E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një bashkëveprim të gjithanshëm mbarëshqiptar

REXHEP MEIDANI

Këto ditë, me iniciativën e Universitetit Europian të Tiranës dhe universitetit Fama të Prishtinës, u organizua, si një forum debati, konferenca me temë: Për një hapësirë të përbashkët ekonomike shqiptare Shqipëri-Kosovë. Çfarë lloj bashkimi?. Ajo synonte të rrokte disa çështje thelbësore të ndërveprimit mbarëshqiptar, të lidhura ngushtë edhe me perspektivën tonë europiane, në kushtet e një procesi të pritshëm integrimi. Jo për tu trajtuar vetëm me gjuhën e politikës, por, mbi të gjitha, të një analize profesionale të gjithanshme ekonomike, diplomatike, juridike, kulturore etj. Sa më larg radikalizmit pseudo-nacionalist dhe sa më afër thelbit e realitetit konkret! Aq më tepër që nëpërmjet procesit të integrimit europian, në shumë aspekte, ne synojmë të realizojmë edhe vetintegrimin tonë kombëtar, si pasqyrim edhe të zhvillimeve aktuale globale. Më poshtë, për të mos lejuar ndonjë spekulim të mundshëm, do të trajtoj, në disa plane, çështjet që unë preka në referimin tim…
* * *
Në botën e sotme gjithnjë e më të ndërvarur, mjaft çështje që më parë konsideroheshin si tabu apo çështje të brendshme të një vendi kanë marrë sot një përmasë ndërkombëtare në rritje. Pikërisht reflektimi i kësaj përmase ka qenë edhe arritja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, kooperimi në kohë reale në politikën ndërkombëtare po bëhet gjithnjë dhe më i fuqishëm. Krahas çështjeve të ekonomisë e tregtisë, mjaft probleme të klimës e mjedisit, ato mbi emigracionin, shëndetin, edukimin etj., po koordinohen gjithnjë e më mirë në nivel rajonal e ndërkombëtar. Ndikimi i internetit po bëhet më tërësor në ushtrimin e fuqisë, në të gjitha fushat, përfshirë dhe cilësinë konkrete të qeverisjes. Madje, teknologjitë e komunikimit dhe media sociale po revolucionarizojnë dita-ditës bashkëpunimin midis politikës e qytetarëve.
Parë me këtë sy, në këtë botë gjithnjë e më globale, shtetet nuk janë, si më parë, të vetmit aktorë në lojë. Aktorë jo shtetërorë si: OJQ-të, grupet etnike, organizimet e tyre në diasporë, organizatat qeveritare ndërkombëtare, struktura të kompozuara nga përfaqësues shtetërorë (si p.sh., OKB-ja, NATO-ja, BE-ja etj.), organizatat joqeveritare ndërkombëtare (INGO), aktorët mbikombëtarë me një përfaqësim jo patjetër zyrtar (Kryqi i Kuq, Amnistia Ndërkombëtare etj.), korporatat multinacionale, firmat ekonomike të shtrira në mjaft shtete etj., po bëhen çdo ditë gjithnjë e më të forta dhe politikisht me mjaft influencë. Po ashtu, edhe vetë sistemi ndërkombëtar, dikur anarkik, është duke u sistemuar gradualisht me një mori mekanizmash, rregullash e normash, të miratuara së bashku. Pikërisht, në një botë të tillë, ku tregtia, investimet, turizmi dhe komunikimi i afrojnë gjithnjë e më tepër vendet e njerëzit, po bëhet i detyrueshëm një korrelacion shumë më i mirë forcash, procesesh e faktorësh kombëtarë e ndërkombëtarë. Tepër të rëndësishme po bëhen: a) proceset demokratike që lidhen me legjitimitetin në realizimin e interesave kombëtare; b) me legjislacionin ndërkombëtar në trajtimin e konflikteve brenda dizajnit ligjor-institucional dhe ndërtimit të konsensusit; c) me diplomacinë transformuese e pjesëmarrëse apo kontributin e qytetarëve diplomatë, jashtë kanaleve zyrtare të negocimit etj…
Pikërisht faktorë të tillë duhen konsideruar seriozisht edhe në procesin tonë të integrimit kombëtar. Për më tepër që këto gjëra nuk janë më të reja. Veçse me një këndvështrim global mund të arrihen dhe rezultate kombëtare! E thënë shkurt, sot duhet menduar në mënyrë globale dhe vepruar në mënyrë lokale! Pikërisht, në këtë kuadër global të menduari, duhet azhurnuar aksioni lokal, i cili nuk duhet të intimidohet as nga radikalizmi, as nga euforia, as nga ngazëllimi folklorik. Në sajë të padrejtësive historike, një aksion i tillë lokal mbetet për shqiptarët unifikimi i mëtejshëm në kuptimin e bashkim-integrimit kombëtar, edhe pse, në një kuptim tradicional, një proces i tillë, bile deri vonë, ka nënkuptuar përgjithësisht bashkim territoresh në rrafshin juridik dhe të banorëve të tyre (me lidhje gjaku, gjuhe, historie, tradite, konfesioni etj.) në rrafshin qeverisës. Ky i fundit, si një komplet i integruar institucionesh të hartimit dhe zbatimit të ligjit, mishëron sovranitetin e brendshëm. Është po ai, që, nga ana tij, mundëson njohjen e këtij sovraniteti prej shteteve të tjera, pra sovranitetin e jashtëm, që në rastin e Kosovës duhet të mbetet një nga përparësitë e aksionit kombëtar. E thënë më thjesht, vetë shteti është një entitet politik e gjeopolitik, kurse kombi është një entitet kulturor (dhe/ose etnik), që së bashku mishërojnë të ashtuquajturin shtet-komb. Pikërisht, procesi i globalizimit po prek aktualisht vetë thelbin tradicional të këtij konceptimi.
