E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut dhe e Drejtësisë

Jetmir Gjini

Ditët e fundit kemi mësuar rreth zhvillimeve të fundit në lidhje me Masakrën e Cërrikut. Mënyra sesi kjo ngjarje do të trajtohej nga ana e gjyqësorit dhe jo vetëm, shëmton madje gjymton imazhin e sistemit të drejtësisë duke munguar në dhënien e një mesazhi të fortë për ndëshkueshmërinë e akteve të tilla kriminale, sidomos përgjatë trazirave që siç dimë kanë tendencën të rikthehen. Duke referuar në rastin e Cërrikut do të mundohem të nxjerr më në pah disa çështje që mundojnë drejtësinë.

Një nga çështjet lidhet me afatet e paraburgimit të cilat në maksimum nuk i kalojnë tre vjet. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë të vetme me 3 muaj. Për 9 të arrestuarit e Bandës së Cërrikut ky afat do të ishte plot 4 vjet e gjysmë, por si shkak i tejzgjatjes së paraburgimit mund të merret shtyrja e seancave nga mungesat e justifikuara të avokatëve të cilat pezullojnë afatet dhe rrjedhimisht zgjasin periudhën e paraburgimit. Një paraburgim i zgjatur është në interesin e një të pandehuri që dënohet më vonë për një krim pasi në këtë rast një ditë paraburgim do të konvertohej në një ditë e gjysmë burg dhe padyshim që ky fakt nuk injorohet prej avokatëve. Dhe ja ku shprehja drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar gjen një tjetër përqasje.
Diçka tjetër që më shqetëson dhe kësaj radhe si taksapagues, është edhe kostoja financiare e kësaj çorbe që gatuhet herë pas here. Kështu, do të doja të ndalesha tek kostoja që mund të sjellë kërkesa për dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Konkretisht, kemi tre të pandehur që pas rreth 53 muajsh të izoluar në paraburgim, vuajtën edhe rreth 6 muaj të tjerë dënim me burg. Duke ditur se raporti midis një dite paraburgimi është sa një ditë e gjysmë burgimi, po të bëjmë llogaritë rezulton se: 53 muaj paraburgim x 30 ditë/muaj x 3 të pandehur x 75.000 lekë/dita = 357.750.000 lekë; 6 muaj burgim x 30 ditë/muaj x 3 të burgosur x 50.000 lekë/dita = 27.000.000 lekë.

Arsyeja se përse kjo më shqetëson është e thjeshtë. Këto janë paratë e mia dhe të çdo taksapaguesi tjetër. Në përfundim të kësaj maratone me rreth 150 seanca, gjykata do të vendoste për dënimin e të pandehurve me burg apo me burgim të përjetshëm. Pas filtrimit të fakteve dhe provave që çuan në dënime maksimale nga ana e gjykatës së krimeve të rënda, Apeli do të dilte në konkluzionin se provat mungonin dhe nuk do të mjaftohej me marrjen e një vendimi për pushimin e çështjes por do të jepte vendim pafajësie. Pas reagimit të ministrit të Drejtësisë, nuk na mbetet tjetër veçse të presim rezultatet e inspektimit me shpresën që e vërteta të dalë dhe fajtorët të vihen përpara përgjegjësisë.

Natyrisht, që me pafajësinë lind e drejta për të kërkuar dëmshpërblimin për burgimin e padrejtë. Pas një përllogaritjeje, në total kostoja financiare në formën e dëmshpërblimit del afërsisht 384 milionë lekë të vjetra, para këto të taksapaguesve.

Por cili është mesazhi që iu përçohet bashkëpunëtorëve të drejtësisë, kur shohin sesi edhe krimi më i tmerrshëm që në një moment merr dënimin më të rëndë, në një moment të dytë mund të finalizohet me pafajësi të plotë? Me pak fjalë, të penduarit e bandave po fillojnë të pendohen që kanë hapur gojën dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›