E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për marrëdhëniet Shqipëri-Kinë

Në arkivat e fletoreve zyrtare të Republikës së Shqipërisë është një Dekret i vitit 1963 për Ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit, që përmban këtë deklaratë bashkëngjitur Konventës:
"Qeveria shqiptare deklaron se vendimi i marrë nga Konferenca e të Plotfuqishmëve të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Gjenevë 1959, për njohjen e plotfuqive të përfaqësuesve të Çan Kaj Shisë [Taivanit, shënimi ynë], për të marrë pjesë në Konferencë dhe për të nënshkruar aktet përfundimtare në emër të Kinës është i paligjshëm sepse përfaqësuesit legjitimë të Kinës nuk mund të jenë veçse ata që emërohen nga Qeveria e Republikës Popullore e Kinës". [Dekreti Nr. 3661, dt. 10.4.1963, GZ 63/10/188].


Deklarata të ngjashme u bënë edhe në mbledhje e forume të tjera të O.K.B.- së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare.


Kishte filluar kësisoj, një ndër betejat më interesante në historinë e diplomacisë shqiptare, por edhe në të drejtën ndërkombëtare, ku një vend i vogël si Shqipëria përdorte çdo forum ndërkombëtar për të kërkuar vendosjen e të drejtave të ligjshme të qeverisë së R. P. të Kinës, si përfaqësuese e vetme e të gjithë popullit kinez.


Ende e pastudiuar në fakultetet shqiptare të drejtësisë, apo edhe të diplomacisë, kjo betejë arriti kulmin në shtator 1971 kur, pas vitesh përpjekjeje, diplomacia shqiptare arriti të miratojë rezolutën për pranimin e R. P. të Kinës në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit
Kuptohet, se herët ose vonë kjo do të ishte arritur, por gjithsesi ky hap i diplomacisë shqiptare i çeli rrugë objektivisht fillimit të diplomacisë së ping-pongut më 1973, takimit midis Presidentit amerikan Nikson dhe udhëheqësit të popullit kinez, Mao Ce Dun, çka hapi një faqe të re në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare,
Sot kur Kina e Re ka mbushur 60 vjet, rëndësia historike e marrëdhënieve shqiptaro-kineze nuk mund të mohohet dhe as ajo e lidhjes së marrëdhënieve amerikano-kineze.


Po përmendim vetëm se Kina sot është ekonomia e tretë në botë, se marrëdhëniet SHBA - Kinë janë shumë të ngushta, madje strategjike në pothuajse të gjitha fushat, se Kina mbetet blerësi më i madh i bonove të thesarit amerikan, etj.


Shpallja e Republikës Popullore të Kinës nga Mao Ce Duni më 1 tetor 1949 shënoi një kthesë përfundimtare në historinë gati 6000 vjeçare të Kinës dhe në rolin e saj në botë. Perënduan kohërat kur Kina përulej para vendeve koloniale, sikurse ishte rasti i Luftës së Opiumit me Perandorinë Britanike (1839-1860), apo kur ajo ishte e përçarë dhe e dobët, sikurse ndodhi para dhe gjatë pushtimit japonez.


Edhe pse me histori e tradita të ndryshme, midis popullit shqiptar dhe atij kinez ka shumë gjëra të përbashkëta. Historiografia zyrtare pranon 1 shtatorin e vitit 1939 si fillimin e Luftës II Botërore. Mirëpo, për shqiptarët lufta kishte filluar qysh me pushtimin italian më 7 prill 1939, kurse populli kinez kishte plot tetë vjet që luftonte kundër pushtuesve japonezë, qysh prej Incidentit të 18 shtatorit 1931 dhe pushtimit të mëpasëm të Mançurisë.


Pushtuesit japonezë kryen më pas në Kinë ndër masakrat më të tmerrshme në histori, përfshirë Masakrën e Nankinit, ku u vranë dhe u përdhunuan mbi 300,000 veta, apo përdorimi për herë të pare i armës kimike dhe bakteriologjike (përhapjen e murtajës nëpërmjet hedhjes së insekteve të infektuara), etj.


Këto dhe krime të tjera të luftës arritën kulmin me taktikën e luftës totale [Sanko Sakusen, ose "Vriti të gjithë, shkatërro gjithçka, digj gjithçka") gjatë viteve 1942 -1945 që shkaktoi përmbi 2 milion viktima.


Duke u kthyer te zhvillimet e viteve '70, ndryshe nga trajtimi pragmatist dhe në interes të vendeve të tyre i marrëdhënieve dypalëshe, i ndërmarrë nga Presidenti Nikson dhe Kryetari Mao, Shqipëria e asaj kohe vendosi kriteret ideologjike përmbi interesat e kombit dhe të popullit, duke ngelur kësisoj jashtë zhvillimeve të vrullshme që impononte koha.


Gjithsesi, respekti, mirënjohja dhe miqësia e sinqertë midis dy vendeve dhe popujve mbeti e patundur. Dëshmi për këtë janë Deklarata prej Nëntë Pikash midis Kryeministrave Uen Xhia Baos dhe Fatos Nanos e 14 shtatorit 2004 dhe sidomos, deklarata e përbashkët Berisha - Uen Xhia Bao "Për thellimin e miqësisë tradicionale midis R. P. të Kinës dhe R. së Shqipërisë e 21 prillit 2009.


Deklarata Berisha - Uen Xhia Bao vlerëson se 60 - vjetori i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve është pasuri e çmuar, e krijuar nga të dy popujt, që mbetet në themel të fuqizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat nuk pengohen nga dallimet në të kaluarën historike, sistemin shoqëror, ideologjinë dhe modelin e zhvillimit.


