Vendimi i Qeverise: Pronat, ndryshojnë çmimet e kompensimit
Qeveria miraton ndryshimet në ligj: Kompensim sipas tregut, krijohet Drejtoria e Koordinimit për kthimin e tokave.
Qeveria ka ndryshuar formulën për llogaritjen e çmimit të pronave që kompensohen. Ndryshe nga deri tani, do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë autoritetin i cili do të vendosë për çmimin e pronave që kompensohen. Gazeta zbardh ndryshimet e ligjit dhe krijimin e një drejtorie të re, e cila do të kontrollojë të gjithë procedurat e Agjencisë së Pronave.
Vlerësimi i tokës
Vlerësimi i pronave të ish-pronarëve do të bëhet me çmimin e tregut. Kjo është përmbledhja me pak e fjalë e ndryshimeve ligjore të djeshme. Në ligjin aktual, vlerësimi i pronës bëhej nga ekspertët e Agjencisë së Pronave Vendore. Këta të fundit për të nxjerrë çmimin bazoheshin në metodologjinë e propozuar nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar nga Kuvendi. Në ligjin e ri parashikohet që të hiqet kjo lloj varësie në nxjerrjen e çmimit dhe të vendosen tri kritere të tjera. Një ndryshim është edhe fakti që metodologjia e nxjerrjes së çmimit nuk do të përcaktohet më nga Kuvendi, por nga Këshilli i Ministrave: Metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Por sidoqoftë, në tri kriteret mbi të cilat do të bazohet nxjerrja e çmimit të pronës, i pari është çmimi i tregut. Dy kriteret e tjera janë lloji i pasurisë së paluajtshme dhe qëllimi i përdorimit të pasurisë së paluajtshme. Problemi i lindur në këtë rast është hapësira e madhe e krijuar në vlerësimin e pronave që kompensohen. Vendimi i fundit për çmimet me të cilat kompensohen ish-pronarët, është i vitit 2008. Që atëherë nuk ka pasur një rivlerësim të pronave, duke bërë që çmimet të jenë më të ulëta sesa ato të tregut. Ndryshimi i djeshëm i qeverisë synon pikërisht shmangien e këtij diskriminimi. Në pikën e fundit të këtij neni parashikohet që Këshilli i Ministrave përcakton institucionin përgjegjës për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe për administrimin e saj.
Drejtoria e kontrollit
Një problem madhor në çështjen e pronave ka qenë përplasja mes institucioneve për dhënien e një vendimi të drejtë njohjeje apo kompensimi. Në rastin e legalizimeve, kjo përplasje mes Hipotekës, Agjencisë së Pronave dhe vetë ALUIZNI-t ka bërë që vetëm 4 për qind e vendimeve të legalizimit të marrin tapitë. Në vendimin e djeshëm, qeveria parashikon krijimin e një drejtorie kontrolli për të bashkërenduar lidhjen mes këtyre institucioneve. Në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë ngrihet dhe funksionon Drejtoria e Koordinimit të Procesit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, më poshtë e quajtur Drejtoria e Koordinimit. Kjo drejtori duket se do të bëjë survejimin e të gjithë procesit. Drejtoria jep mendim të specializuar për çdo akt që rregullon çështje që lidhen me të drejtat e pronësisë. Mbikëqyr e monitoron procesin e kompensimit të pronave dhe implementimin e masave strategjike për çështjet e pronave. Por sidoqoftë, pika kryesore duket se do të jetë zgjidhja e përplasjes mes institucioneve. Drejtoria bashkërendon punën e të gjitha institucioneve të përfshira në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, veçanërisht AKKP, Hipotekën, ALUIZNI-n, Drejtorinë e Administrimit të Shitjes së Pronës Publike, Komisionin Qeveritar të Tokës, si dhe Avokaturën e Shtetit.
Shtyhet afati
Nga janari deri sa të miratohen ndryshimet e reja ligjore, Agjencia e Kompensimit të Pronave nuk kishte mandat ligjor për të kryer veprime me kërkesat e pronarëve. Në ligjin e vjetër theksohej se Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2011, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit. Dje, qeveria vendosi të shtyjë deri më 30 prill 2013 këtë afat. Por, në rast se ky mund të ishte dështimi i Agjencisë, shtyrja e afatit për miratimin e fondit të pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik, është dështim i vetë qeverisë. Edhe ky afat shtyhet deri më datë 30 prill 2013, sepse qeveria nuk ka bërë asgjë për kompensimin fizik të pronarëve.
Ndryshimi i ligjit
Vlerësimi i pronës
Ishte
1. Për vlerësimin e pronës që kompensohet, Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të paluajtshme ngre grupin e ekspertëve. Komisioni cakton në rolin e ekspertit persona me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike, që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
2. Vlera e pronës që kompensohet, sipas këtij ligji, përcaktohet në bazë të vlerës së tregut, në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar me vendim të Kuvendit.
3. Në kryerjen e veprimtarisë së tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të ekspertëve nuk duhet të jetë në kushtet e pengesës ligjore të përcaktuar ne Kodin e Procedurave Administrative.Vlerësimi i pronës
Bëhet
Vlerësimi i pronës që kompensohet, do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj.
Procesit të vlerësimit të pronës sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, i nënshtrohen:
Toka
Objektet ndërtimore
Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall i përdorur për qëllime publike, tregtare, industriale apo qëllime të tjera ndërtimi.
Metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme.
Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme:
Çmimin e tregut
Llojin e pasurisë së paluajtshme
Qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme
Treguesit bazë të vlerës së pasurisë së paluajtshme do të përcaktohen dhe do të miratohen të veçanta për tokën, ndërtesat dhe strukturat inxhinierike.
Vlera e pasurisë së paluajtshme do të llogaritet si një shumë e vlerave të një njësie, objekti ndërtimor/struktura inxhinierike, dhe tokës mbi të cilën ngrihet kjo e fundit, të cilat do të formojnë një pasuri të veçantë të paluajtshme.
Këshilli i Ministrave përcakton institucionin përgjegjës për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe për administrimin e saj.
Berisha: Shqyrtim titujve të pronësisë mbi tokën bujqësor
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha ka prezantuar dhe dy nismat e reja, që synojnë rregullimin e çështjes së pronës. Nisma e parë ka të bëjë me shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore të ndryshuar, draft i propozuar nga ministri i Bujqësisq, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Ky ligj u jep një përgjigje të shkëlqyer disa problemeve të mbetura nga vitet e mëparshme, disa probleme me specifikë për disa ferma dhe zona të tjera të veçanta. Ligji i tjetër sërish ka lidhje me pronësinë dhe është për disa