Përse të gjithë çuditen me Fenomenin Kajolli?
Biznesmeni Fatmir Kajolli, i lidhur ngushtë me politikën dhe thuajse i deleguar i zotit Mediu në biznes, është arrestuar për llogari të drejtësisë italiane. Ai ka dy vendime të shqiptuara që bëjnë afërsisht 40 vite burg, ndërkohë që ka humbur çështjen dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Lajmi i cili ka kapur në befasi medien shqiptare, të cilës i është trashur lëkura nga fenomeni i pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri, po shoqërohet me një sërë hamendjesh dhe paranojash për momentin e arrestimit, arsyen e arrestimit dhe ndikimin që do ketë arrestimi në politikën shqiptare.
Aq larg ka shkuar mungesa e besimit tek drejtësia në këtë vend, sa askush nuk mendon më që arrestimet bëhen për të vendosur drejtësi, por për të bërë politikë. Dikush mendon se është presion ndaj Fatmir Mediut, i cili i ka postuar opozitës avokatin e tij në çështjen e Gërdecit për KLD-në dhe mund të turpërojë mazhorancën në Kuvend, duke ia rrëzuar Berishës kandidatin e tij. Të tjerë mendojnë se Kajolli e kishte tepëruar me karshillëkun ndaj PD-së në zgjedhjet e fundit lokale, duke mos u bindur për të dhënë votën për Qarkun e Fierit në favor të PD-së. Të tjerë flasin për histori të prishura biznesi mes tij dhe një grupi afër familjes në pushtet në bregdetin e Semanit. Por, ajo që është më logjike në këtë histori, është se pas arrestimit nuk ka asnjë prapavijë. Drejtësia italiane, e cila është pjesë e një sistemi që nuk bën politikë me drejtësinë, thjeshtë ka mbërritur në Shqipëri dhe ka arrestuar Kajollin dhe disa të kërkuar të tjerë në Vlorë, Fier dhe Durrës.
Arsyetimi se arrestimi është presion mbi Fatmir Mediun është i pabazuar. Është e vertetë që Mediu po mërmërit për të rritur pazarin e tij tek Berisha para zgjedhjeve, pasi është i rrezikuar të ngelet jashtë parlamentit dhe të hyjë brenda hekurave të burgut, por nuk është e vërtetë se Berisha ka fuqinë e duhur për ti treguar Mediut burgun. Po të ishte e vërtetë kjo, do të ishim para një zhvillimi të rëndësishëm , pasi do të hapej Kutia e Pandorës dhe i humburi Fatmir Mediu, atë që e thotë tavolinave për përfshirjen e të birit të Berishës në Gërdec, ka për ta thënë publikisht në sallën e gjyqit që nuk po bëhet ende. Dhe ky do të ishte një fund më i hidhur për Sali Berishën, sesa për Fatmir Mediun. Nga ana tjetër, arrestimi nuk është as ndonjë vëmendje e posaçme e policisë shqiptare dhe as ndonjë fryt i marrëveshjes së ekstradimit që paskemi nënshkruar në këtë vjeshtë që shkoi. Mes Shqipërisë dhe Italisë kanë ekzistuar marrëveshje për dënimin respektiv të personave të dënuar. Dua të kujtoj se prej vitit 2005 ka pasur shumë raste të personave të dënuar në Itali që janë ndaluar në Shqipëri dhe janë shoqëruar për në vendin fqinj. Shumë prej tyre kanë dalë dhe të pafajshëm, për shkak të dënimeve në mungesë dhe pa prova. Mes tyre ka pasur ish komisionerë të ministrit Olldashi, nga Shijaku, për të cilët ai mori kosto politike, pasi i prangosi kur ishte vet ministër i Brendshëm, ka pasur shëtitje në gjykatat greke dhe italiane të Gëzim Salillarit, i cili ishte ndaluar nga polica jonë pas deklaratave të Berishës se është i dënuar në Itali dhe kur shkoi aty ishte i pafajshëm , apo dhe raste të tjera të ngjashme. Pra, rasti Kajolli nuk është fryt i ndonjë marrëveshje speciale , por një arrestim rutinë i drejtësisë italiane në Shqipëri. Ministri Nishani, i cili informohet i fundit për punët e ministrisë së tij, është hutuar aq shumë nga mungesa e informimit që ka, sa ka dashur të shpikë një arsye që nuk qëndron.
Arrestimi i Kajollit po ashtu nuk përbën asnjë hap inkurajuese për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, pasi ai nuk është hetuar, nuk është dënuar dhe nuk po arrestohet për bizneset e lidhura me politikën në Shqipëri. Në dijeninë tonë ai është pjesëtar në disa biznese të mëdha në Shqipëri, përfshi dhe kompani prestigjioze rrugësh që marrin miliona nga shteti shqiptar, është thuajse vëlla jobiologjik me Fatmir Mediun, dhe ka plot biznese që i ka bërë për shkak të lidhjeve me politikën, qoftë PD-në apo qoftë drejtuesit lokal të PS-së. Për asgjë nga këto nuk është hetuar, sa të pastra apo të pista i ka.
Vëllai i tij i madh, Fatmir Mediu i ka shpëtuar gjykimit për një tragjedi të shkaktuar nga korrupsioni, një tjetër figurë simbol i korrupsionit, Ilir Meta është deklaruar i pafajshëm për një provë që e panë dhe dëgjuan gjithë shqiptarët, Komandanti i Gardës është i lirë dhe pse është provuar përtej dyshimeve se ka vrarë së paku një qytetar, ndërsa në Vlorë janë arrestuar dhe janë në burg 7 persona, pasi dyshohen se kanë dhënë vërtetime lagjesh prej 2 mijë lekësh për qytetar, që kërkojnë të pajisen me patentë. Kultura e pandëshkueshmërisë së njerëzve të lidhur me politikën këtu është aq e fortë, sa rasti Kajolli, vetëm sa e forcon këtë kujtesë dhe na bën të mendojmë të gjithë për prapaskenat që kanë prodhuar arrestimin e tij. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Po aq të hutuar sa ne, sot janë dhe Sali Berisha, dhe i biri i tij, dhe Fatmir Mediu, dhe Bujar Nishani, dhe Ilir Meta dhe gjithë gazetarët shqiptarë, që u duket lajm fakti që njëri pasi dënohet me burg dhe mund të arrestohet, edhe po qe se është mik dhe vëlla i Fatmir Mediut.
Fenomeni Kajolli si i burgosur për shkak të një krimi, është një ngjarje e rrallë për shqiptarët dhe ata, siç mund ta vërejmë të gjithë, nuk po pyesin çfarë ka bërë, por pse po e arrestojnë , ose çfarë fshihet pas arrestimit? Janë aq të bindur se po të kesh lidhje me politikën nuk arrestohesh, sa nuk duan tia dinë fare që ky person është dënuar me 40 vite burg në Itali dhe as duan tia dinë fare se drejtësia italiane është drejtësi e një vendi të Bashkimit Evropian dhe më dëshpëruese akoma, nuk duan tia dinë fare se çka bërë ky biznesmen me paratë e drogës, që sipas drejtësisë italiane ka fituar në Perëndim. Jo. Të gjithë duan të dinë kush e tradhtoi dhe pse po arrestohet.! Është një tmerr. Të gjithë në këtë vend kanë harruar se po vodhe, po trafikove, po vrave apo u more me drogë, dënohesh. Të gjithë mendojnë se çdo gjë shihet po të merresh me politikë. Dhe Kajolli e kish kuptuar këtë si të gjithë ne. Por, e kish ngatërruar Shqipërinë me Italinë.
