E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një atdhedashuri të re, kundër anarkisë patriotike

Share

Nga Enver Robelli

Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm parak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do tua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do tu sjellë mirëqenie

Ka disa muaj që shqiptarët, kudo në Ballkan, po joshen nga popullistë të rinj e të vjetër me një produkt tepër të lirë: patriotizmin folklorik. Ky biçim patriotizmi po vendoset në tezga të ndyra, po mbështillet me flamuj kombëtarë të vegjël e të mëdhenj, po stërstoliset me shenja kombëtare bash ashtu siç pispilloset, ta zëmë, një valltare e klubeve të natës në kërkim të ndonjë myshteriu të dehur. Në kushte të lirisë është lehtë ta shndërrosh patriotizmin në sport, të paraqitesh si pronar i licencës për dashuri ndaj atdheut, të trumbetosh një lloj monopoli ndaj të ashtuquajturave vlera kombëtare. Thirrjet e serta në stilin ne jemi 10 milionë, me të cilat synohet të tregohet se edhe shqiptarët dinë të tregojnë muskujt, janë vetëm një kopje e keqe e parullës së nacionalistëve serbë nas i rusa 300 miliona (ne dhe rusët 300 milionë). Dalldia e patriotizmit folklorik me gajtanë e xhamadanë tregon se shqiptarët askund në Ballkan nuk janë ende sa duhet të pjekur për tu ballafaquar me problemet reale. Pasi nuk kanë as guxim, as vetëdije qytetare, as gatishmëri për të luftuar për drejtësi ligjore dhe sociale, shumica e shqiptarëve kanë zgjedhur rrugën e lehtë: kalojnë kohën në kafehane ose para televizorit duke dëgjuar herë këngë gjaknxehta, herë duke shikuar teatrin e përditshëm politik.

Në vitin 1924 Fan Noli në një fjalim të mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë kishte numëruar disa anarki, të cilat e vështirësonin ose e bënin të pamundshëm zhvillimin e shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Si është puna sot?

Anarkia politike: 100 vjet pas Pavarësisë dhe 20 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri klasa politike mbetet e polarizuar dhe e kurthuar në konflikte personale dhe në ballafaqim e luftë për kontroll të resurseve publike. Nepotizmi, korrupsioni, manipulimet mbesin prodhimet kryesore të fabrikës politike shqiptare. Vetëm në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë shqiptare ende nuk ka zgjedhje të lira. Ende vidhen votat. Vetëm në këto vise kundërshtari politik shpallet armik dhe vritet. Duhet të jenë me dhjetëra kundërshtarë politikë të vrarë që nga viti 1990 e këtej nga dora e shqiptarit. Polarizimi ekstrem ka çuar në paralizimin e sistemit politik, i cili nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim në të mirë të Shqipërisë pa kaluar nëpër drama të mëdha dhe pa ndërhyrjen e misionarëve ndërkombëtarë. Gjendja në Kosovë nuk dallon shumë, sepse për çdo ditë po kopjohet modeli i kanibalizmit politik të Tiranës. Përballë kësaj situate nuk duhet pritur aspak respekt nga të huajt për dinjitetin politik të një shoqërie dhe të republikave me shumicë shqiptare në Ballkan. Këtë e tregojnë edhe paraqitjet e shpeshta mediale të diplomatëve në Tiranë e Prishtinë: ata nuk flasin me zë të qetë, por bërtasin e qortojnë me vokabular jodiplomatik, sepse jo vetëm atyre u ka ardhur te hunda kjo anarki.

