E Diel, 1 Nëntor 2026

Për pesë muaj, konfiskohen 2700 vetura

Nga Express më 22 maj 2011 në ora 20:30

Mungesa e hapësirave të mjaftueshme për parkingje në Prishtinë po shkakton mjaft telashe si për ngasësit e automjeteve, por edhe për qytetarët. Në pamundësi për të gjetur vende të lira ngasësit shpesh janë të detyruar që të parkojnë automjetet në vende ku nuk lejohet parkingu, por kjo iu kushton atyre me konfiskim të automjetit dhe shqiptim të gjobës.

Trotuaret e rrugëve të kryeqendrës sonë janë të zëna me automjete të ndryshme që vështirësojnë ecjen e këmbësorëve. Nga pamundësia që të shfrytëzojnë trotuaret, këmbësorët janë të detyruar që të ecin nëpër rrugë, duke rrezikuar kështu jetën e tyre. Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa kundër të gjithë atyre ngasësve që parkojnë automjetet në vende të palejuara, duke shqiptuar gjoba dhe duke konfiskuar automjetet.

Zyrtari për informim i policisë rajonale për Prishtinë, Arbër Beka, ka thënë për Kosovapress se pothuajse në të gjitha rrugët e kryeqytetit ka parkingje ilegale, mirëpo për ata që parkojnë në vende të ndaluara sipas tij pasojnë dënimet.

“Sa i përket numrit të automjeteve të konfiskuara në bazë të të dhënave të drejtorisë rajonale të Prishtinës për periudhën kohore janar maj të këtij viti janë konfiskuar rreth 2700 automjete në parkingje ilegale”, ka thënë ai.

Ngasësit e automjeteve, të cilët rrezikojnë të gjobiten, për të tërhequr veturën e tyre të konfiskuar duhet të paguajnë 25 euro dhe shpenzimet tjera të kompanisë që kryen tërheqjen e veturave nga parkingjet e palejuara. Për më tepër, ai thotë se shqiptimi i tiketave ka pasur një efekt të kënaqshëm pasi që është ulur numri i aksidenteve me pasoja fatale, gjë të cilët e dëshmojnë edhe statistikat zyrtare për periudhën mars-maj.

Nga ana e saj, komuna e Prishtinës arsyetohet se ka kryer punën e saj sa i përket parkingjeve, edhe pse numri i tyre nuk është i mjaftueshëm për shkak të numrit të madh të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›