Një televizion që nuk honepset dot

Kryeministri Berisha ne nje nga kronikat e TVSH-se
Bujar Cani
Ka gjëra që njeriu nuk i honeps dot në jetë dhe ato mund të jenë të shumta duke filluar në radhë të parë nga njerëzit, një lloj ushqimi apo gjelle, vende apo ngjarje por që të mos e honepsësh fare apo të urresh një televizion publik kjo është një risi. Bëhet fjalë për një televizion që jeton me taksat tona e që duhet të jetë i të gjithë shqiptarëve. Ai duhet të flasë për frymën e mirëkuptimit dhe unitetit të bashkëpunimit, të tolerancës dhe dashurisë dje jo të marrë rol përçarës duke nxitur urrejtje për gjysmën e popullit që nuk votojnë për Sali Berishën.
TVSH tashmë është kthyer në një paçavure të bajatshme, në një kobure dhe tellall për qeverinë dhe Sali Berishën. Dëgjova një ditë me kujdes lajmin që dha TVSH se gjoja departamenti amerikan i shtetit distancohet nga deklaratat e ish-ambasadorit amerikan Uithers për akuzat dhe denoncimet që ai bën për qeverinë aktuale duke e akuzuar drejtëpërdrejtë për Gërdecin dhe 21 janarin, për korrupsionin dhe vjedhjen e votave që bëhen gjatë zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas televizionit publik, këto deklarata qenkan personale dhe jo të qeverisë amerikane pasi kjo e fundit është miku më i ngushtë i popullit shqiptar dhe pikërisht për këtë vijnë edhe kritikat e ambasadorit amerikan.
Në fakt, populli e di shumë mirë që SHBA-të janë miku më i mirë i shqiptarëve. Ne e dimë se ngjarja e Gërdecit ishte një krim i pastër dhe një aferë korruptive e drejtuar nga qeveria dhe nga klanet familjare ku u vranë 26 veta të pafajshëm. Kjo ngjarje së bashku me 21 janarin nuk vjetrohen kurrë pasi vërtetë nuk kanë bërë ndryshime në politikë por kanë demaskuar fytyrën e saj. Dhe vetë Televizioni Publik Shqiptar është i ndërgjegjshëm për vrasjen, vjedhjen, korrupsionin, kontrabandën dhe çfarëdolloj krimi shtetëror të ndodhur brenda Republikës së Shqipërisë nga qeveria, politika në përgjithësi dhe qytetari në masë më të vogël. Dhe ne qytetarët i dimë shumë mirë këto të vërteta e çfarë rëndësie ka se kush i ka thënë dhe i ka bërë këto.