E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen 19 raste te reja me HIV vetëm në Tiranë, rikthehet edhe sifilizi

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë zbuluar 19 raste të reja me HIV/AIDS. Drejtoria e Shëndetit Publik ka vënë alarmin se sëmundjet seksualisht të transmetueshme po përhapen me shpejtësi në vendin tonë, dhe njerëzit nuk janë aspak të ndërgjegjësuar mbi rrezikun ndaj tyre. Sipas epidemiologëve këto sëmundje konsiderohen ende tabu për nga shumica e shqiptarëve, të cilët neglizhojnë vizitat apo kurimin e sëmundjeve. Ata shtojnë se të gjitha rastet janë zbuluar në mënyrë rastësore ndërsa dhuronin gjak, dhe jo për faktin se pacientët kishin shkuar vullnetarisht në spital për tu testuar ndaj SST-ve. Krahas rasteve me virusin HIV, janë diagnostikuar edhe 9 raste me sifiliz, vetëm për Tiranën, sëmundje kjo që nuk ishte parë prej vitesh në vendin tonë. Gjithashtu Qendra Kombëtare e Gjakut ka përjashtuar si dhurues mbi 240 persona të tjerë të diagnostikuar me hepatit B dhe C. Në Tiranë nga analizat që kryen Qendra Kombëtare e Gjakut dhe që konfirmohen nga Instituti i Shëndetit Publik rezultojnë që për këtë janë përjashtuar 211 raste sepse kanë rezultuar të infektuar me hepatitin B. Po kështu 42 raste të infektuar me virusin e hepatiti C. Janë deklaruar dhe 9 raste me sifiliz, thotë  epidemiologu Halil Stana. Për këtë arsye specialistët e shëndetit tërheqin vëmendje, që aktiviteti seksual të kryhet i mbrojtur dhe jo me persona të rastësishëm. Epidemiologu Stana apelon që emigrantët që kthehen për pushime dhe të rinjtë janë kontigjenti më në rrezik, ndaj ata duhet të jenë sa më të vëmendshëm kundrejt shëndetit të tyre. Këto janë nga depistimi pasiv. Nëse do të futemi për të bërë një depistim më të madh, sigurisht që do të jetë më e madhe. Përpara se të kryejmë marrëdhënie seksuale duhet që detyrimisht të mbrohemi. Mjeti mbrojtës në të gjithë botën është kondomi, shprehet epidemiologu. Mjekët apelojnë, që çdo person i diagnostikuar të mjekohet në kohë nëse është i prekur nga sëmundje seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi apo gonoreja, pasi në të kundërt, riskohen me 10 herë për marrjen dhe transmetimin e virusit HIV. Po kështu, çdo person i dyshuar i drejtohet testimeve falas pranë ASHR-së, ku me anë të kiteve të shpejta diagnostikohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Sipas statistikave më të fundit të raportuara pak ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm 11 % e shqiptarëve përdorin metodat moderne të kontracepsionit, një shifër shumë e ulët kjo, krahasuar me vendet e tjera europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›