E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kompromisin dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual

Nga Prof. Lush SUSAJ

Ka kohë që ka filluar të luhet një lojë tipike shqiptare. Është një lojë që duhet lexuar me kujdes në të gjithë kapitujt, rreshtat dhe fazat e sajë. Duhet lexuar me kujdes sepse  është e mbushur me hipokrizi, vulgaritet dhe shterpësi për shkak se i mungon sinqeriteti, ndershmëria, burrëria intelektuale, kompromisi, e vërteta, e mbi të gjitha do të mungojë produkti i duhur dhe i shumëpritur shoqëror.

Kjo dëshmon për atë absurditetin dhe hiçin që vetë kemi krijuar përmes sjelljes së mbushur me sajesa, kollandrisje, shtirje, marri, aksidente dhe gafa të renda politike, shtetërore dhe diplomatike.

Në këtë lojë marrin pjesë dy skuadra, nga njëra anë janë shqiptarët, tashmë të njohur si njëri nga popujt më të vjetër i Europës që për fatin e tyre të keq kanë kaluar mbi 23 shekuj nga njëri pushtues tek tjetri, kohë shumë e gjatë e mbushur me barbari, egërsi e mbi të gjitha me shkatërrime në kulturë, identitet dhe histori.

Është një popull që për shumë shekuj me radhë u la pa shkollë dhe gjuhë amtare, pa qytetari, pa elitën shoqërore, pa politikë dhe pa diplomaci.

Edhe pas vitit 1912, kur realisht na u dha mundësia për të qenë të pavarur dhe për të patur edhe shkollën, edhe gjuhën e shkruar, edhe elitën, edhe  politikën, edhe diplomacinë etj, duke mos ua ditur vlerën, bëmë sikur po i ndërtojmë ato, por në fakt i sajuam dhe i zhvilluam të dobëta e të deformuara.

Ato që sajuam kurrë nuk patën forcën dhe as shkëlqimin e duhur sepse i kollandrisëm sa për të kënaqur marifetet dhe dëshirat e dajës, egon e fisit, menduam sa për të përshkruar atë rrugën e ngushtë e të mundimshme që të çon deri tek kodra ku bie kufiri i katundit apo mëhallës sonë të varfër.

Ndërsa nga ana tjetër, qëndrojnë politikanët e stisur që siç duket kanë marrë përsipër të vazhdojnë historinë e shkatërrimit edhe të atyre pak vlerave njerëzore, natyrore, historike e kulturore që u arrit të shpëtohen nga pushtimet e gjata e të njëpasnjëshme.

Në këtë lojë pa rregulla bie në sy ajo mungesa tradicionale e aftësisë dhe e dëshirës për të bërë kompromis.

Kjo është një nga simptomat më të rënda të asaj që mund të quhet kolera jonë shoqërore dhe politike që gjatë gjithë kohës ka prekur dhe shoqëruar elitat dhe politikën shqiptare.

Mungesa e kompromisit gjithnjë është shoqëruar me papunësi, emigracion, analfabetizëm, dhunë, korrupsion dhe degradim të mëtejshëm të kulturës shpirtërore dhe asaj materiale.

Në këtë pjesë të lojës së mbushur me vetëmohim dhe vetëshkatërrim, aktualisht po dëgjojmë dhe soditim edhe këtë absurditetin e radhës sipas të cilit në Shqipëri është shumë e vështirë për të gjetur një president gjithëpërfshirës.

Në fakt, problemi qëndron tjetërkund, realisht mungon vizioni dhe kuadri ligjor i presidentit, në këto kushte si për inerci po punohet për një sajesë tjetër, për më keq ndoshta po kërkohet një mashë e përshtatshme për dorën dhe krahun e kryetarit të fisit apo mëhallës që ka radhën apo forcën për tu ngritur.

Kërkohet një president konsensual, në të vërtetë, çartë dhe pastër do të thotë konsensus mbi një kandidaturë të ardhur nga forcat opozitare.

Ndërsa bëhet shumë zhurmë për asgjë, bëhet shumë zhurmë për të prishë edhe më tej imazhin dhe shanset e Shqipërisë përmes një loje të mbushur me sjellje grindavece, mendjemadhësi, mosbesim, shantazh e vetëbaltosje.

Duket sikur Shqipëria është një shtet dhe rajon shumë i madh për të cilin është shumë e vështirë të gjendët një njëri për president.