Anarkia ekonomike: Shqiptarët në Shqipëri e Kosovë dhe gjetiu në viset e banuara prej tyre edhe 100 vjet pas Pavarësisë shqiptare janë kryesisht konsumatorë të prodhimeve të huaja, pasi vetë nuk prodhojnë gati asgjë. Ekonomia e tregut, heqja e barrierave doganore, konkurrenca e lirë është një e arritur e botës së përparuar dhe nuk duhet të kundërshtohet, por të përvetësohet. Por një shoqëri që importon madje edhe qumësht dhe jogurt, biskota dhe gjalpë, siç është kjo shqiptare, një ditë do të importojë edhe bërllokun e të tjerëve. Kjo tashmë është miratuar nga Parlamenti në Tiranë. Një shoqëri e cila lejon që ekonomia ti plaçkitet nga biznesmenë të nëntokës dhe të privatizohet çdo gjë, nesër nuk do të jetë as pronare e ajrit. Një shembull frikësues na e ofron Kosova, ku një bandë lokale dhe ndërkombëtare në bashkëveprim prej vitesh privatizojnë e tjetërsojnë pronën shoqërore pa koncept, pa ide, pa plan, pa strategji. Fitimi ndahet në stilin aksham-pazari. Një shembull tjetër është shkatërrimi i organizuar kriminal që po i bëhet prej vitesh natyrës, e sidomos vijës bregdetare, në Shqipëri jo nga një dorë e padukshme armiqësore, por nga njerëzit e pushtetit, nga familjarët e tyre, nga biznesmenët e pasuruar brenda natës.

Anarkia sociale: Shqiptarët kudo në Ballkan janë më të varfrit mes popujve të kontinentit të vjetër. Ndryshimet kaotike të dy dekadave të fundit kanë krijuar një shtresë të hollë tepër të pasur dhe një shumicë që duhet të mbijetojë me rroga që sjanë më shumë se lëmoshë. Dallimi është ekstrem, fyes, i trishtueshëm për një shoqëri: shtresa e mafiozëve dhe politikanëve pa ndjenja humane çlodhet në resore të shtrenjta pushimi të rivierës turke dhe shkollon fëmijët në shkolla private, larg popullit të pistë, derisa pjesa dërmuese e qytetarëve duhet ta korruptojnë mjekun që tua trajtojë fëmijët e sëmurë, duhet të çojnë fëmijën në shkolla publike, ku dominon dhuna dhe mungesa e kompetencës sociale nga personeli arsimor i lënë pas dore me vite. Kompetenca sociale e një shoqërie shihet në raport me të varfrit. Ndër shqiptarë as që ekziston një vetëdije për përmasën e mjerimit.

Anarkia mediale: Mediet shqiptare, në Tiranë e Prishtinë e gjetiu në viset shqiptare, me ndonjë përjashtim, janë vetëm tribunë e popullizmit dhe joprofesionalizmit, jo arenë e luftës së ndershme dhe të pakompromis për emancipim shoqëror. Pothuaj për çdo ditë shohim një horrllëk medial, një aleancë politiko-gazetareske në mbrojtje të krimit, ku gjithçka vihet në shërbim të ruajtjes së interesave të një krahu politik apo tjetrit, të një tarafi apo grupi mafioz. Në këtë rrëmujë interesi i përgjithshëm shoqëror nuk ka vend! Shumica e medieve, e veçanërisht ato që mbahen me shpallje e reklama të pushtetit, shpesh përdoren e keqpërdoren për qëllime të ngushta, egoiste, ndonëse me vetë faktin se e tundin flamurin e informimit të opinionit do të duhej të ishin të kujdesshme në ruajtjen e disa parimeve publicistike bazë. Në këtë anarki sot mbrohet manipulimi i tenderëve dhe vjedhja e arkës së shtetit, nesër u këndohet në kor bëmave të Skënderbeut. Ka edhe më zi: dalin gazetarë e politikanë të korruptuar deri në fyt dhe thonë se e kanë idhull Hasan Prishtinën, i cili dhuroi krejt pasurinë për çlirimin e vendit të tij.

Anarkia me imazh: Secili shqiptar që sot del në Evropë mund të bëjë testin e imazhit, kur një i huaj e pyet prej nga vjen. Mund të thotë nga Shqipëria dhe tjetrit do ti shkojë mendja te mafia. Mund të thotë nga Kosova dhe tjetrit do ti shkojë mendja te krimi e banditizmi, i përhapur prej vitesh nga grupe plaçkitësish anekënd kontinentit të vjetër. Derisa kombet e tjera bëjnë çmos të përsosin imazhin, shqiptarët edhe ndonjë aktivitet të tillë e qesin në tender dhe e lyejnë me korrupsion. Aq shumë e ka përmirësuar imazhin e Kosovës reklama e kompanisë së marketingut Saat

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›