E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i “Albpetrol”, prezantohet kompania fituese, “Vetro Energy”: Investime të mëdha në Shqipëri

05-10-2012 / Gazeta 55

Drejtuesit e “Vetro Energy”, kompania që fitoi tenderin për privatizimin e “Albpetrol” me ofertë financiare 850 milionë euro, bëri sot prezantimin para opinionit publik. Gjatë një konferencë për shtyp, drejtuesit e kompanisë kanë premtuar investime të mëdha në Shqipëri.
Matheë Roszak, drejtuesi i konsorciumit ‘Vetro energy” mori fjalën e i pari ku theksoi punën e tij si sipërmarrës për 16 vite. “Vetro energy”, ka fituar tenderin për privatizimin e Albpetrol, paraqitëm një ofertë impresionuese dhe premtojmë se do të punojmë shumë për të rritur potencialin e Albpetrol”- tha Roszak.
Sipas tij, “Vetro Energy” është e orientuar drejt zhvillimit, por pa lënë mënjanë cështjet mjedisore. “Ne jemi të orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit. Ne duam të përmirësojmë shkallën e operimit dhe të trajtojmë çdo çështje mjedisore që mund të ekzistojë”.
Roszak theksoi se, iniciativa e ‘Vetro’ për të marrë pjesë në tenderin e “Albpetrol” mori shkas nga disa pika, sic ishin, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, vend që aspiron për në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, partneri strategjik i konsorciumit, Rezart Taçi, theksoi se privatizimi i “Albpetrol”-it do të rrisë sigurinë dhe pavarësinë energjetike të vendit. Ai u shpreh i bindur për suksesin e projektit të “Vetro Energy” dhe nënvizoi se përvoja e kësaj kompanie dhe forca e saj menaxhuese mund ta shndërrojë Albpetrol-in në një burim të mirash për të gjithë.
“Grupi ynë në këtë projekt plotëson ciklin e tij të biznesit, që domethënë nxjerr, rafinon dhe shet te konsumatori. Në këtë linjë, konsumatori shqiptar do të marrë produkt shqiptar me kosto të ulët”- u shpreh Taçi.
“Vetro Energy” është një kompani operuese dhe menaxhimi me qendër në Singapor dhe Hjuston të Teksasit, SHBA, që ka për objektiv investimet në industrinë e nxjerrjes së naftës dhe gazit në mbarë botën. Drejtuesit e “Vetro Energy” kanë përvojë në këtë fushë në çdo kontinent të botës që prodhon naftë dhe gaz”.

Aksionerët
Aksionerët e “Vetro Energy” janë “YPO Holdings” dhe “SilkRoad Equity”. “SilkRoad Equity” është një firmë globale investimesh me portofole të diversifikuara të kompanive publike dhe private. Dy partnerët menaxhues janë “Huddleston Energy Advisors” dhe “Home Creek Energy”, të dyja kompani me përvojë në fushën e naftës dhe të inxhinierisë gjeologjike, e para e përqendruar në analiza për naftën e gazin dhe vlerësime gjeologjike dhe e dyta, një operator direkt nxjerrës i naftës dhe i gazit natyror. “Home Creek” ka për president dhe njëkohësisht drejtor të përgjithshëm ekzekutiv Anthony Maye. Ndërsa, “Huddleston” ka si president Peter Huddleston dhe është një kompani që operon në treg që nga viti 1967, - njofton vetë kompania. “Vetro Energy” është e certifikuar me ISO 9001 duke plotësuar kështu kërkesën bazë të ligjit për formulën e privatizimit, pa të cilën, pavarësisht nga shuma e lartë e ofertës, komisioni nuk mund të jepte ‘OK’-in për vijimin e saj në fazat e mëpasshme të tenderimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›