Ma jepni një vizë Shengen, ju lutem!
Miku im nga Berlini ka disa ditë që po insiston që të marr pjesë në ceremoninë e kremtimit të ditëlindjes së nipit të tij që ndërlidhet edhe me rënien e Murit të Berlin në shtator të këtij viti. Unë po i bëj “bisht” kësaj ftese të mikut tim nga Berlini duke i thënë se gjoja jam “shumë i zënë me punë” se gjoja “më duhet të qëndroj në muajin shtator në Prishtinë” e arsyetime të tjera të paqëndrueshme. Por edhe atëherë kur miku im insiston që së paku për 3 ditë të jem në Berlin në shtator të këtij viti, unë detyrohem që në fund ta zhgënjej atë duke ia prerë shkurt:”Harroje edhe këtë vit këtë punë, shëndosh herëve të tjera!”. Në të vërtetë të gjitha arsyetimet e mia para mikut tim janë krejt të paqëndrueshme dhe të paarsyeshme. Unë mund të “marr leje” nga shefi im për një vizitë së paku treditore në Berlin, nuk kam asnjë agjendë të rëndësishme as në punë e as në angazhimet familjare në muajin shtator. Pra me një fjalë jam krejtësisht i lirë që të vizitoj Berlinin në shtator të këtij viti.
Por ajo që nuk jam i gatshëm të bëj para shtatorit të këtij viti është kompletimi i një grumbull dokumentesh për të aplikuar në një nga ambasadat e vendeve të BE-së ose në rastin konkret në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Unë nuk kam kohë që të pres para sportelit në Prishtinë për të nxjerrë certifikatën e gjendjes sime civile (dëshminë se jam i martuar) certifikatën e gjendjes sime familjare (një dokument ku janë të shkruar emrat e anëtarëve të familjes sime të ngushtë) nuk kam kohë që të pres në sportelin e bankës për të nxjerrë raportin financiar për 6 muajt e fundit, nuk kam kohë të fotokopjoj kontratën time dhe ta vërtetoj në Gjykatën Komunale të Prishtinës sepse nuk është “obligim imi familjar” që të nxjerr një fletëpagesë të rrymës ose të ujit (këto obligime i kryen zakonisht “kryeministrja” e shtëpisë sime me të cilën kam kurorë). E mbi të gjitha nuk kam kohë që të pres disa orë para sportelit të Ambasadës për të caktuar një termin për vizë e mbi të gjitha nuk kam nerva që të përgjërohem, të përkulem e ta lus administratorin ose administratoren e Ambasadës në sportel që të ma japë vizën se “…unë po shkoj vetëm për një vizitë të shkurtë miqësorë”, “…se nuk e kam ndërmend të qëndroj më gjatë sesa disa ditë”, “…se unë jam në marrëdhënie pune dhe se do të kthehem patjetër në Kosovë te familja ime”, dhe “se nuk e kam ndërmend të kërkoj azil politik në Evropë”! Këtë nënçmim nuk do t’ia lejoj vetes. Prandaj as nuk do të aplikoj për vizë dhe as nuk do të shkoj në shtator në Berlin në festën familjare të mikut tim.
Por pritja ime nuk do të jetë e gjatë para ambasadave të vendeve të BE-së për një vizë. Aq më tepër durimi im për një vizë Shengen një ditë do të marrë fund. Kështu po i thosha një zyrtari të lartë të ICO-së në një mbrëmje me përfaqësues të medieve në Prishtinë. Ai përpiqej që të më jepte kurajë se Brukseli po bën gjithçka që t’ia mundësojë Kosovës integrimin evropian në ndërkohë që unë shprehja revoltën time se nëse Brukseli vazhdon ta mbajë derën e mbyllur për popullin e Kosovës është Lindja ajo që është e gatshme t’ua hapë dyert të gjithë atyre që dëshirojnë të “ikin” nga Kosova së paku për pak ditë. “Çka t’i them vajzës sime nëse ajo do të marrë një ofertë për studime master “free” për të gjitha shpenzimet e studimit e madje edhe të biletës së aeroplanit nga një qendër universitare ose biznesore në Lindje në ndërkohë që Brukseli vazhdon t’i mbajë dyert e mbyllura dhe të jetë tepër i shtrenjtë për buxhetin tim familjar?” po e pyesja zyrtarin e lart evropian të ICO-së. Ai përpiqej që të më “ngushëllonte” me premtimet e tij gati të mërzitshme evropiane në ndërkohë që unë vazhdoja me pyetjet e mia sugjestive siç ishte një nga këto: “Si është e mundshme që të shëtisë pa vizë e lirshëm nëpër Evropë komandanti i policisë serbe të Stacionit Nr.4, serbi Novakoviq, ndërsa unë, që isha mbajtur për më shumë se 6 orë i lidhur për radiatori të ngrohjes së këtij stacioni në mars të vitit 1998, vetëm pse nuk e kisha letërnjoftimin e Prishtinës, por të komunës së Rahovecit, vazhdoj të konsiderohem “persona non grata” për Evropën?
Derisa Evropa vazhdon të mbajë një qëndrim mohues ndaj meje dhe shtetit tim, unë nuk do të aplikoj për vizë në Evropë. E fundit që do të bëj është që të kënaqem me atmosferën dhe me komoditetin evropian që mund t’ia krijoj vetes në Prishtinë, ndërsa në festën e mikut tim në Berlin do të marr pjesë atëherë kur Brukseli do të heqë regjimin e vizave edhe për mua dhe për 1.7….. pjesëtarët e popullit të Kosovës. Deri atëherë do të “kënaqem” duke i shfletuar dhe duke shikuar të gjitha vizat e mia në pasaportën e UNMIK-ut: janë viza gjermane, franceze, italiane, britanike, amerikane…Do t’i ruaj për kujtim këto viza, por jo edhe pasaportën me simbolin e UNMIK-ut.
Ndërkaq pasaporta ime me stemën e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet “e virgjër”. Ma jepni një vizë Shengen, Ju lutem!
“Bota Sot”