Për një program të ri mbi fshatin
Partia Socialiste, si një forcë e përgjegjshme dhe serioze, për shtetin dhe shoqërine në tërësi, po harton një program zhvillimi strategjik afatgjatë dhe afatshkurtër, urgjent, konkret e me detaje, dhe për këtë ka angazhuar një pjesë të specialistëve më të mirë të fushës, ka kërkuar bashkëpunimin e specialistëve më të aftë, por njëkohësisht edhe të gjithë atyre njerëzve që e njohin dhe e duan fshatin, bujqësinë, dhe kanë vullnetin, bindjen e pasionin njerëzor ta realizojnë këtë detyrë jetike.
Nuk është fjala të gënjehet fshati me premtime e fjalë të bukura, me strategji që nuk realizohen kurrë e me projekte aventureske. Fshatarët kanë nuhatje e të kuptojnë sa serioz je dhe sa me seriozitet e ke që në fjalët e para. Ata nga natyra dhe nga përvoja shekullore janë skeptikë, dyshues dhe ndërkohë shumë praktikë. Te ne aktualisht janë edhe të goditur e të dërrmuar psikologjikisht, u është lëkundur besimi, madje edhe dashuria për bujqësinë e blegtorinë, u është bërë truri lëmsh nga kapitalizmi alla-shqiptar, i cili nuk u ka ofruar e nuk po u afron asgjë veç çoroditje, mosbesim, braktisje e mallkim të fatit të keq! E si të mos mjaftonin vetëm këto, në zonat tona rurale janë dëmtuar, braktisur, shkatërruar, tjetërsuar resurse të jashtëzakonshme të bujqësisë e blegtorisë, pyjeve, ujërave etj.
A do të jetë në gjendje PS të realizoje përmbysjen e madhe në mentalitet, në praktika, në legjislacion e, mbi të gjitha, në një strategji, në një program sa më të besueshëm, bindës, të zbatueshëm në një vend si i yni, ku rreth 46% e popullsisë jeton në zona rurale?
Nisur nga sa me sipër, del i domosdoshëm ndërtimi i një strategjie të zhvillimit rural, e cila nuk i ka munguar vendit tonë, por ato edhe kur kanë qenë të mira, kanë mbetur thjesht e vetëm në letër. Çduhet bërë ndryshe që strategjia të marrë jetë?
Së pari, duhet ta njohim mirë gjendjen reale. Sot fshati është braktisur, një pjesë e madhe kanë zbritur e po zbresin nëpër qytete, të tjerë, e këtu përfshihen moshat më aktive, kanë ikur ose kërkojnë shtigje për në emigracion. Të tjerët, ata që mbeten, nuk dinë si ta mbyllin të sotmen e si do tu vijë e nesërmja. Varfëria, mungesa e vizionit dhe e perspektivës, janë ulur këmbëkryq në fshatin shqiptar.
Për ironi të fatit, fshati shqiptar prej kohësh nga politika zyrtare vlerësohet, e shumta si alibi për të mbuluar statistikat zyrtare të papunësisë së lartë që karakterizon Shqipërinë, apo si arenë hipotetike për hedhje idesh absurde e qesharake, si ato të 25 milionë ullinjve, arrorëve e shegoreve, për të justifikuar mungesën totale të vizionit të qartë e të politikave të zhvillimit real nga ana e shtetit.
Se dyti, duhet tu japim zgjidhje pyetjeve si: Çdo të bëjmë për zonat rurale të thella e malore? Cilat janë resurset e tyre natyrore, bujqësore e blegtorale, turistike, të ekosistemit, po ashtu, cilat janë traditat e përvojat dhe me çpolitika e mjete konkrete do ti mbështesim që të dalin nga prapambetja, të mëkëmben dhe të marrin fatin e tyre në dorë? Çdo të bëjmë për zonat fushore e kodrinore, ku realisht janë potencialet më të pashtershme e mundësitë më të mëdha për një zhvillim agroindustrial bashkëkohor? Cilat do të jenë politikat e organizimit e të zhvillimit të sektorit bujqësor? Si do të kapërcehet nga stadi mesjetar i ekonomisë së vogël drejt formave kapitaliste të zhvillimit?
Cilat do të jenë rrugët e mundësitë që ne duhet të krijojmë për implementimin e ekonomisë së tregut në bujqësi, blegtori, agrobiznes e përgjithësisht në zhvillimin rural?
Këto e mjaft pyetje të tjera si këto shtrohen sot para nesh, sepse edhe pas dy dekadash në ekonominë e tregut, Shqipëria karakterizohet nga një hapësirë rurale shumë pak e zhvilluar dhe nga një çoroditje gjithmonë dhe më e madhe e bujqësisë. Megjithëse rreth 18% e të ardhurave sigurohen nga ky sektor, investimet në bujqësi sot zënë rreth 3.05% të buxhetit, ose 0.50% të GDP. Këto shifra nuk tregojnë vëmendje, por diskriminim.
Më tepër se kudo në zonat rurale nuk ka mundësi punësimi alternativ, nuk ka mundësi reale gjenerimi të ardhurash përveç se nga prodhimi bujqësor dhe ai blegtoral për atë numër të kufizuar fermash që arrijnë të dalin në treg. Banorët e këtyre zonave vuajnë nga mungesa e shërbimit shëndetësor, ka mangësi në fushën e arsimimit, infrastruktura rrugore mungon ose është në gjendje të mjerueshme, ka mungesa në ujë të pijshëm, kanalizime, elektricitet dhe shumë shërbime të tjera të domosdoshme për një jetesë normale.
Partia Socialiste duhet të bëjë një përmbysje të kësaj gjendjeje. Kjo sbëhet me deklarata e premtime, as vetëm me dëshirën e mirë. Bëhet me njohje të mirë të gjendjes, me vizion të qartë, me politika konkrete. Bëhet nëse vetë ne do të kemi bindjen dhe besimin e plotë jo vetëm për domosdoshmërinë e këtij transformimi, por edhe mënyrën se si do bëhet ai.
Mbështetur në programin politik të PS për një zhvillim rural shumësektorësh, të integruar dhe të qëndrueshëm, objektivi madhor i politikave tona do të jetë: Modernizimi i bujqësisë, zhvillimi i infrastrukturës, ruajtja e popullsisë rajonale, mbrojtja dhe menaxhimi i peizazhit, diversifikimi rural ekonomik, kohezioni social e ekonomik dhe reduktimi e eliminimi i disavantazheve rurale.
Ky objektiv do të mundësojë rritje të prodhimtarisë si rezultat i përmirësimit të përdorimit dhe shfrytëzimit të balancuar të resurseve në hapësirat rurale, mbrojtje dhe përmirësim të mjedisit rural, përmirësim të cilësisë së jetës dhe diversifikim të aktiviteteve prodhuese, miradministrim të territorit rural.
