Për nder të klasikëve
Koncerti filloi me tingujt e veprës muzikore “Kroi i Fshatit Tonë”, të kompozitorit Rexho Mulliqi. Qëllimi i mbajtjes së këtij koncerti ishte promovimi i veprave të klasikëve shqiptarë, gjegjësisht i kompozitorëve që lanë gjurmë në muzikën artistike shqiptare, si Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Palokë Kurti, Lorenc Antoni, Simon Gjoni, etj. Veç kësaj, ansambli i përbërë nga 17 instrumentistë ka synim edhe promovimin e vlerave muzikore shqiptare nëpër botë.
Ansambli “Rexho Mulliqi” ka zgjedhur instrumentistët më të rinj dhe më të talentuar kosovarë, shumica e të cilëve janë edhe anëtarë të Filarmonisë së Kosovës. Themeluesi i Ansamblit është Luan Durmishi, i cili ishte edhe solist në koncert, ndërsa mysafire speciale ishin këngëtarja e njohur e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, dhe sopranoja Jeta Çitaku, por edhe shumë personalitete tjera nga fusha artit dhe kulturës.
“Kjo është një nismë pozitive e këtyre instrumentistëve të rinj, ndërkohë që edhe prezantimi i tyre ka qenë në një nivel të kënaqshëm. Me një fjalë, ishte ky një koncert solid” , u shpreh për Express drejtori i Filarmonisë dhe Operës së Kosovës, Baki Jashari, lidhur me koncertin e Ansamblit Rexho Mulliqi. Jashari përmendi edhe ndihmën që i ansamblit iu dha nga Filarmonia e Kosovës, kryesisht në formë të instrumenteve muzikore.
Ndryshe, veprat që u interpretuan në koncert ishin “Kroi i Fshatit Tonë” e autorit Palokë Kurti, “Mjedis Ballit” e Albert Paparitit, “Elegji për Luigj Gurakuqin” e Limos Dizdari, “Margjelo” e Prenk Jakovës, “Vajzë e Vogël” e Simon Gjonit, “Në Prizrenin e Vjetër” e Lorenc Antonit, “Je Crois Entendre Encore” e Georges Bizet, “Hej Ju Male” e Çesk Zadesë, dhe “Baresha” e Rexho Mulliqit. Të gjitha veprat e interpretuara ishin përzgjedhur me përpikëri nga dy kompozitorët, Kushtrim Gashi dhe Drinor Zymberi, të cilët me profesionalizëm i orkestruan perlat e muzikës shqiptare, duke i sjellë ato në një frymë bashkëkohore për secilin instrument, por edhe duke ruajtur me fanatizëm vijën melodike të vokalit të kompozitorëve të njohur shqiptarë. Rrjedhimisht, ajo që u dëgjua të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar ishte një gërshetim i shkëlqyer ndërmjet bashkëkohores dhe klasikes. Për më tepër, sipas disa prej interpretuesve të këtij koncerti, për herë të parë në Kosovë u thye besimi se një koncert klasik te ne s’mund të funksionojë fare nëse biletat paguhen.
Ansambli Rexho Mulliqi ndërkohë planifikon që të mbajë koncerte edhe jashtë Kosovës. Në këtë rrafsh, pjesëtarët e ansamblit shprehen se janë në kontakt me disa autorë të muzikës klasike në Francë dhe Japoni.
Nga ana e tij, sopranoja, Luan Durmishi, e arsyetoi shkakun se përse ky ansambël u emëruar sipas kompozitorit të njohur kosovar.
“Kompozitori Rexho Mulliqi ishte themelues i muzikës artistike në Kosovë. Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, në veprat e të cilit vërehet prezenca e folklorit tonë. Mirëpo, ai gjithmonë trajtohet në suazat e hapësirave të tjera krijuese, mbase të atyre evropiane”, tha Durmishi. Sipas tij, kompozitori Rexho Mulliqi ishte njëri prej kompozitorëve tanë që angazhimin e tij profesional e realizoi si kompozitor, si profesor dhe si krijues muzikor.
“Pra, ishte një iniciator i formimit të jetës muzikore në ambientin kosovar”, u shpreh Durmishi.
Durmishi dhe pjesëtarët e tjerë të ansamblit thonë se ky është vetëm fillimi i veprimit që synon Ansambli Rexho Mulliqi. Kjo ngase, me frymën e tij krijuese ansambli do të vazhdojë t’i ruaj, t’i kultivojë dhe t’i promovojë me dashuri, pasion e fanatizëm vlerat e jashtëzakonshme të muzikës artistike kombëtare.
Natyrisht, sipas Durmishit, emërtimi i këtij ansambli me emrin e kompozitorit Rexho Mulliqi gjithashtu paraqet një shprehje nderimi dhe përkujtimi artistik ndaj këtij artisti të jashtëzakonshëm, me artin dhe veprën jetësore të të cilit identifikohen fillet, rrita dhe zhvillimi i muzikës artistike kombëtare në Kosovë.