për kryesimin nga ky vend të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Misioni vëzhgues i OSBE-së do të jetë më i madhi në historinë e organizatës dhe do të jetë një detyrë shumë e rëndësishme” - u shpreh Zannier.


Sesioni i vjeshtës i AP të OSBE-së


Përgjatë dy ditëve (5-7 tetor), Konferenca, e ndarë në tre sesione, do të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me promovimin dhe mbrojtjen e shoqërive multi-etnike dhe multi-kulturore në vendet anëtare të OSBE-së, me krizën ekonomike dhe financiare, si dhe me rolin e medias në promovimin e mirëqeverisjes. Mbajtja e mbledhjeve të vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë vjen në një kohë kur Shqipëria mban Presidencën e KiE-së, si dhe përgatitet të festojë 100-vjetorin e Pavarësisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›