Dukët kështu sepse pasi është kopsitur ligji në atë mënyrë që mënjanon pjesëmarrjen dhe rrolin e sovranit, profesoriatit, artistëve dhe shoqërisë civile, lojtarët aktual të politikës janë të prirur që të peshojnë dhe matin me kujdes përfitimet e tyre përmes një presidenti të kollandrisur, njëkohësisht, lojtarët aktual të politikës i dinë mirë edhe kufijtë institucional deri ku mund të shtrijnë kthetrat e tyre në rastin e zgjedhjes së një shtetari me identitet dhe të përkushtuar në krye të punëve të vendit.

Janë zhvilluar dhe po zhvillohen shumë takime dhe debate për të gjetur një emër për president.

Në këtë situatë, politikanë, shumë kryetar fisesh e mëhallash më ngjajnë me ato vejushat e përrallave që dikur qëndronin në oborrin e mbretit duke shpresuar se mbi supin apo kokën e tyre do të ulej pëllumbi i fatit.

Ndërsa sot lexojmë edhe letrën e 27 intelektualëve të cilët i kërkojnë pëllumbit të fatit që të ulet mbi kokën e Fatos Nanos që pa dyshim, në këtë garë është kandidati më i besueshëm dhe më potencial.

Për të shuar sado pak shqetësimin e të gjithë atyre shqiptarëve që janë të shqetësuar për një president e që realisht mendojnë se në këtë vend nuk ka njerëz që mund ta bëjnë këtë punë, edhe unë mendova që të jap dy opsione në lidhje me këtë problem.

Së pari, për shkak të mënyrës se si është konceptuar rroli i presidentit, kompetencat dhe funksionet e tija ligjore si dhe për shkak të sjelljes abuzive të klaneve të politikës sunduese të këtyre dy dekadave ndajë institucionit të presidentit, institucioneve të drejtësisë, etj, duket se këtë punë të nderuar mund ta bëjnë shumë njerëz, madje dikush thotë që për si shkoj kjo punë, mund ta bëjë kushdo.

Në këtë situatë, duke ditur sjelljen e politikës ndajë presidentit si dhe kornizën kushtetuese dhe funksionale të tij, unë sugjeroj që në këtë kohë që po fluturon pëllumbi i fatit duhet të mbushen sheshet dhe listat me kandidatë.

Për listat dhe turmat, nuk ka arsye për tu shqetësuar pasi në këtë situatë të krijuar dhe me këtë model sjellje, president mund të zgjidhet çdo shqiptarë me moshë mbi 40vjeç e që ka mbaruar shkollën e lartë me sistemin part-time.

Së dyti, në këtë situatë, ka edhe një mënyrë, shembull dhe mundësi tjetër për të kollandrisur apo sajuar një emër të ri për president.

Dihet që në momentet e fundit, gjithnjë të mbushura me lodhje, zhgënjim dhe presion, kryetarët e kompanive politike i referohen mënyrës së zgjedhjes rastësore.

Kjo mënyrë konsiston tek ajo futja e duarve në thesin e vjetër me kollomoqa me qëllim zgjedhjen apo kapjen e një kallini në mënyrë sa më rastësore.

Për shkak të sëmundjes së njohur të mosqarkullimit të elitave, mosfunksionimit të rregullave të meritokracisë dhe vlerësimit të kontributeve në Shqipëri, mendoj se thesi i vjetër është saiti i fundit ku mund të gjendet zgjidhja fiktive e një situate të ngatërruar sipas mënyrës allashqiptarçe.

Historia shoqërore, shtetërore dhe politike e vendit tonë ka treguar se nga zgjedhjet rastësore dhe të sforcuara, kurrë nuk kemi patur fatin, shansin dhe as produktin e mirë.

Madje për shkak të produktit të hidhur që ka rezultuar nga këto zgjedhje rastësore, zgjedhje artificialisht të sforcuara, me të drejtë ka lindur edhe ajo batuta mjaft e njohur sipas së cilës politikanët e këtyre 22 viteve, sa herë që fusin dorën në atë thesin e kollomoqit, nxjerrin prej tij një karabush.

Unë do ti lutem zotit që të na mbrojë nga karabushat dhe nga kacolat.

Për ata lexues që nuk i kuptojnë këto dy emra, sqaroj se gjatë shekujve, në krahinat e Luginës së Drinit, karabush është quajtur një kalli misri pa kokrra, ndërsa kacol, është quajtur një kalli i vogël e me pak kokrra sterile.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›