Arrestohet vrasësi i pronares së lokalit në Vlorë
VLORE - Është arrestuar mbrëmë vonë në Kalivaç të Tepelenës, autori i krimit të djeshëm në Vlorë. Policia ka gjurmuar gjithë lëvizjet e tij, duke arritur ta prangosë në një lokal të këtij fshati, disa orë pasi kishte kryer krimin e vrasjes. Për tu larguar nga vendngjarja ai ka përdorur një automjet tip fuoristradë. Autori i ka drejtuar armën shoferit të automjeti duke e detyruar të bëjë transportimin e tij deri në fshatin Velç.
Në një njoftim për mediat, policia e Vlorës bën të ditur se "Shezai Habila Zhabaj 45 vjeç është arrestuar rreth orës 23:10 të ditës së djeshme, ku iu gjet edhe arma e krimit kallashnikov me shtatë fishekë. Ai akuzohet për katër vepra penale: Vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, rrëmbim dhe vjedhje me armë. Autori pas vrasjes ka vënë nën presion e armës një burrë nga Vlora duke e detyruar ta shoqërojë me makinë. Në momentin e largimin i ka marrë atij një aparat celular dhe 3 mijë lekë të reja.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite në qytetin e Vlorës, kur një grua, pronare e një bari u ekzekutuar me kallashnikov brenda lokalit që kishte me qira. Viktima Stoli Sheraj, 50 vjeç, e divorcuar, ka qenë e ulur në një nga tavolinat e lokalit kur u qëllua për vdekje.
Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, autori ka hyrë brenda dhe pa asnjë shpjegim ka zbrazur rreth 6 plumba mbi trupin e viktimës dhe më pas është larguar me shpejtësi së bashku me armën e krimit.
Policia ka bërë shumë shpjet identifikimin e autorit dhe e ka shpallur atë në kërkim. Vrasja ka ndodhur në sytë e djalit të viktimës, një i ri rreth 18 vjeç. Sipas të dhënave të para mësohet se të dy(autori dhe viktima) janë me origjinë nga i njëjti fshat, nga Velça e Vlorës. Ende nuk ka një variant zyrtar për motivet e krimit, por thuhet se mes autorit dhe viktimës ka pasur një marrëdhënie jashtë martesore. Policia ende nuk ka arritur të marrë dëshminë e autorit i cili ka edhe çrregullime mendore.