Të gjithë bashkë, më 21 janar
Kaloi një vit qysh nga ajo e martë e 11 janarit 2011 kur nëpërmjet emisionin investigativ Fiks Fare në TCH shqiptarët anembanë u njohën me videopërgjimin Meta-Prifti. Është nga ato ngjarje që patën ndikim për rrjedhojat që sollën më vonë. Dhjetë ditë më pas ngjarjet precipituan në mënyrë të paimagjinueshme, me 4 burra të ekzekutuar ditën për diell në Bulevardin e Tiranës. Kur i kujton sot, viti të duket kaq i shkurtër, sikur e gjitha të ish zhvilluar jo më larg se …. dje. Sa herë na duhet të përkujtojmë situata të tilla, ngjarjet na rikthehen me po atë qartësi që i kemi përjetuar dhe nis e ndjen një trishtim të brendshëm pasi asgjë ska lëvizur.
Rasti e solli që në prag të këtij njëvjetori, shkakësori Meta të jetë në finalen e gjykimit, por gjithshka mbetet e pasigurtë me atë çka do vendosë gjykata, ku shumica besojnë se ai do dalë i palagur. Të tjerët, ata që morën pjesë në ekzekutim, si urdhërdhënës dhe këmbëzshkelës, vijojnë të jenë të lirë, në po ato pozita që kanë patur, si për ti bërë karshillëk jo vetëm ligjit, me mbipandëshkueshmërinë që zotërojnë.
Një vit iku e gjithshka mbeti në vendnumëro. Meta është po aty, qeveritarët me marionetat e tyre vrastare janë po atje, të lirë, ndërkohë që katër burrave skanë për tiu tretur kockat pa u vënë drejtësia në vend. Vit pas viti, ditët e netët ikin si pa kuptuar dhe neve sna mbetet veçse ti përkujtojmë. Përkujtime pa fajtorë, vetëm emra, emra që i përmendim pafund dhe asgjë nuk lëviz, ashtu si ujët i një moçali. Pushtetarët na përqeshin, na tallin, na përbuzin, ata besojnë se jemi të pafuqishëm të reagojmë për krimet e tyre.
Kemi një rast tu tregojmë se nuk jemi siç ata pandehin, tu tregojmë se jemi solidarë e të bashkuar në respekt të gjakut të atyre katër burrave, të jemi të gjithë tok, aty ku ua morën jetën, aty ku i shkëputën përgjithmonë nga familjet e tyre. Për ti bërë të dridhen sërish si në atë janar të një viti më parë, ku të gjithë shqiptarët e ndershëm të këtij vendi ia përplasën në sy vendosmërinë e tyre se sduan të qeverisen nga kthetrat e korrupsionit që vret të dyshes Berisha-Meta. Të gjithë aty, për ti dhënë kurajo edhe drejtësisë së tulatur nga mafia qeveritare që kërkon të fshehë krimin e saj. Të gjithë bashkë pra, më 21 janar!
