E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Dibër të Madhe do ngrihet monumenti i rezistencës shqiptare

10-07-2011 / Gazeta 55

Në organizim të Shoqatës së ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Dibër të Madhe, është ngritur nisma për ndërtimin e Monumentit Luftëtari i Lirisë në këtë qytet. Bashkim Mashkulli, kryetar i kësaj Shoqate para mjeteve të informimit, deklaroi se, “ Për nder të 100 vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar dhe 99 vjetorit të Luftës së Dibrës në vitin 1913 për liri dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare, Shoqata jonë vendosi të ndërtojmë Monumentin Luftëtari i Lirisë, në nderim të atyre dibranëve që sakrifikuan jetën e që luftuan trimërisht për të mbrojtur trojet shqiptare që nga periudha e Skënderbeut e të brezave pas tij. Mashkulli, duke prezantuar maketin e Luftëtarit të Lirisë, shtoi se, “ Kjo Përmendore do të punohet nga Fitim Sula, skulptor nga Shqipëria, do të jetë e lartë tre metra, me veshje karakteristike dibrane, me fesin, xhamadanin, tirqit, gjerdanin me fishekë dhe pushkën. Kjo Përmendore do të inaugurohet më 28 nëntor të këtij viti në “Sheshin e Lirisë”, që ndodhet te tregu i qytetit, në fund të rrugës kryesore në drejtim të Shqipërisë. Ndërtimi i kësaj përmendore në gur do të kushtojë 10 mijë euro, ndërsa financimi do të bëhet nga vetë dibranët nga vendi dhe diaspora. Për këtë qëllim është ngritur një komision te i cili do të dorëzohen paratë dhe do të merret fletë-dëshmia. Apeloj te dibranët dhe te biznesmenët që ta japin kontributin e tyre financiar për përfundimin e kësaj shtatoreje, që do të simbolizon luftën e dibranëve ndër breza për liri dhe mbrojtjen e trojeve denbabaden shqiptare”, tha në fund Bashkim Mashkulli. Është për t’u theksuar se kjo Shoqatë ishte nismëtare dhe organizatore e ngritjes së Shtatores së Skenderbeut në Sheshin “Skenderbe” në Dibër, dhe e ngritjes së busteve të patriotëve e të veteranëve të arsimit mbarëshqiptar Said Najdeni dhe Josif Bageri, si edhe të Pllakës së Alfabetit Shqip në qendër të qytetit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›