Deklarata thekson dëshirën për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, mbështetur në pesë parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, i cili do të jetë në nivelin qeveritar, parlamentar, midis partive politike, etj.


Zhvillimi i tregtisë, i marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve zë vend të rëndësishëm në këtë deklaratë.


Vlen të theksohet këtu përdorimi i shprehjes "realizimi i një tregtie të balancuar në një të ardhme sa më të afërt," si dhe faktin që "pala kineze mirëpret hyrjen e më shumë produkteve shqiptare në tregun kinez".


Për të kuptuar rëndësinë e kësaj pike mjafton të përmendim se sot Kina është një treg shumë i rëndësishëm për konsumin e mallrave amerikane, duke kontribuar kësisoj, në mënyrë thelbësore, për zbutjen e krizës, rritjen e punësimit dhe ringritjen ekonomike në Amerikë.


Sigurisht, hyrja në tregun kinez nuk është e lehtë për shumë arsye, përfshirë cilësinë e lartë dhe çmimet e ulëta të produkteve vendase. Mirëpo Kina mund të jetë ndër vendet e rralla, ku marka "made in Albania" shikohet ende me interes dhe dashamirësi. Hyrja e kompanive shqiptare në tregun kinez do të ndihmonte jashtëzakonisht në rritjen ekonomike të vendit, zbutjen e varfërisë, uljen e papunësisë etj.


Në këtë drejtim, ka shumë rëndësi aktivizimi i menjëhershëm dhe i rregullt i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar. Është e nevojshme që ky komision të mblidhet njëherë në 6 muaj, duke filluar sa më parë.


Rëndësi ka, gjithashtu, hapja e Dhomës Kino-Shqiptare të Tregtisë. Duhet theksuar se Dhoma Amerikane e Tregtisë ka në Republikën Popullore të Kinës njërën ndër organizatat më aktive dhe më të fuqishme të saj. Po ashtu, përveç kësaj, ekziston edhe Dhoma e Tregtisë SHBA - Kinë me qendër në Çikago, e cila edhe ajo është mjaft aktive dhe e fuqishme.


Deklarata Berisha - Uen Xhia Bao nënvizon dëshirën për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e kulturës, arsimit, radio-televizionit, filmit, si dhe turizmit, bujqësisë, shëndetit publik, shkencës dhe teknologjisë, në fushën e pushtetit vendor si dhe midis organizatave shoqërore e jo-qeveritare. Por, asistencë kineze mund të merret edhe në fushën e drejtësisë, dhe veçanërisht në Konventën e OKB-së për Të Drejtën e Detit, ku Kina ka ndër ekspertët më të mire në botë.


Shqipëria ishte ndër vendet e para që e njohu Kinën e Re 60 vjet më parë. Mirëpo sot shtrohet si domosdoshmëri për të ardhmen e vendit konkretizimi pa vonesë i të gjitha angazhimeve të Deklaratës Berisha - Uen Xhia Bao.


Ndërkohë, vende të tjera nuk po rrinë pas. Kështu, Serbia po i forcon me shpejtësi marrëdhëniet me Kinën, ku spikat marrëveshja e fundit e 23 tetorit për ndërtimin e urës ultramoderne mbi Lumin Danub në Beograd.


Përse Shqipëria të mos zhvillojë me koncesione kineze hekurudhat e saj të vjetëruara, transportin e brendshëm ajror me flotën përkatëse, apo tunelin e autostradës dhe hekurudhës Përrenjas (Shqipëri) - Strugë (Maqedoni) sa për të përmendur disa shembuj?


Fuqizimi i marrëdhënieve Kino - Shqiptare nuk drejtohet kundër askujt dhe nuk duhet të shqetësojë askënd. Ekziston një pikëpamje e pambështetur, sikur kinse është Amerika ajo që kundërshton këto marrëdhënie.


Mirëpo, a mund të pranohet arsyetimi se administrata amerikane mban nga njëra anë marrëdhënie të shkëlqyera me Kinën (kini parasysh, p.sh. vizitën e Presidentit Obama në muajin nëntor në Kinë dhe bisedën e tij me Presidentin Hu Xhintao më 21 tetor), por nga ana tjetër nuk paska interes që Shqipëria të ketë edhe ajo lidhje të tilla me vendin-kontinent?


Madje, marrëdhëniet Shqipëri - Kinë duhen ringjallur edhe në fushën ushtarake. Përsëri shembulli vjen nga Amerika: pikërisht këto ditë, po pritet me nderimet më të mëdha në Uashington Gjenerali Xu Caihou, zv. Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak dhe Sekretari Gejts pritet ta kthejë vizitën së shpejti.


E trajtuar pa pikë dinjiteti dhe gati si lypëse në portat e Brukselit, Shqipëria nuk duhet të ngurrojë të ruajë e të forcojë marrëdhëniet strategjike të ngushta qoftë me SHBA-në, e cila historikisht bllokoi copëtimin e vendit të planifikuar prej shteteve evropiane, qoftë me Kinën, që me fuqinë e saj ekonomike mbetet sot për sot mundësia reale për të krijuar një Shqipëri të begatë, të fortë ekonomikisht e me dinjitet në rrafshin ndërkombëtar. Vetëm kësisoj ajo do të mund të pranohej si partnere e barabartë në një Evropë ende e ftohtë dhe skeptike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›