Edhe kultura, në kushtet e sotme, po shfaqet jo vetëm si objektiv apo qëllim, por dhe si mjet. Aspekti i parë nënkupton traditën e historinë, dhe të gjitha produktet: materiale, sociale apo shpirtërore të lidhura me to, përfshirë dhe mitet, këngët e ngjarjet, të transferuara brez pas brezi. Pra, gjithçka që sendërton kombin si të tërë. Kjo lloj kulture bën veçimin, duke u shndërruar kështu në një instrument të fuqishëm në mbrojtje të unitetit kombëtar. Këtë, fatmirësisht, e kemi dhe duhet ta ruajmë sa më shumë! Ndryshe prej saj, kultura si mjet është një instrument i fuqishëm në favor të globalizimit që, në një mënyrë apo tjetrën, ushqen homogjenizimin, edhe për fatin e keq të popujve të vegjël. Është ky lloj instrumenti që po thyen kufijtë, që hedh poshtë muret e lashta të traditës kombëtare. Proklamimi i prodhimeve të ndryshme, në të gjitha fushat, shfrytëzimi apo konsumi universal i tyre është shembulli më kuptimplotë i saj. Akoma më shqetësuese, në rrafshin kombëtar, është fuqia e saj për të krijuar qëndrime e pozicionime, opinione, sjellje e rregulla globale…
* * *
Pas këtij shtjellimi, qoftë dhe sipërfaqësor, të konceptimit të sotëm të disa aspekteve të ndryshimit brenda binomit: sovranitet – ndërvarësi, për ne ende sot, si çështje thelbësore mbetet po ajo e një shekulli më parë çështja kombëtare. Si do të çohet më tej kjo çështje në përputhje me situatat e kushtet e reja të epokës së globalizimit? Si mund të realizohet bashkimi kombëtar në situata të tilla? A mund të mbyllet, në një fazë të dytë, procesi i integrimit dhe vetintegrimit me plotësimin e aspiratës historike të një bashkimi të mirëfilltë kombëtar? Cili janë probabilitetit e saj të kalimit nga mundësia në realitet? Madje, edhe duke pasur parasysh faktin, që në kuptimin e kësaj aspirate, një pengesë kohore në vetvete krijon shpërndarja territoriale e popullsisë shqiptare apo shpërngulja me forcë e saj, që në thelbin e saj nënkupton ndryshim kufijsh – tabu kjo e pagëlltitshme në pjesën vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare. Ndryshe kjo nga ndonjë perspektivë bashkimi politik Kosovë-Shqipëri, si shtet unitar apo federal, brenda një BE-je gjithnjë dhe më të institucionalizuar. Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk është aq e lehtë ti japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Sepse gjithçka varet shumë nga konceptimi i drejtë dhe aksioni konkret i sotëm, por dhe vullneti politik dhe gjykimi qytetar në territoret shqiptare, ecuria e proceseve demokratike qeverisëse, krahas projeksionit politik perspektiv të vetë BE-së, në perfeksionimin e organizimit administrativ të saj si një entitet me pamje federale. Në fund të fundit, edhe përbërja, reagimi e ndryshimet, pamjet konkrete të fuqisë janë të lidhura ngushtë me politika e skenarë të ndryshëm në realitete konkrete lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Sidoqoftë, arritja apo shtimi i çdo lloj fuqie, kudo në botë, nuk është pa kosto, përfshirë dhe fitimin e një fuqie të pamerituar…
* * *
Sidoqoftë, për sendërtimin e aspiratës sonë, qoftë dhe si frymëzi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›