Për një koncert ndryshe
Genc Kastrati, valltar dhe koreograf i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, ka ndërmarrë iniciativën të organizojë një koncert krejtësisht ndryshe nga të deritanishmit, me një format dhe temp krejt tjetër. "Duke u mbështetur në folklorin tonë aq të pasur, në pasionin tim për të, në plotësimin tim profesional disavjeçar, si dhe duke u nxitur nga dëshira për t‘i dhënë temp dhe paraqitje sa më dinjitoze kësaj trupe profesionale, më ka lindur ideja të propozoj dhe të angazhohem me gjithë forcat e mia për organizimin e një koncerti me një strukturë disi më ndryshe nga koncertet e deritanishme. Konkretisht koncerti është konceptuar të ndërtohet rreth një boshti dhe të përçojë impaktin dhe mbresat që le arti dhe kultura jonë e larmishme te të gjithë të huajt që kanë vizituar Shqipërinë: Lord Bayron, Nopcha, Johann G.Von Hann, Edith Durham etj. Bazuar në përshkrimet e këtyre dhe shumë vizitorëve të tjerë të natyrës, virtyteve, vlerave, artit, veshjeve, zakoneve e kulturës shqiptare, do të flasë një shkrimtar i huaj i trilluar artistikisht, që i përmbledh të gjitha. Këto fjalë me peshë për vlerat e artit tonë do të vendosen në gojën e një aktori që shquhet për një interpretim mjaft emocionues. Shfaqja do të ndërthuret teknikisht midis aktorit, valleve, këngëve e instrumentaleve, duke synuar ta bëjë spektatorin që të ndjejë dinamikën e një ekspedite nëpër vise të ndryshme shqiptare", shprehet Kastrati. Ai thotë se koreografët me të cilët ka zgjedhur të bashkëpunojë e kanë vlerësuar si mjaft interesante idenë e tij dhe e kanë pranuar me kënaqësi kontributin e tyre në këtë koncert. Ata janë emra të njohur si: Besim Zekthi, Besim Jazexhiu, Andrea Kokeri e Roberta Mone.